Nga Lutfi Dervishi
Zgjedhjet e 11 majit kanë hyrë zyrtarisht në fazën e kimisë dhe aritmetikës alternative!
Sepse kur secila nga 8 partitë dhe 3 koalicionet kërkon minimumin e maksimumit, nuk ka rëndësi sa vende ka Parlamenti, rëndësi ka sa besim ke tek forcat e tua!
Sipas përllogaritjeve më të fundit nga IMP (Instituti i Matematikës Politike), aritmetika zgjedhore e vitit 2025 ka këtë panoramë:
Partia Socialiste ka vendosur të fitojë, por jo fitore sido kudo. PS SYNON “fitore historike” dhe kur thonë historike, e kanë fjalën për minimumi 78 deputetë. Minimumi! Sepse përndryshe, jazëk pasaporta e BE.
Koalicioni Shqipëria Madhështore, që madhështore ka edhe figurat drejtuese, pretendon që do të fitojë, me minimumi 74 deputetë.
Llogaritja është e thjeshtë: 78 + 74 = …, dalin 12 deputetë tepër, por…!
Nisma – Shqipëria Bëhet kërkon (minimumi) 7 deputetë, për të qenë vendimtare në çdo qeveri të ardhshme. Po aq kërkon edhe Partia MUNDËSIA.
Po aq edhe Socialdemokratët. Po aq edhe Lëvizja Djathtas 1912. Shtata duket numër magjik. Numri që garanton grup parlamentar.
Koalicioni Euroatlantik, pavarësisht tensionit Europë – SHBA, kërkon 10 deputetë, ndërkohë që Lëvizja Atdheu kërkon gjithashtu të befasojë me 10 deputetë.
Lëvizja Bashkë (ndryshe nga të tjerët) kërkon të marrë “vetëm” 5 deputetë. Modestia ka mbetur gjallë, por është në prag të shpalljes minorancë kombëtare.
Aleanca Kombëtare dhe Aleanca Demokracia e Re kërkojnë nga 12 deputetë secila, (një per çdo qark) që t’i kenë për të qenë zë vendimtar në Kuvend.
Në total, ky “minimum” i përbashkët… del 242 deputetë. Problemi i vetëm, një detaj i vogël, një teknikalitet, është se Kuvendi ka vetëm 140 vende. Por kjo është ana formale e çështjes. Kur ke vullnet politik, mund të kesh edhe 242 vende në 140 karrige. E shumta… do ndajnë një karrige për dy. Në fund të fundit, demokracia është bashkëjetesë.
Për të zgjidhur situatën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet të propozojë ndryshime emergjente në Kodin Zgjedhor që të lejojë:
1. Deputetë me orar, rotacion çdo 4 orë.
2. Deputetë virtualë, për t’i kursyer kolltukët.
3. Deputetë përfaqësues të ëndrrave dhe dëshirave, jo të votave. Dhe po të kihet parasysh sa ëndrra kemi, numri përfaqësues i tyre del shumë i lartë.
Kështu, për të realizuar ëndrrën pluraliste të Shqipërisë, na duhet: Një Parlament me dy kate (njëri për dëshirat, tjetri për realitetin).
Në përfundim: ne, nuk kemi krizë mandatesh, kemi krizë realiteti.
Siç thotë një deputet i listës së hapur : “Nëse votat s’na dalin, kemi sondazhet tona.”
Deri në 11 Maj çdo subjekt është fitues i zgjedhjeve. E humbur është vetëm aritmetika dhe logjika.