Sot do të ndalemi sërish tek skemat korruptive, të ngjashme me ato “5D” apo “5B”, të cilat duket se nuk janë vetëm ekskluzivitet i Rilindjes, por janë ndërtuar edhe në emër të opozitarizmit.
Pra nga socialistët, Kapllanaj konsiderohet rivali punëmbarues me 67 milione euro tendera. Por jo vetëm tenderat pa garë e me plot hije korrupsioni, por tani do t’ju sjellim edhe shkeljet më të rënda nga Agron Kapllanaj, i cili siç bashkpunëtorët e tij socialist, ka mbi supe edhe skemën e tij “5D”. Milionat nga tenderat duket se nuk kanë qenë thjesht rastësi, pasi që në kohën kur ka qenë kryetar Bashkie, Agron Kapllanaj ka ngritur skemën e tij të “5D”, ku me firmë të tij i ka dhënë miliona euro tendera kompanisë së vjehrrit të vëllait. Siç do të rezultojë edhe nga dokumentet zyrtare, fondet e Bashkisë Mallakastër me firmë të Agron Kapllanajt shkonin sërish në xhepat e tij dhe të rrethit familjar.
Në korrik të vitit 2013 themelohet kompania “Grand Konstruksion M”, me ortak të vetëm Tetem Dajlanaj – vjehrri i Kastriot Kapllanajt. Kastriot Kapllanaj është vëllai i Agron Kapllanajt, ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, personazhi kryesor i këtij investigimi. Që në fillesat e saj, kompania ka lidhje të dukshme me subjektin tjetër “Shkëlqimi 07”. Të dyja kompanitë ndajnë të njëjtën ekonomiste, zonjën Stoli Laze, një element që ngre pikëpyetje për menaxhimin financiar të aktiviteteve të tyre. Por lidhjet nuk mbarojnë këtu. Në bilancin e vitit 2013, del në pah një fakt që hedh dyshime të forta mbi ligjshmërinë e veprimtarisë së “Grand Konstruksion M”.
Dokumenti financiar ka si kokë zyrtare kompaninë “Shkëlqimi 07”, ndërkohë që firma dhe vula e vendosur në fund të bilancit i përkasin “Grand Konstruksion M”. Një parregullsi që sugjeron konfuzion të qëllimshëm ose konfirmim të bashkëveprimit të këtyre kompanieve, apo ndarje burimesh dhe financimesh. Bilanci për vitin 2013 tregon se kompania “Grand Konstruksion M” ka realizuar rreth 700 mijë dollarë amerikanë në të ardhura, të gjitha të ardhura nga shërbimi “Investime Publike”, pra vetëm nga institucione shtetërore. Në shkurt të vitit 2015, Tetem Dajlanaj largohet nga pozicioni i administratorit për arsye shëndetësore. Në vend të tij emërohet Petref Saliaj, i cili në vitin 2021 rezulton punonjës i kompanisë “Shkëlqimi 07”. Ky fakt tregon një tjetër rotacion brenda së njëjtit grupim individësh dhe interesash. Faturimet e kompanisë njohin një rritje të ndjeshme në vitin 2014, duke kapur vlerën e 1.6 milionë dollarëve amerikanë. Në vitin 2016, faturimi është 950 mijë dollarë. Por kulmi arrihet në vitin 2017, ku kompania shënon një ‘boom’ financiar me një faturim prej 3.1 milionë dollarësh amerikanë. Një tjetër hallkë e rëndësishme në këtë rrjet është shtetasi Flamur Zaimi. Ai punon njëkohësisht si Drejtor Finance pranë Ujësjellës Kanalizime Fier dhe si financier pranë kompanisë “Shkëlqimi 07”. Për më tepër, ai ka firmosur edhe bilancet e kompanisë “Grand Konstruksion M”. Konflikti i interesit bëhet edhe më i dukshëm kur mësojmë se dy fëmijët e Flamur Zaimit janë të punësuar pranë kompanisë “Grand Konstruksion M”.
