Nga Boldnews.al
Në 15 Qershor 2022, Policia e Durrësit dhe Dogana e Portit, zbuluan një ngarkesë prej 45 kilogramë lëndë narktotike, e cila ishte paketuar në një ngarkesë mishi që vinte nga Brazili, për llogari të kompanisë me seli në Kosovë, “Apetit Group”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë agjenti doganor, Egert Vargu dhe administrator i “Apetit Group Dooel Skopie’’, Arben Ferizi. Media kosovare raportoi në atë kohë se Ferizi është djali i një prej aksionerëve kryesorë të “Apetit Group”, Remzi Ferizi.
Kompania “Apetit Group” eksporton mish për disa subjekte në Shqipëri, nën dyshimet se ndryshon origjinën e produktit, duke e shënuar si “mish Kosove”, ndërkohë që besohet se është “mish Brazili”.

Shqipëria dhe Kosova kanë Marrëveshje “tax free” me njëra-tjetrën, që do të thotë se produktet e prodhuara në dy vendet përjashtohen nga taksat doganore.
Ndryshimi i vendit të origjinës është një mekanizëm për të shmangur taksat doganore.
Çfarë fsheh Gazheli?
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, e drejtuar nga Gent Gazheli, në një komunikim zyrtar me “Boldnews.al”, u fsheh pas konfidencialitetit, duke mos vënë në dispozicion listën e kompanive që importojnë mish nga kompania kosovare nga kompania kosovare, “Apetit Group”.
Megjithatë, “Boldnews.al” ka siguruar dokumentin zyrtar me 12 kompani shqiptare, të cilat, të paktën për vitin 2023, kanë importuar nga “Apetit Group” rreth 600 ton mish.

Për një koincidencë thuajse perfekte, subjekti shqiptar që ka importuar më shumë mish viçi nga “Apetit Group” është një shoqëri që importon fruta ekzotike nga Amerika Latine dhe që në kontenierët e së cilës janë zbuluar ngarkesa kokaine në disa episode, gjatë periudhës 2022-2024.
Gjithashtu, Gazheli dhe stafi i tij, refuzuan kërkesën e “Boldnews.al” për informacion nëse kishte verifikuar ose jo origjinën e mishit që importohet nga “Apetit Group” në Shqipëri.
Në përgjigjen zyrtare, administrata doganore e hoqi përgjegjësinë nga vetja, duke orientuar redaksinë që informacioni të kërkohej pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU).
“Bazuar në legjislacionin kombëtar: Import/eksport” është hyrja dhe/ose dalja fizike e ngarkesave, që i nënshtrohen kontrollit veterinar në territorin e Republikës së Shqipërisë, përmes pikave të miratuara të inspektimit kufitar. Importi, eksporti dhe transiti i dërgesave me kafshë të gjalla, produkteve mjekësore veterinare, produkteve embrionale të kafshëve, produkteve me origjinë shtazore,etj lejohen vetëm në pikat e inspektimit kufitar (PIK) dhe i nënshtrohen kontrollit veterinar nga inspektorët veterinarë të kufirit”, deklaron Drejtoria e Doganave për “Boldnews.al”.

