Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i regjistruar mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku mbetën të plagosur 4 të rinj, ku dy prej tyre janë të mitur.
Mësohet se të plagosur kanë mbetur Marko Bardhi Demiraj, 17 vjeç dhe Dior Demiraj, 11 vjeç (dy të miturit janë nipi dhe djali i Vesel Demirajt, pronari i kompanisë “Pelikani Security”). Po ashtu i plagosur ka mbetur dhe 34-vjeçari Arenc Stafa, i cili është shoferi i familjes Demiraj. I plagosuri i katërt është Kian Mullahi, 19 vjeç, djali i Elona Mullahit, anëtare e bordit të korporatave në “Raiffeisen Bank”.
Katër të rinjtë po udhëtonin për në shtëpi me një automjet tip “G-Class” rreth orës 21:30 të mbrëmjes së të enjtes, pasi gjatë pasdites kishin shkuar në Pjezë të Shijakut për të festuar te pista ku bëhen gara argëtuese te “Arena Karting Albania” sepse 11-vjeçari Dior Demiraj kishte ditëlindjen.
Dy kushërinjtë Demiraj kishin marrë dhe shokun e tyre Kian Mullahi, i cili studion në Londër dhe sapo ishte kthyer në vendin tonë një ditë para ngjarjes për Pashkën. Tre të rinjtë janë shokë me njëri-tjetrin pasi janë edhe komshinj prej kohësh në “Rolling Hills” në Lundër dhe në Pjezë i ka çuar shoferi i familjes Demiraj.
Gjatë kthimit për në shtëpi, ata janë futur në Unazë për të dalë në Lundër dhe kur kanë kaluar rrethrrotullimin e Shkozës për të vijuar në autostradë, në këto momente një automjet tjetër tip fuoristradë i ka zënë në pritë dhe i është afruar në lëvizje dhe ka nisur të qëllojnë me me breshëri kallashnikovi në drejtim të tyre deri te “AgroPark”.
Shoferi i “G Class-it” Arenc Stafa është munduar t’i shmanget të shtënave aq sa ka mundur dhe ka arritur të çojë makinën deri në Lundër. Gjatë tentativës për t’u larguar automjeti është përplasur në vendin ku u gjet makinë mbrëmë.
Të rinjtë janë gjetur të plagosur brenda mjetit nga persona të tjerë që më pas i kanë dërguar në spital. Familjarët e të plagosurve nuk kanë qenë në dijeni dhe janë lajmëruar nga policia rreth 1 orë pas ngjarjes.
Në gjendje më të rëndë shëndetësore kanë qenë dy të miturit, të cilët janë dërguar fillimisht tek spitali i Traumës. Më pas, me kërkesë të familjarëve 17-vjeçari është dërguar në një spital privat, pasi parametrat jetësor janë stabël, por vijon të jetë në gjendje serioze për jetën.
Autorët e atentatit dyshohet se lëviznin me një automjet tip fuoristradë, ky dyshohet se brenda kanë qenë tre persona, të cilët pas atentatit janë larguar në drejtim të paditur. Dy prej tyre dyshohet se kanë qenë në rolin e qitësit, ndërsa një tjetër drejtuesi i automjetit. Dyshohet se se ata kanë qëlluar me rreth 30 plumba nga gëzhojat e gjetura në vendin e ngjarjes.
Deri më tani Policia e Tiranës nuk raporton që mund të jetë djegur mjeti i autorëve, siç ndodh me skemat tipike të atentateve. Disa persona janë marrë në pyetje nga grupi hetimor, kryesisht dëshmitarë të vendit të ngjarjes, ndërsa në pyetje pritet të merren edhe familjarët e të plagosurve.