Ky rrjet lidhjesh familjare, profesionale dhe institucionale përbën një shembull konkret të mënyrës se si përmes njerëzve të afërt dhe funksioneve të shumëfishta, krijohet një sistem i mbyllur që përfiton në mënyrë abuzive nga fondet publike, skemë që tashmë janë pagëzuar me emrat “5D” apo “5B. Vitet në vijim tregojnë një ecuri edhe më të qartë të përfitimeve të kompanisë “Grand Konstruksion M” nga fondet publike, duke thelluar dyshimet për favorizim të strukturuar dhe klientelizëm institucional. Në vitin 2017, kompania shënon një rritje të konsiderueshme në faturim, duke realizuar 307 milionë lekë. Ky trend vijon edhe në vitin 2018 me 314 milionë lekë, ndërsa në vitin 2019, ndonëse ka një rënie, faturimi mbetet i lartë – 217 milionë lekë. Viti 2020 shënon një rënie të ndjeshme në të ardhura – vetëm 85 milionë lekë – çka përkon me periudhën e pandemisë dhe kufizimeve ekonomike. Megjithatë, kompania rikuperon menjëherë në vitin 2021 me 203 milionë lekë, për të vazhduar me 323 milionë lekë në vitin 2022 dhe një tjetër boom financiar në vitin 2023 me 532 milionë lekë në faturim, vit ky që korespodnon me vit elektoral. Pra e thënë më thjeshtë, ndërsa Agron Kapllanaj sillej në politikë si opozitar, kompanitë e familjarëve të tij, rezultojnë të preferuarat e qeverisë.
Sipas të dhënave të siguruara nga Dega e Thesarit, në periudhën 2019–2025, kompania ka përfituar 900 milionë lekë ose 9 milionë euro vetëm nga institucionet buxhetore.
Në një klimë ku qindra biznese të ndershme përballen me vështirësi ekonomike, “Grand Konstruksion M” duket se ka qenë një nga përfituesit sistematikë të buxhetit të shtetit – një skemë e ndërtuar mbi lidhje politike-personale- e klienteliste. Kjo skemë kërkon një hetim të thelluar, për të kuptuar jo vetëm mënyrën e përfitimeve, por edhe dëmin që i është shkaktuar fondeve publike ndër vite.
TABELE
Faturimi i kompanisë:
2017 307.123.279 lekë
2018 314.000.000 lekë
2019 217.000.000 lekë
2020 85.000.000 lekë
2021 203.000.000 lekë
2022 323.000.000 lekë
2023 532.000.000 lekë
Në vitin 2023, “Grand Konstruksion M” zgjeron veprimtarinë duke regjistruar një adresë të re dytësore në zonën minerare të Bashkisë Mallakastër, konkretisht në: Ballsh, Zona Minerare Nr.421/4, objekti “Përroi Thatë Vorba”, Njësia administrative Kutë, Qarku Fier. Sipas dokumentacionit zyrtar të paraqitur në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), kjo leje është dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e drejtuar nga Belinda Balluku, çka ngre sërish dyshime për favorizime politike dhe qasje të privilegjuar në sektorin minerar. Kujtojmë që Belinda balluku sot ka zbarkuar me të gjithë drejtorët e saj të akuzuar për afera të rënda, pikërisht në qarkun e Fierit, ku edhe Agron Kapllanaj ka bazën e aktivitetit të tij politik.
Nëse do ti hedhim një sy strukturës së kësaj kompanie, frocohet edhe më shumë dyshimi për lidhjet mes saj, Agron Kapllanajt, familjarëve të tij si dhe kompanisë tjetër të të vëllait “Shkëlqimi 07”. Në strukturën e brendshme të kompanisë, hasim një listë individësh që mbajnë funksione të shumëfishta – si në sektorin publik, ashtu edhe në kompani private të lidhura me tendera publikë, dhe më një të përbashkët mes tyre, lidhja familjare.
