Kredia për shtëpi u rrit për të pestin vit radhazi në 2024. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 54.9 miliardë lekësh ose rreth 545 milionë eurosh, të llogaritura me kursin mesatar të vitit të kaluar. Kredia e re për banesa u rrit me 13% krahasuar me vitin 2023.
Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2024 arriti në pothuajse 208.7 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 15.5%. Ritmet e rritjes të portofolit të kredisë janë rritur ndjeshëm krahasuar me nivelin prej 6.3% të vitit të mëparshëm.
Normat e ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi në dy vitet e fundit të dominohen nga monedha vendase. Kjo tendencë u thelluar edhe më shumë në 2024. Kredia e re për shtëpi në lekë vitin e kaluar arriti në 40.9 miliardë lekë, në rritje me 35% krahasuar me një vit më parë. Kredia në monedhën vendase përbënte më shumë se 74% të vlerës së re të disbursuar në kredi për shtëpi.
Kredia në euro pësoi një rënie të mëtejshme në 14 miliardë lekë, 24% më pak krahasuar me një vit më parë. Pjesërisht, rënia e kredisë në euro është ndikuar edhe nga efekti negativ i kursit të të këmbimit dhe vazhdimi i mbiçmimit të lekut.
Të dhënat tregojnë se kredia për shtëpi ka shënuar një rritje të fortë në vitet pas pandemisë. Në periudhën kohore 2021-2024, sektori bankar ka dhënë më shumë se 189 miliardë lekë kredi të reja për blerjen e banesave nga familjet shqiptare. Kjo shumë është dy herë më e lartë krahasuar me katërvjeçarin e mëparshëm, 2017-2020.
Rritja e mbështetjes me sektori bankar me kredi duket se është një faktor që ka patur një peshë të konsiderueshme në kërkesën për pasuri të paluajtshme dhe në rritjen e çmimit të pronave pas pandemisë.
Normat e ulëta të interesit e kanë bërë kredinë për shtëpi tërheqëse për huamarrësit, ndërsa paralelisht cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka rritur edhe kërkesën për kredi për shtëpi nga familjet, duke shtuar perceptimin se blerja e një prone është një investim i mirë për të ardhmen.
Nga ana tjetër, rritja e çmimeve ka ndikuar në vlera më të mëdha të kredive të marra nga individët për të blerë banesa, duke kontribuar ndjeshëm edhe në rritjen e volumeve të përgjithshme të këtij produkti.
Megjithatë, rritja e shpejtë e kredisë për pasuri të paluajtshme për individët dhe bizneset ka krijuar shqetësim te Banka e Shqipërisë. Vitin e kaluar, Banka Qendrore aplikoi për herë të parë një shtesë kundërciklike të raportin e mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar, që ka si qëllim ngadalësimin e rritjes së kredisë për ekonominë./ Monitor