Në Shqipëri autoritetet e kulturës – policisë dhe të prokurorisë kanë dështuar të kenë rezultate për një marrëveshje që do t’i kordinonte për zbulimin dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore. E njëjta qasje mbetet edhe për një marrëveshje me SHBA-në – Teksa objekte arkeologjike të zbuluara janë lënë rrugëve.
Klientët që zgjedhin të shijojnë kopshtin e kuruar me kujdes me motive tradicionale të “Odës së Hasan Beut” në Tepelenë, pa kuptuar kalojnë edhe çaste pranë objekteve mijëravjeçare që përfunduan aty aksidentalisht, por që as ekspertët e trashëgimisë në Gjirokastër dhe Tiranë nuk arrinin t’i kuptonin.
Rruga Levan-Tepelenë kalon aty pranë, në fshatin Toç , por që si çdo histori e ngjashme në Shqipëri u realizua me copa, duke kaluar edhe në tranzicionin e dy qeverive nga viti 2009, me nisjen e punimeve, deri në vitin 2013, me nisjen e fazës së dytë të punimeve.
Punimet përpara Shkollës së Mesme “Ormën Selami”, në fshatin Qesarat u ndalën me zhurmë të madhe nga banorët. Kompania hasi në rezistencë sepse po i kërkohej llogari përse po shkatërronin objektet që dolën nga nëntoka.
“Gjetjet e para u shfaqën përpara shkollës dhe pranë lapidarit, dolën poshtë betonit, kishte tjegulla, qeramikë, vegla pune”, kujtoi Bujar Basha, banor i fshatit Qesarat.
“Zgjerimi i rrugës nxorri dhe disa pjesë mozaiku, i kemi parë të gjithë nga kurioziteti”, shtoi ai, gjetje që rezultuan të tilla edhe sipas raporteve shkencore që Amfora lexoi.
Ngjarja shtroi një tjetër rrugë, atë të institucioneve të infrastrukturës, kulturës dhe të agjencive ligjzbatuese, që dështuan ta parandalonin ngjarjen, por edhe më pas, duke mos mundur t’i mbronin gjetjet brenda dhe jashtë kantierit të ndërtimit.
Në këto vite ende nuk kishte një kordinim institucional përmes marrëveshjeve dhe memorandumeve të bashkëpunimit midis autoriteteve, por Amfora zbuloi se megjithëse sot Ministria e Kulturës, Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme, janë bërë bashkë për të kordinuar punën për, “Ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore”, ajo ka mbetur në sirtaret e institucioneve.
Po ashtu një tjetër Memorandum Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për materialet arkeologjike dhe ato etnografike, ka mbetur vetëm në letër dhe autoritetet shqiptare nuk kanë bërë hapa përpara.
Filli i shkëputur
Segmenti rrugor nga fshati Damës deri në Tepelenë, shtrihet në 32 km dhe kushtoi 48 milion euro, Pa TVSH, por dështoi të kujdesej për zonat me potencial arkeologjik.
Rezistenca e banorëve detyroi një seri institucionesh të kulturës dhe Policinë e Shtetit që të ndërprisnin punën e kompanisë, deri sa në shtator të vitit 2017 përmes dokumenteve të kopsitura dhe për të mos rritur kostot, rruga vijoi në të njëjtën gjurmë.
“Një pjesë e mbuluan, një pjesë e hoqën dhe ne për këtë gjë kemi protestuar, por pas një muaji erdhën dhe u hodh asfalti në rrugë”, kujtoi i revoltuar Bujar Basha.
“Njerëzit po interesohen për fshatin tonë”, dëgjohet një tjetër banor që rri pingul mbi gjurmën e gjetjeve arkeologjike të betonizuara.
“Ka që ndalojnë dhe pyesin për mozaikun e gjetur, por ç’ti tregojmë?! Gjynah i madh të gjesh mozaik dhe ta mbulosh”, rrëfeu Baftjar Hysa, një banor tjetër i Qesaratit.