Në vijim të komunikimit zyrtar, Drejtoria e Doganave informoi se “Pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, pas referimit të bërë nga ana e strurturave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, është regjistruar procedimi penal 244/2024”.
Megjithëse ka kryer vetë kallëzimi, Gazheli dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave nuk dhanë asnjë detaj mbi veprën penale të referuar apo subjektet e kallëzuar. “Ju duhet t’i drejtoheni institucioneve te tjera ligjzbatuese”, deklaron institucioni.
Por, ndërkohë që Dogana refuzon të deklarojnë publikisht nëse ka kryer verifikime për vendin e origjinës së mishit të importuar nga “Apetit Group” drejt kompanive shqiptare, “Boldnews.al” ka siguruar informacione konfidenciale nga brenda administratës doganore që tregojnë se, në të paktën dy raste, ky kontroll është kryer.
Redaksia ka mësuar se Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka kërkuar informacion për “Çertifikatën Eur.1” për importuesit e mishit nga “Apetit Group”, konkretisht një subjekt me seli në Korçë dhe një “person fizik” në Durrës.
“Certifikata e origjinës EUR.1” është një dokument që vërteton origjinën preferenciale të mallrave me origjinë nga një palë kontraktuese si: vendet e BE-së, vendet CEFTA, vendet EFTA, Turqia, Mbretëria e Bashkuar që importohen në Shqipëri, apo eksportohen nga Shqipëria drejt këtyre vendeve me qëllim përfitimin e trajtimit preferencial
Në të dy rastet e verifikuar, administrata doganore ka konstatuar probleme në “Çertifikatën Eur. 1”, pra me origjinën e produktit mish, të importuar nga “Apetit Group”, duke vendosur edhe penalitetet përkatëse.
Ky zhvillim dëshmon se Administrata Doganore, përtej faktit që e mohon zyrtarisht kryerjen e verifikimeve për origjinën e mishit të importuar në Shqipëri nga “Apetit Group”, ka zhvilluar kontrole dhe ka penalizuar dy subjekte.
Por, nga ana tjetër, të dhënat e siguruara nga redaksia, tregojnë se Doganat e Gazhelit kanë kryer kontroll vetëm në dy nga 12 subjekte që kanë importuar “mish Kosove” nga “Apetit Group”.
Në listën e “përjashtuar” nga kontrolli i Gazhelit janë edhe disa kompani të mëdha shqiptare, përfshirë ajo, në kontenierët e të cilës janë gjetur herë pas here ngarkesa me kokainë.
Kokaina në kontenierët e “Apetit Group”
Drejtoria e Policisë Durrës, më datë 15 qershor 2022, në bashkëpunim me Doganën e Portit Durrës, ka ushtruar kontroll në kontenjerin nr. MNBU3148274, i cili gjendej tek sheshi i kontenjerëve, në Portin Detar.
Konteineri ishte me ngjyrë të bardhë, i ngarkuar me mish pule për llogari të subjektit kompania “Apetit Group Dooel Skopie’’. Gjatë kontrollit, në pjesën e pasme të tij, në hapësirën e brendshme, ndërmjet dy kapakëve të ventilimit dhe hapësirës së motorrëve, u konstatuan dhe u sekuestruan lëndë e dyshuar si narkotike.
Konkretisht u gjetën 40 pako të mbështjella me celefon transparent në formë paralelopipedi, ku nga këto pako 21 (njëzet e një) prej tyre janë të mbështjellura me telefon transparent, brenda në qënder ka logon “Goku’’, me ngjyrë të verdhë dhe me fushë të kuqe, ndërsa pjesa tjetër me ngjyrë të zezë.

Ndërsa, 16 prej pakove të tjera janë të mbështjella me celefon transparent, në qëndër ka logo me mbishkrimin “Goku’’, me ngjyrë të verdhë dhe fushë blu, pjesa tjetër ngjyrë e zezë, si dhe tre prej pakove janë të mbështjella me natriban ngjyrë kafe, pa mbishkrim.
Pesha totale e 40 (dyzet) paketimeve të sekuestruara rezultoi 45 kg e 500 g me gjithë ambalazh.
Në deklarimet si person nen hetim Egert Vargu ka deklaruar se ai punon si agjent doganor. Ai ka marrëveshje për përfaqësim me kompaninë “Apetit Group Dooel Skopie’’ dhe kryen vetëm veprimet doganore për kontenieret që vijnë në portin e Durrësit. Ai deklaroi se nuk ka dijeni dhe nuk është i përfshirënë trafikimin e lëndëve narkotike.
Në deklarimet si person nen hetim Arben Ferizi ka deklaruar se është me detyrë administrator në kompaninë “Apetit Group Dooel Skopie’’, si dhe nuk ka dijeni për lëndën narkotike të gjetur në kontenier.

Ai u shpreh që bën porosi të mallrave kryesisht të mishit të pulës me shtetet Brazil, Kanada, Amerikë, Angli. Porositë i kryen online dhe me transportin merret kompania furnizuese e mishit.
Nga ana e punonjësve të policisë është kryer arrestimi në flagrancë për shtetasit Egert Vargu dhe Arben Ferizi. Shtetasi Vargu është arrestuar që në momentin e kontrollit të kontejnerit kur u gjet lënda e dyshuar si narkotike.
Kurse shtetasi nga Kosova, Ferizi, është kërkuar nga policia që të paraqitej menjëherë pasi u gjet lënda e dyshuar si narkotike, në kontejnerin i cili kishte për destinacion kompaninë “Apetit Group Dooel Skopie’’. Pas paraqitjes në polici, është bërë arrestimi i këtij shtetasi.