Një situatë e tensionuar dhe me përplasje të forta si brenda po ashtu edhe jashtë Kuvendit është karakterizuar seanca e sotme plenare.
Mazhoranca duket se nuk tërhiqet në “çmendurinë” e saj, dhe ditën e sotme kishte rrethuar godinën e Kuvendit me kangjella hekuri, si dhe kishte dyfishuar numrin e efektivëve të Gardës së Republikës për të moslejuar deputetët e opozitës që të futeshin në sallë.
“Shqipëria bëhet kështu vendi i vetëm, që nga njëra anë është vend anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në Bashkimin Europian, dhe nga ana tjetër rrethon hyrjen kryesore të Kuvendit për ta mbrojtur nga deputetët “armiq”!
Kuvendi nuk është burg dhe as qeli burgu, edhe pse shumica e përfaqësuesve të mazhorancës qeverisëse duhet të ishte në burg dhe jo në atë sallë. Shndërrimi i Kuvendit në “qelinë e rrethuar me hekura” të Pëllumb Gjokës e të ngjashmëve të tij është një akt që turpëron Shqipërinë dhe çdo shqiptar!” – shkroi Bardhi në rrjetet sociale, teksa publikoi pamjet e Kuvendit.
Ndërkohë, deputetët e Partisë Socialiste ishin futur në sallë 90 minuta para nisjes së seancës për të shmangur përplasjet me deputetët e opozitës.
Deputetët e PD-së kur shkuan në Kuvend nuk u lejuan të futeshin nga gardistët në Kuvend, teksa u futën një pjesë e atyre që nuk ishin të përjashtuar dhe kjo solli përplasje edhe brenda sallës.
Para Kuvendit u hap pankarta ku shkrujhej “Edi Rama Mafia”, nga deputetët e Partisë Demokratike, teksa sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka u shpreh për mediat se Kuvendi është kthyer në një burg të sigurisë së lartë pikërisht në ditën kur hapen negociatat me BE-në.
“Ky është një burg i sigurisë së lartë. Ditën që hapen negociatat, ky parlament kthehet në një burg të sigurisë së lartë. Kreu i narkosit ka ngujuar zonjën 5 milionë dollarë në parlament. Miss 5 milionë dollarë e ka kthyer parlamentin në një burg të sigurisë së lartë ku nuk lejohen takimet. Ja, ky është parlamenti i vendit që hapi negociatat,” tha Flamur Noka.
Ndërkohë, brenda sallës së Kuvendit, disa karrige u hodhën tek foltorja për ta bllokuar, ndërsa deputetja e PD-së, Elda Hoti hodhi një lëndë të lëngshme në tokë.
Kaq mjaftoi që socialistët t’i kapte paniku dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali, duke pretenduar direkt se ishte benzinë, pa bërë asnjë verifik, urdhëroi menjëherë Gardën që në shkelje të ligjit ta nxirrnin me forcë jashtë.
Ndërkohë, që situata vazhdonte e tensionuar në Kuvend, Elisa Spiropali e ndërpreu për 10 minuta, me pretendimin se kishte marrë ankesa nga kolegët socialistë se vinte erë e rëndë.
Por, në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, Elda Hoti tha se ajo që hodhi ishte thjesht aromatiozues që nuk i rrezikon jetën askujt dhe se për këtë gjë le ta verifikojë SPAK-u. Ajo pretendoi se gratë deputete janë dhunuar nga gardistët që kanë tentuar t’iu bëjnë kontroll fizik në shkelje të ligjit.
Elda Hoti: Nuk ka asnjë të drejtë Garda e Republikës që të bëjë kontroll fizikë të deputetëve. Këtë të drejtë nuk e ka as prokuroria për sa kohë deputeti ka mandatin. Nuk mundet Garda e Republikës me urdhër të Elisa Spiropalit të dhunojnë gratë kryesisht, se e kanë merak këta e flasin në emër të grave. Nuk jemi lejuar të futemi në parlament sepse këta donin të na bënin kontroll fizik. Diçka që është e paligjshme. E kthyen parlamentin në zyrë noteriale të bandave. Ne nuk e ndalojmë betejën tonë. Ajo që hodha në Parlament nuk ishte asgjë që mund të rrezikonte jetën e deputetëve. Ajo ishte aromatizues, le ta verifikojë, prokuroria a SPAK-u. Unë nuk trembem. Misionin do e çojmë deri në fund.