Fshati është një vendbanim antik, ku në vitin 1963 është zbuluar një thesar dhe i famshmi “Erosi i Qesaratit”. Në raportin arkeologjik që Amfora lexoi, rezulton se në kohën e punimeve sondazhi arkeologjik zbuloi tesera mozaiku qelqi në ngjyrë jeshile, blu, të njëjta me ato të “Bazilikës së Elbasanit”, që i përkasin Periudhës së Antikitetit të Vonë.
Si të mos mjaftonte përplasja me banorët për ruajtjen e gjetjeve arkeologjike, në vitin 2016 Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës referoi materialet në prokurori, pasi në ambientet e jashtme të lokalit “Oda e Hasanbeut”, u pikas një objekt i dyshuar arkeologjik.
Prokuroria kërkoi ekspertizë fillimisht nga Drejtoria e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër dhe më pas nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, të cilët nuk e percaktuan dot nëse objektet ishin pjesë e trashëgimise kulturore. Deri sa Instituti i Arkeologjisë, zbuloi se, “Janë fragmente arkitekturore, pjesë të një objekti arkeologjik”.
Ngjarja përveç dëshmimit të institucioneve të kulturës për t’i identifikuar në kohë objektet, tregoi edhe se ato përmes mosveprimit të tyre për pak dërguan pas hekurave pronarin e lokalit, ku gjetjet kishin përfunduar sipas hetimit në mënyrë rastësore dhe të dokumentuara zyrtarisht.
“Ai i mori këto objekte në lokal dhe ka njoftuar Agjencinë e Shërbimit Arkeologjik dhe Drejtorinë Rajonale të Monumenteve Gjirokastër, Sektori Tepelenë. Ata i panë dhe përpiluan një proces verbal, ku ja lanë në ruajtje këto objekte”, konstatoi prokurori Arian Muçaj në vitin 2017.
Pronari i lokalit nuk ishte i arrtishëm për një koment, por punonjësit treguan se kanë mbetur ashtu siç u lanë nga punëtorët pasi dolën gjatë gërmimeve. Një stelë varri dhe një gur gëlqeror vijojnë të mbeten aty, megjithëse prokuroria e pushtoi hetimin për veprën penale “Shkatërrimi i veprave të kulturës” dhe institucionet e kulturës duhej t’i tërhiqnin nga aty.
Objektet e trashëgimisië të lëna rrugëve nuk janë një rast i izoluar. Për objekte të ndryshme të shpërndara në Durrës dhe dukshëm të periudhës së antikitetit, megjithëse u referuan nga Amfora tek autoritetet e kulturës, asgjë nuk ndodhi për marrjen dhe ruajtjen e tyre.
Që prej 15 nëntorit të vitit 2022, Ministria e Kulturës – Ministria e Brendshme dhe Prokuroria e Përgjithshme, përmes një “Marrëveshje Bashkëpunimi”, kanë ndarë detyrat dhe kanë vendosur të kordinohen për “Ruajtjen e përkohshme të objekteve të sekuestruara pjesë e trashëgimisë kulturore”.
“Sa i përket efekteve të memorandumeve të bashkëpunimit, si kjo mes Ministrisë së Brendshme, Kulturës dhe Prokurorisë, këto marrëveshje kanë fuqinë e ligjit për palët që i nënshkruajnë ato”, shpjegoi nga ana ligjore, avokatja dhe pedagogia, Suela Mëneri.
Amfora zbuloi se kur ka kaluar gati gjysma e afatit të mbarimit të marrëveshjes 5 vjeçare, nuk ka rezultate konkrete që lidhen jo vetëm me ruajtjen, por edhe me gjurmimin, identifikimin dhe vlerësimin e pasurive kulturore të gabitura.
“Nuk ka stuktura të posaçme, këto vepra ndiqen nga seksioni i përgjithshëm”, shpjegoi zyrtarisht Porkuroria e Përgjithshme, në një përgjigje zyrtare.
Nga ana tjetër, Policia e Shtetit në aksionet e fundit ka dështuar dhe sipas gjetjeve të Amforës, operacionet policore për ndalimin e trafikantëve të veprave të artit po rezultojnë flluska me pasoja për tregtarët dhe anëtarët e komunitetit rom.
