Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të enjten më 30 janar lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra gjyqtares së Tiranës, Klorinda Çela. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPA e kryesuar nga Ina Rama, me relatore Mimoza Tasin dhe anëtare Albana Shtylla, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz, pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimit të depozituar nga subjekti.
Gjyqtarja Klorinda Çela u shkarkua nga detyra më 28 tetor 2021, pasi rezultoi me mungesë burimesh financiare për justifikimin e pasurive familjare. Po ashtu, u konkludua se kishte fshehur pasurinë, kishte kryer deklarim të rremë dhe se nuk ka qenë bashkëpunuese gjatë procesit të vetingut të saj, duke cenuar besimin e publikut tek drejtësia.
Klorinda Çela përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2005 dhe u emërua gjyqtare në Gjykatën e Elbasanit. Prej vitit 2013 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Tiranës. Në vitin 2014, ministri i Drejtësisë së kohës kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares Klorinda Çela për shkak të problemeve me pasurinë – por kërkesa u rrëzua nga ish-Këshilli i Lartë i Dejtësisë.