Në Shqipëri diskutimet mbi transportin ajror civil, në kushtet kur autoritetet qeveritare kanë ndërtuar një strategji për këtë qëllim, janë ngritur në një nivel tjetër. Aktualisht vendi ka dy aeroporte, atë ndërkombëtar të Tiranës, që mban thujase gjithë peshën e transportit ajror civil, dhe aeroportin e Kukësit, që u ndërtua 3 vjet më parë. Aeroporti i Vlorës, është në ndërtim ndërsa pritet të ndërtohet dhe ai i Gjirokastrës. Disa ekspertë i shohin këto nisma të qeverisë të nxituara dhe të pambështetura në plane të qarta biznesi, ndërsa autoritetet zyrtare e shohin aviacionin civil si mbështetësin kryesor të turizmit në vend. Numri i udhëtarëve me këtë lloj transporti sipas tyre është rritur me mbi tre herë, krahasuar me 5 vjet më parë.
Në Shqipëri 8 vjet më parë do të merrte fund pas më shumë se një dekade situata monopol në aviacionin civil, pas bisedimeve të qeverisë shqiptare me shoqërinë koncensionare që zotëronte të vetmin aeroport në vend, atë të Tiranës. Kjo i hapi rrugë hapave të mëtejshëm të zhvillimit të këtij aviacioni. Një shoqëri konçensionare përmes procedurave të PPP, në vitin 2019 fitoi të drejtën për të rijetësuar me fondet e veta, prej 8 milion euro, aeroportin e Kukësit, me qëllim arritjen e standardeve ndërkombëtare. Më herët gjatë luftës në Kosovë dhe në mesin e viteve 2000, aeroporti ishte ndërtuar nga një investitor nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Avioni i parë i kompanisë Air Albania, që u ul në pistën e aeroportit të Kukësit, në Prill të vitit 2021 kishte në bord emigrantë shqiptarë nga Britania e Madhe, të shoqëruar nga Kryeminstri Edi Rama. Për shefin e qeverisë kjo kishte një simbolikë të fortë politike në atë kohë, pasi po bëhej realitet një premtim elektoral, në prag të zgjedhjeve politike, në një zonë me emigracion të lartë në Britaninë e Madhe.
Ky zhvillim ndërkaq ishte paraprirë nga një tjetër, pasi në vitin 2020 Kompania “Kastrati Group” kishte blerë 100% të kuotave të shoqërisë konçensionare që zotëronte konçensionin e aeroportit të Tiranës, “Tirana International Airport” (TIA).
Në të njëjtin hark kohor autoritetet zyrtare po përparonin me idenë e ndërtimit edhe dy aeroporteve të tjera në jug të vendit, në Vlorë dhe Gjirokastër. Por mjaft eskpertë janë skeptikë mbi këto nisma dhe mendojnë se ato ngrenë disa pikpyetje.
“A ka qeveria shqiptare, Ministria e Infrastrukturës një strategji për këtë sektor të rëndësishëm? Nga ana tjetër kjo do duhet të ketë një plan biznesi të qartë sepse në një vend të caktuar si Shqipëria, a kemi target për të patur lëvizje dhe kërkesë për kaq aeroporte”- thotë për Zërin e Amerikës Aranita Brahaj, drejtore ekzekutive e Open Data Albania.
Autoritetet zyrtare thonë për Zërin e Amerikës se kanë një strategji mbi zhvillimin aviacionit civil dhe se ajo mbështetet në tre shtylla kryesore, në infrastrukturë, ndërlidhje dhe konkurencë. Bazuar në disa të dhëna Drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil, Maksim Et’hemaj thotë për Zërin e Amerikës se konkurenca ka ulur kostot e udhëtimit për qytetarët.
“Qeveria shqiptare me shumë kujdes është munduar të balancojë konkurencën midis kompanive me kosto të ulët dhe atyre tradicionle. Por ka dhe një konkurencë brenda vetë kompanive me kosto të ulët. Sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve Shqipëria ka një ekuivalencë 51% me 49 % përkundrejt operatorëve me kosto të ulët dhe atyre tradicionalë. Nëse ne i referohemi vitit 2016 mund të themi se një biletë një drejtim Tiranë -Londër kushtonte 700 paund. Sot Shqipëria është vendi me 60% më pak vlerën e biletës. Sot gjen bileta me çmime të mundura për t’u paguar nga çdo familje”- thotë Z. Maksim Et’hemaj Drejtor ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil.
Numri i pasagjerëve në aeroportin e Tiranës, që mban thuajse gjithë peshën e transportit ajror në vend, është rritur sipas statistikave zyrtare nga 3.3 milionë pasagjerë në 2019, në 8 milionë, në 9 mujorin e parë të këtij viti me pritshmëri 10 milionë në fund të vitit, pra afërsisht me tre herë. E megjithatë kritikët mendojnë se të dhënat që vijnë nga fluturimet në aeroportin e Kukësit, afro 120 mijë pasagjerë që prej vitit 2021, nuk ngjallin optimizëm për strategjinë e qeverisë mbi avicionin civil.
“ Aeroporti i Kukësit ishte absurditet që kur u ndërtua dhe më pas një absurditet tjetër politik që u vu në punë sepse nuk bën asnjë sens ekonomik.”- u shpreh për Zërin e Amerikës Gjergj Erebara, gazetar i Birn.
Autoritetet e pranojnë se Aeroporti i Kukësit nuk i plotësoi pritshmëritë, për shkak të pozicionit gjeografik. Z. Et’hemaj thotë se ky aeroport është specifik, i rrethuar nga male, që duket se përbëjnë një pengesë serioze, për kompanitë e transportit ajror.