Në seancën e sotme ishte programuar që të mbahej interpelancë me ministren e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaron, e kërkuar nga deputeti Agron Shehaj, si dhe raportimi i raportit vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit nga kreu i saj, Arben Shehu.
Si interpelanca me Kumbaron ashtu edhe raporti i KLSH nuk ndohën për shkak të situatës, teksa Spiropali pasi e anuloi, i kërkoi kreut të KLSH Arben Shehu në një situatë të paprecedent që ta raportojë në komisione parlamentare.
Me rinisjen e seancës plenare, rezoluta për KLSH u miratua me 73 pro, nga po ky numër i pranishëm deputëtësh në sallë. Ndërkohë, socialistët miratuan “fët e fët” dhe të vetëm në sallë edhe ndryshimet në ligjin “Për shërbimin veterinar” dhe Për lejet e mjedisit”, e para me 73 vota pro dhe e dyta me 72 vota pro.
Më pas Kuvendi votoi me 69 vota pro, 3 abstenime dhe 1 votë kundër projektvendimin për zgjedhjen e Violanda Theodhorit si anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile.
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali u shpreh se, shumica e kërkuar sipas ligjit nuk u arrit, por nëse shumica prej 2/3 nuk arrihet as pas raundit të tretë, atëherë kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Kështu, Violanda Theodhori konsiderohet e zgjedhur si anëtare e KLGJ-së nga radhët e shoqërisë civile.
Kuvendi votoi me 68 vota pro, 4 abstenime dhe 1 votë kundër, projektvendimin për zgjedhjen e Erjon Fejzulla si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët përfaqësuesve të shoqërisë civile. Edhe për këtë ishte e njëjta situatë si në rastin e Theodhorit dhe pas raundit të tretë u zgjodh automatikisht si anëtar i KLP-së
Gjithashtu, Kuvendi gjithashtu rrëzoi me 58 vota kundër, 3 abstenime dhe 12 pro projektvendimin për emërimin e Pajtim Melanit si anëtar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbante funksionin e kryetarit të Bordit.
Seanca zgjati për rreth 1 orë e 50 minuta, teksa në përfundim të saj, protestuesit që ndodheshin para Bashkisë së Tiranë kanë shkuar tek Kuvendi dhe kanë tentuar të futen në oborr nga dera kryesore.
Por, ata janë ndaluar me forcë nga efektivët e Policisë dhe ata të Gardës së Republikës që janë bërë “gardh” tek dera. Ndërkohë, deputetë e mazhorancës dhe ministrat, nisur nga kjo situatë e tensionuar tek njëra derë e Kuvendit, kanë shfrytëzuar derën tjetër për të dalë të qetë dhe pa u përplasur me askënd.
Ndërkohë, në vijim të tensioneve në një situatë të paprecedent, efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Shtetit u futën në oborrin e Kuvendit dhe kanë dhunuar deputetët e Partisë Demnokratike.
Gjithashtu, Partia Demokratike pretendoi se një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Shtetit ka kërcënuar me armë dy deputetët demokratë, Luan Baçi dhe Bledion Nallbati. Kjo gjë ka ndodhur gjatë një momenti përplasje mes deputetëve dhe efektivët, teksa pas kësaj situate, tensionet u rritën dhe sollën përplasje fizike mes deputetëve dhe policëve.
Ndërkohë, Policia e Shtetit, përmes një komunikate zyrtare, deklaroi se bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnje punonjës policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri, por vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Ajo ka publikuar dhe pamjet, ku pretendon se Polici ka vendosur dorën në shihen me spraj dhe jo në armën e shërbimit.
Pas përplasjeve, Grupi Parlamentar i PD ka bërë një kallëzim penal në SPAK për Kryetaren e Kuvendit, Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e Policisë së Tiranës dhe disa punonjës të paidentifikuar policie.