Shkëlqim Murati: i punësuar si inxhinier pranë Ujësjellësit Fier (UKF), por gjithashtu i angazhuar edhe në “Grand Konstruksion M”. Drita Hoxha: inxhiniere në “Grand”, por edhe pjesë e kompanisë HTM, që del në skema të tjera me fonde publike. Tonin Xhelaj: mjek pranë kompanisë “Grand”, administrator rajonal në Bashkinë Fier, dhe mjek pranë NG STRUCTURE – një kompani që ka marrë shumë tendera në Bashkinë Tepelenë dhe që bën pjesë në të ashtuquajturën skemë e kompanive “BIG”. Perikli Gogo: inxhinier që shfaqet në disa kompani – “Den Led”, “Murati” dhe “Grand”, duke përforcuar tezën e një rrjeti të përbashkët tekniko-administrativ. Ledjan Kapllanaj: djali i Shkëlqim Kapllanajt, shfaqet si konsulent për “Grand Konstruksion M” dhe “Shkëlqimi 07”. Ky konfigurim i personave të njëjtë që lëvizin brenda të njëjtit rrjet kompanish, institucione publike dhe procese tenderimi nuk është rastësi. Ai përbën një strukturë të qëndrueshme dhe të mirëkoordinuar për thithjen e fondeve publike nga të njëjtët personazhe.
Në periudhën 2015-2019, gjatë kohës që Agron Kapllanaj udhëhoqi Bashkinë Mallakastër, një mori tenderash të dyshimtë u shpallën dhe u fituan nga kompani të lidhura me të, si dhe me familjarë të tij, duke formuar një skemë të thellë dhe të organizuar për përfitime të paligjshme nga fondet publike. Identike si në Bashkinë e Tiranës, me skemën “5D”, Kompania Grand Konstruksion M, e lidhur ngushtë me Kastriot Kapllanaj dhe Tetem Dajlanaj (vjerri i Agron Kapllanajt), fitoi një sërë tenderash nga Bashkia Mallakastër dhe Ujësjellës Kanalizime Mallakastër. Disa nga këto tendera janë:
• 2015 – Tender për rikonstruksion rrugësh, vlera 17.000.000 lekë
• 2016 – Blerje kamioncine, vlera 2.900.000 lekë
• 2016 – Blerje kamioni mbetjes, vlera 2.900.000 lekë
• 2017 – Blerje autoboot uji, vlera 2.500.000 lekë
• 2017 – Blerje pastrues rrugësh, vlera 1.200.000 lekë
• 2017 – Blerje traktori, vlera 1.666.000 lekë
• 2017 – Blerje kamioncine, vlera 1.800.000 lekë
• 2017 – Blerje fuoristradë, vlera 1.400.000 lekë
• 2017 – Blerje dy automjete, vlera 2.500.000 lekë
• 2017 – Tender për rikualifikim urban, vlera 77.800.000 lekë (në bashkëpunim me kompaninë 2T), firmosur nga Agron Kapllanaj
• 2018 – Tender për rikonstruksion rrugësh, vlera 52.000.000 lekë
• 2018 – Tender për ndërtimin e ujësjellësit në Mallakastër, vlera 83.000.000 lekë
• Nëntor 2018 – Tender për Ujësjellës Kanalizime Mallakastër, vlera 12.900.000 lekë
• 2019 – Tender për ndërtimin e 3 urave, vlera 4.500.000 lekë
Maj 2019 – Tender për blerje kamioni, vlera 19.000.000 lekë
Të gjitha këto tendera, që kapin vlerën 283 milionë lekë apo apo afro 3 milionë euro janë firmosur nga Agron Kapllanaj e vartësi e tij dhe janë përfituar nga kompanitë që lidhen drejtpërdrejt me Kapllanajt dhe Dajlanaj. Procedurat e tenderëve, shpallja e fituesve dhe mënyra e shpërndarjes së fondeve janë shumë të dyshimta dhe nuk ofrojnë një pasqyrë të qartë të konkurrencës së ndershme.