“A mund të bëhej Kukësi më mirë? Po punojmë aktualisht për të maksimizuar operimet në aeroportin e Kukësit. Në aviacion kemi një balancë mes shërbimit dhe operimit ku fiton gjithmonë siguria në operim. Një pistë që të operohet ka dy drejtime, ulje dhe ngritje. Fatkeqësisht në aeroportin e Kukësit një drejtim ulje dhe ngritje nuk mund të përdoret për shkak të maleve. Autoriteti i aviacionit civil e ka ndaluar operimin në atë pistë për shkak të afërsisë me malet. Për rrjedhojë të vetmin drejtim ulje që ka ky aeroport është vetëm një drejtim që do të thotë, që nga pikpamja e motit duke qenë se është vetëm një drejtim ulje është shumë i ekspozuar, për shkak të relievit malor ka një limit në operim të cilën ne po punojmë që ta maksimizojmë. Nuk e heqim, por do përdorim proçedura satelitore”- vijon Z. Et’hemaj.
Zëri i Amerikës pyeti edhe drejtuesit e shoqërisë konçensionare të Aeroportit të Kukësit nëse kanë një plan për ta bërë efektiv këtë aeroport por nuk mori përgjigje.
Ndërkaq planet e qeverisë po vijojnë me ndërtimin e një tjetër aeroporti, atij të Vlorës. Puna për të nisi në nëntor të vitit 2021 dhe pritet në pranverë të vitit që vjen të fillojë nga puna. Shoqëria konçensionare bazuar në një kontratë me afat 35 vjeçar, sipas procedurave të PPP, pritet të investojë rreth 100 milionë euro, ndërsa parashikohet një rimbursim nga autoritetet shtetërore në 10 vitet e para, nëse shoqëria nuk arrin të ardhurat minimale të planifikuara. Por ndërtimi i këtij aeroporti është shoqëruar me debate të shumta. Disa organizata mjedisore e kanë kundërshtuar me forcë për shkak të ndikimit negativ në lagunën e Nartës, një pasuri me vlera të çmuara natyrore.
“ Ndërtimi i këtij aeroporti po shkatërron një zonë të mbrojtur, atë të lagunës së Nartës. Mund ta shohësh dhe nga pikpamja natyrore por dhe nga ajo ekonomike si një resurs shumë të rëndësishëm sepse turizmi i natyrës është një sektor shumë i rëndësishëm. Ne po e shkatërrojmë këtë për të ndërtuar një aeroport i cili ka pas shance të funksionojë , po shkatërron zonën e mbrojtur.”- vijon z. Erebara.
E ndërsa aeroporti i Vlorës sipas autoriteteve zyrtare është në fazën e çerfitikimit ndërkombëtar nga autoritetet e aeroportit të Mynihut, një aneks të posaçëm pritet të ketë edhe adresimi i çështjeve mjedisore.
“ Koncepti ynë është që t’i përfshijmë njerëzit. E njëjta gjë ndodh edhe me natyrën. Pra ne nuk mund të themi do jetojnë kafshët këtu dhe ne do jetojmë diku tjetër. Pyetja është a mund të bashkëekzistojmë? Kjo çështje është adresuar qartësisht në aeroportin e Vlorës. Ne do vërtetojmë që kur punohet mirë ka bashkëekzistencë. Një nga elementët çertifikues të aeroportit të Vlorës do jetë ngritja e komitetit të mbrojtjes së ambjentit”- sqaroi Maksim Et’hemaj, drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil.
Aeroporti i Vlorës i kategorisë 4E, ndër më të lartat në ballkan, mendohet të shkarkojë me 15% fluksin e pasagjereve të aeroportit të Tiranës, ndërsa autoritetet zyrtare thonë se ky aeroport është parashikuar që vitin e parë të përballojë një fluks rreth 1milionë pasagjerë, ndërsa në të ardhmen deri në 10 milionë. Ndërkaq është planifikuar edhe ndërtimi i aeroportit të Gjirokastrës në përmasa të vogla, i destinuar kryesisht për fluturime biznesi.
Transporti ajror civil sipas të dhënave zyrtare është mbështetësi kryesor i turizmit. 87% e turistëve aktualisht vijnë me këtë transport. Zyrtarët thonë se dhe infrastruktura rrugore është përmirësuar duke veçuar atë në jug të vendit, që mendohet të jetë mbështetje për Aeroportin e Vlorës. Por megjithatë disa ekspertë të zhvillimeve ekonomike mendojnë se krahas turizmit qeveria duhet të fokusohet dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.
“ Në të tilla kushte në literaturën e zhvillimit ekonomik nuk sugjerohet që turizmi të jetë sektor i vetëm strategjik i zhvillimit. Duhet të ketë sektorë të tjerë, apo një ndërthurje si bujqësia apo transformimi i industrisë ushqimore. Duhet të ketë një ndërveprim të sektorëve. Nëse ne fokusohemi vetëm te turizmi rrezikojmë që pas tre apo pesë vitesh Shqipëria të dalë jashtë mode sepse vetë strategjia është e tillë”- shprehet për Zërin e Amerikës, Klodian Muço, ekspert i ekonomisë.
Në Shqipëri zhvillimet në aviacionin civil përbëjnë një pikë kyçe për synimet e qeverisë në lidhje me turizmin. Edhe pse ka disa përparime në këtë drejtim sërish mjaft ekspertë shfaqin skepticizëm mbi përfitimet e mundshme ekonomike në të ardhmen, ndaj dhe nxisin një zhvillim të gjithanshëm ekonomik të vendit në funksion të këtij qëllimi./ VOA