Nga Ilir Kalemaj
Qartazi bota ka hyrë në një epokë të re ku balanca e fuqisë përcaktohet nga interesi kombëtar i superfuqive dhe fuqive të tjera të mëdha rajonale, të cilat po ndajnë me shpejtësi sferat e influencës. Deklaratat elektorale të presidentit amerikan Trump që tashmë po ravijëzohen si politika shtetërore qartazi tregojnë për një konfiguracion të tillë i cili dikton dhe lojëra rregulle të tjera. Nga njëra anë këto rregulla duken të reja krahasuar me rendin e pas luftës së ftohtë ku SHBA ja doli që të paktën për një dekadë të ishte e vetmja superfuqi, por po aq edhe klasike, pasi balanca e fuqive në rende dypolarë apo shumëpolarë është sistemi mbizotërues në marrëdhëniet ndër-shtetërore, hiq periudhat kur një perandori e caktuar ka mbretëruar si hegjemon.
Nga retorika e Shtëpisë së Bardhë sot deri te dekretet presidenciale (ky rreth 200 syresh u firmosën pa bërë 24 orë nga marrja e detyrës), kemi disa akte që demonstrojnë këtë kurs të ri të vendosur. Disa prej këtyre akteve janë për shembull materializimi i përdorimit të tarifave si një mjet për të ri-imponuar hegjemonitetin amerikan në Amerikën e Veriut dhe atë të Jugut (ndonëse të pezulluar me afat 1-mujor përkohësisht), politika të forta proteksioniste ndaj Kinës (ku rritja e paralajmëruar e tarifave hyri sakaq në fuqi), kushtëzimi i ndihmës së mëtejshme të Ukrainës me ‘kolateralin’ e ‘tokave të rralla’, pra mbi të drejtën e shfrytëzimit të mineraleve të rralla aq të rëndësishme për industrinë e mikroçipave dhe të inteligjencës artificiale apo presioni në rritje mbi Bashkimin Evropian (që përfshin nga koncesioni i Groenlandës te rritja e shpenzimeve për mbrojtjen dhe sigurinë). Në kuadër të politikës së jashtme një premtim tjetër i materializuar është dhënia fund financimeve për agjendën WOKE dhe përdorimit të USAID si një agjenci në funksion të agjendave politike që tentonin të godisnin kundërshtarë ideologjikë (të djathtë) në vende të ndryshme, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Natyrisht kjo ka filluar të japë frytet e saj dhe çlirimi nga ndikimi politik i institucioneve, përfshirë ato të drejtësisë, duke mbajtur njëkohësisht fokusin te dhënia fund e pandëshkueshmërisë, është një lajm i mirë për qytetarët.
Në mënyrë të përmbledhur duket qartazi se administrata Trump synon dy drejtime kryesore në politikën e saj të jashtme. E para të kufizojë dhe mundësisht eliminojë ndikimet e axhendave okulte që synonin goditjen e kundërshtarëve politikë në vende të ndryshme, duke përforcuar kësisoj axhendën konservatore në vendet partnere (e cila po jep sakaq frytet nga Gjermania në Kanada) dhe së dyti, t’i kundërvihet me realizëm fuqive revizioniste si Kina, Rusia, Irani etj, duke rikrijuar ekuilibra të rinj fuqie dhe duke ndarë respektivisht sferat përkatëse të influencës. Natyrisht kjo ndarje ndikon edhe në aleancat historike si ato në Amerikën e Veriut dhe Bashkimin Evropian të cilët duhet të ripozicionohen në raport me një SHBA me fizionomi të ndryshme nga ajo që janë mësuar deri tani. Një tigër në inovacion dhe teknologji që vendet e një Bashkimi Evropian ende pa një politikë të unifikuar të jashtme dhe të sigurisë dhe me probleme makrostrukturore nga deficitet te migrimi dhe kriza e azilit ju duhet të përballojnë.
Nga ana tjetër, vendet themeluese të BRIKS-ut (Brazil, Rusi, Indi, Kinë dhe Afrikë e Jugut) bashkë me të tjerat që janë shtuar ndër vite, kanë mbi një dekadë që kanë rikonfiguruar botën unipolare pas luftës së ftohtë, duke i dhënë një ngjyrim revizionist që ka prodhuar njëkohësisht dhe kundër-reagimin amerikan. Së fundmi, një rol përherë dhe më aktiv po luan edhe Turqia, sidomos në Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen e Mesme, ndërsa Bashkimi Evropian flet si një aktor unik politik vetëm në çështje kryesisht të aspektit normativ. Madje, bash për këtë Evropa shpesh është etiketuar si ‘Venusi’ e cila shpërhap dhe promovon vlera nëpërmjet ‘fuqisë së butë’ në ndërhyrjet e saj në vendet e treta krahasuar për shembull me fuqinë bruto ushtarake amerikane, ruse apo kineze.
Analistë të ndryshëm të zhvillimeve ndërkombëtare nuk kanë një konsensus rreth trendeve globale, matjes së fuqisë specifike të shteteve apo aleancave të ndryshme, të cilat disa i etiketojnë si më të mundshme rreth civilizimeve, apo rreth një binomi të ri dypolar Kinë-Amerikë apo rreth partnerëve tradicionalë BE-SHBA nga njëra anë dhe Rusi-Kinë nga ana tjetër. Të tjerë ndahen në diskutimin nëse fuqi të tilla si Brazili, India, Turqia, Izraeli, Japonia e me radhë janë shtete me një ndikim në rritje në sferën globale apo thjesht fuqi rajonale me qendra të kufizuara interesi.
Kalimi nga sistemi global bipolar i luftës së ftohtë në atë unipolar amerikan në vitet 90-të me status thuajse hegjemoni, një kombinim i ‘fuqisë së fortë’ me atë të ‘butë’ të ndihmuar nga filozofia neo-liberale, e përfundoi ciklin e saj me kalimin në një botë më ‘laramane’ me fuqi aspirante të dorës së parë, si Kina apo Rusia dhe disa të tjera me ambicie gjithnjë e më globale pas sigurimit të hegjemonisë rajonale. Natyrshëm ky ridimensionim prek thuajse gjithë shtetet rreth e rrotull, pavarësisht madhësisë apo pozicionit specifik gjeografik, ku dhe rajoni ynë bën pjesë. Paqartësia e së ardhmes politike së BE-së, por edhe krizat e shumëfishta kanë çuar drejt nevojës për një konfigurim të ri të panoramës së mjegullt aktuale, natyrshëm të bëjnë të mendosh efektet dhe pasojat që një botë e diversifikuar me disa qendra fuqie dhe ku globalja ndërthuret epshëm me fuqitë rajonale.
Në këtë mozaik dhe mbivendosje forcash dhe pushtetesh, është detyrë parësore e cilido shtet që të ketë një strategji të qartë afatgjatë për mbrojtjen e interesit kombëtar, e parë jo nga pikëpamja e ngushtë nacionaliste por nga ajo e mbrojtjes të së drejtës për ekzistencë, e mirëqenies dhe zhvillimit. Disa nga kushtet kryesorë dhe imediatë që duhen mbajtur parasysh janë aleancat fluide në politikën e jashtme (nuk ka miq të përjetshëm por interesa të përjetshme), klasë politike e unifikuar kur vjen puna për interesa kombëtarë (sikundër fqinjët tanë) dhe zhvillimi i strategjive ekonomike që sigurojnë zhvillim të qëndrueshëm. Vetëm kështu mund të kthehemi në një aktor të qenësishëm, të afrojmë vlerë të shtuar për partnerët tanë dhe të faktorizohemi të paktën brendapërbrenda rajonit.