Një sondazh i “Monitor”, që nisi më 11 shtator të këtij viti dhe zgjati rreth një muaj, ku u intervistuan 1044 persona rreth arsyeve që çojnë individët dhe familjet të largohen nga Shqipëria,
Nga 1044 të anketuar, 187 persona ose rreth 18%, tashmë ishin larguar nga Shqipëria. 34% e tyre ishin 20-29 vjeç kur ishin larguar nga vendi, 30.5% ishin ndërmjet 30 dhe 39 vjeç dhe 13% ndërmjet 40-49 vjeç. Mbi 44% e tyre kishin më shumë se pesë ose më shumë vite që kishin emigruar dhe pjesa tjetër, 45%, kishin një deri në tre vite në emigracion dhe 10% kishin më pak se një vit.
Shumica e tyre, rreth 72%, dhanë si arsye kryesore për largimin nga vendi “Korrupsionin e lartë dhe mosfunksionimin e institucioneve”, një pjesë e madhe mbi 40% renditën si arsye për largimin, mungesën e mundësive për zhvillim profesional, problemet shëndetësorë dhe mungesën e shërbimeve cilësore.
Për rreth 40% të të larguarve, cilësia e dobët e arsimit, mungesa e stabilitetit politik dhe pagat e ulëta ishin një nga tre arsyet themelore për mbi 30% të të larguarve.
Një qytetar komentoi “Ka shumë korrupsion, politika jo të qarta, zero transparencë dhe zero konkurrencë e ndershme. Pyetja është a ikin shqiptarët nga Shqipëria apo nga vetë shqiptarët? Mund të kesh para mjaftueshëm, por nëse je i detyruar ta marrësh shërbimin larg banesës dhe me korrupsion, paratë nuk vlejnë”.
“Unë personalisht ika për fëmijët. Nuk shikoja të ardhme për ta në Shqipëri”, tha një qytetare tjetër.
44% e të larguarve pohuan se ishin shumë të pakënaqur me situatën ekonomike në Shqipëri dhe vetëm 7% ishin shumë të kënaqur, por kishin ikur për arsye të tjera.
69% e të ikurve vlerësuan si shumë të rëndësishme mundësitë e punësimit jashtë vendit për vendimin emigrimit, ndërsa 24.6% i vlerësuan disi të rëndësishme dhe vetëm 3.2% thanë se mundësitë e punësimit jashtë vendit nuk ishin aspak të rëndësishme për vendimin e largimit.
40% e larguarve pohuan se kishin një arsye familjare për të emigruar.
Rreth 45% e të larguarve ndihen të integruar tërësisht në shoqëritë ku jetojnë dhe 44% ndihen disi të integruar, ndërsa 7% pohuan se nuk janë integruar.
58% e të larguarve po marrin e dhe familjarët
Fenomeni i emigrimit ka marrë formën e një spiraleje. Shumë prej atyre që kanë ikur po marrin edhe familjarët e tjerë që jetojnë në Shqipëri, duke dhënë tek ata shembullin e një jete më të mirë. 58% e të anketuarve që ishin larguar nga Shqipëria pohuan se do të merrnin edhe familjarët e tyre, 23% thanë se nuk kishin plane të tilla dhe 18.7% nuk ishin të sigurt.
Nëse është një gjë që shqiptarët e kanë mësuar mirë, është emigracioni. Përvojat e shumta të të ikurve janë kthyer në magnet për ata që jetojnë në Shqipëri, duke nxitur edhe më tej presionin për largim të atyre që jetojnë në Shqipëri.
57% e të ikurve nuk kanë në plan të kthehen
Shumica e emigrantëve të larguar nuk kanë në plan të kthehen në Shqipëri.
Pyetjes “A keni menduar ndonjëherë të ktheheni në vend pas një periudhe jetese jashtë”, 57% ju përgjigjën negativisht. 24% pohuan se nuk do të kthehen dhe 33% pohuan se mund të vijnë vetëm për pushime. 17% nuk ishin të sigurt, ndërsa 23% kishin planifikuar kthimin pas disa vitesh. 96% e të anketuarve mendojnë se emigracioni e ndikon negativisht vendin.
Pjesa më e madhe e të larguarve, 72%, do të ktheheshin nëse përmirësohej sistemi shëndetësor dhe mbrojtja sociale.
Një pjesë e madhe, më shumë se gjysma, konsiderojnë si mundësi për rikthim përmirësime në infrastrukturë dhe kushtet e jetesës, mundësi punësimi, paga më të larta, stabilitetin dhe sigurinë, si dhe arsimin.
“E vetmja zgjidhje në këtë situatë që ndodhen institucionet në vendin tonë është ndryshime radikale në funksionimin e strukturave shtetërore, pavarësia e tyre, por edhe zvogëlimi i administratës tepër të fryrë përmes mbajtjes në punë vetëm të personave të paaftë. Shkollat në Shqipëri nuk plotësojnë kërkesat bazë për prindërit, p.sh. orari i mësimit nuk zgjat sa puna dhe cilësia është e dobët.
Shkollat private paguhen sa jashtë, ndërkohë nuk kanë as fusha për fizkulturë. Gjithçka për fëmijët kushton më shumë.
Shqipëria nuk bëhet as për fëmijët e mi, kështu që nuk kam ndër mend të sakrifikoj jetën e tyre për një palo vend si Shqipëria”, – tha një komentuese në përgjigje të pyetjes “A do ta konsideronit kthimin në vend, nëse do të kishte përmirësime në këto fusha? (Zgjidhni deri në 3 përgjigje)”./Monitor