Marrëveshjet nuk i rritën rezultatet
Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK) ka publikuar në vitin 2018 një studim për objektet e vjedhura në Shqipëri në periudhën 1990-2016, titulluar, “Katalogu i objekteve kulturore të zhdukura 1990-2016”, ku rezulton se vetëm në fondet e institucioneve publike, inventaret kanë zbuluar se mungojnë 2249 objekte.
Në thelb të marrëveshjes ndërinstitucionale është kordinimi, monitorimi dhe bashkëpunimi në gjurmimin, kapjen, sekuestrimim dhe ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore të grabitura ose të trafikuara.
Prokuroria e Përgjithshme rezulton se nuk ka as ekspertizën dhe as statistika për veprat e artit dhe objektet e trashëgimisë materiale që janë grabitur në vendin tonë.
“Nuk kemi statistikë për numrin e veprave të artit të grabitura”, shpjegoi zyrtarisht ajo. “Nuk kemi statistikë për numrin e veprave të artit të zbuluara në Shqipëri”, shtoi Prokuroria e Përgjithshme, duke pohuar se nuk kishte të dhëna as për operacione të tilla, të ndërmarra nga vendi ynë me partnerët ndërkombëtarë.
“Për atë bazë ligjore që është në fillim të memorandumit, palët nëse nuk plotësohen detyrimet mund të bëjnë përgjegjëse njëra-tjetrën për mos përmbushje të detyrimeve që nënshkruhen në objektin e marrëveshjes dhe në kushtet e marrëveshjes”, shpjegoi avokatja, Suela Mëneri.
“Sa i përket efekteve të memorandumeve të bashkëpunimit, si kjo mes Ministrisë së Brendshme, Kulturës dhe Prokurorisë, këto marrëveshje kanë fuqinë e ligjit për palët që i nënshkruajnë ato”, shtoi ajo.
Përtej Atlantikut, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Kulturore, Matthew Lussenhop, nënshkroi në emër të Shteteve të Bashkuara më 23 gusht të vitit 2021, një Memorandum Bashkëpunimi me ministren e kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti.
Bashkëpunimi lidhej me objektet arkeologjike dhe etnologjike të Shqipërisë, duke vendosur kufizimin e importit të tyre sipas një kategorizimi dhe lejimin vetëm të atyre që shoqërohen me dokumentacionin përkatës zyrtar.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikes do t’i ofrojnë Republikës së Shqipërise kthimin e çdo objekti ose materiali në Listën e Përcaktuar të konfiskuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, zotohej SHBA-ja.
Nga ana tjetër – institucionet shqiptare nuk raportuan të kenë bërë hapa përpara për zbatimin e kësaj marrëveshje dhe të detyrimeve të saj.
Megjithatë autoritetet fqinje janë treguar syhapur për të gjetur në vendin tonë pasuritë kulturore të grabitura në vendin e tyre. Maqedonia e Veriut shtyu përpara hartimin e kornizës ligjore për të marrë ikonat e grabitura në kishat e tyre dhe të zbuluara në Shqipëri.
“Numri i objekteve të zbuluara në Shqipëri, që janë rikthyer në vendin e origjinës, është 20 ikona, në zbatim të ligjit nr. 13/2023, ‘Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, për rikthimin e ikonave të trafikuara në vendin e tyre të origjinës”, shpjegoi zyrtarisht IKRTK-ja.
Ndërsa numri i veprave të artit, artefakteve arkeologjike, të grabitura në Shqipëri dhe që janë rikthyer në vendin tonë, pasi janë gjetur në shtetet e tjera, numërohen me gishtat e njërës dorë.
“Numri i objekteve pasuri kulturore që janë rikthyer në vendin tonë, pasi kanë rezultuar të gjetura në vendet e tjera, është 5”, shpjegoi Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore (IKRTK).
Po kaq minimal është edhe numri i objekteve që pritet të kthehen në vendin tonë – ndërsa vetëm nga inventarizimi i objekteve shtetërore janë grabitur 2249 objekte.
“Jemi në proces për rikthimin e 2 objekteve arkeologjike të gjetura në Greqi”, përfundoi IKRTK-ja.