Në këtë skemë, tenderët e fituar nga Grand Konstruksion M dhe Shkëlqimi 07 janë një provë e qartë e përfshirjes së një grupi të organizuar që përdor pozitat publike për të pasuruar veten dhe të afërmit, duke shpërdoruar fonde të taksapaguesve dhe duke e minuar integritetin e institucioneve publike. Por nuk mbaron me kaq, kompanitë në fjalë, veç fondeve me firmë të Agron Kapllanajt, kanë përfituar në këto vite miliona euro fonde edhe nga bashki të tjera, përgjithësishtë të drejtuara nga socialistët. Dokumentet zyrtare dhe të dhënat e tenderimeve tregojnë se kompania Grand Konstruksion M, në bashkëpunim të ngushtë me Shkëlqimi 07 dhe disa subjekte të tjera si FLED, DESARET dhe BESTA, kanë përfituar afro 13 milionë euro tendera nga këto bashki.
Në Bashkinë Roskovec, Grand ka përfituar disa tendera të njëpasnjëshëm për rikonstruksion rrugësh:
• Mars 2019 – Rikonstruksion rruge, vlera 8.400.000 lekë
• Viti 2017 – Rikonstruksion rruge, vlera 12.900.000 lekë
• Viti 2018 – Rikonstruksion rrugësh, vlera 13.000.000 lekë
Po ashtu, kompania është paguar nga Ujësjellës Kanalizime Tepelenë në vitin 2016 për mirëmbajtjen e ujësjellësit të fshatit Bënçë, në një vlerë prej 21.000.000 lekësh, një tjetër institucion ku kanë ndikuar lidhjet politike dhe personale. Ndërkohë, një ndër tenderat më të mëdhenj është regjistruar në Bashkinë Kavajë, ku në vitin 2022 Grand ka qenë pjesë e një bashkëpunimi fitues për projektin “Rikualifikimi i banesave DS4”, me një vlerë marramendëse prej 529.000.000 lekësh.
Po në këtë bashki, në kuadër të Programit të Rindërtimit, kompania ka ndërtuar një stacion zjarrfikës në vitin 2021 me një fond prej 78.000.000 lekësh. Në Ujësjellës Kanalizime Sarandë, në vitin 2024, Grand në bashkëpunim me Shkëlqimi 07 fitoi një tender për ndërtimin e rrjetit shpërndarës në Delvinë, me një vlerë 117.500.000 lekë. Në Bashkinë Tiranë, Grand është pjesë e një tjetër konsorciumi të dyshimtë bashkë me Shkëlqimi 07 dhe FLED, që fitoi një tender për rindërtim në zonën e “5 Majit” në vitin 2020, me një fond total prej 321.000.000 lekësh. Në Bashkinë Fier, kompania ka marrë dy tendera të tjerë në vitin 2021:
• Rikonstruksion rrugësh – 11.000.000 lekë
• Rikonstruksion rrugës Seman – 8.000.000 lekë
Për më tepër, kompania ka përfituar edhe nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ku në vitin 2020 fitoi një tender për rikonstruksionin e rrugës Çamëria, në vlerën e 179.000.000 lekësh, si dhe disa tendera të tjerë të ngjashëm që po analizohen aktualisht.
Pra jo vetëm “5D” e “5B” tëpushtetit, por “5K-të” duket se kanë funksionuar edhe në emër të opozitës. 67 milionë euro nga zyrtarët socialistë dhe 3 milionë euro u nxorën nga xhepi i fondeve publike dhe kaluan te xhepi personal. Tashmë i mbetet SPAK për të zbardhur këtë skemë korruptive, nëse rrahja e agjentëve të tyre nuk do të shërbejë si frika për të mos u afruar më në aksin Fier-Patos-Mallakastër./ Emisioni PLUG