Nga Kevin Agolli
Vizita e ditës së enjte e Presidentit Erdogan në Shqipëri, hyn tek ato ditë që përveçse rëndoi akoma më shumë trafikun në Tiranë, solli dhe një gëzim euforik tek një pakicë njerëzish dhe shumë pikëpyetje tek pjesa tjetër. Më në fund Erdogan vendosi që me vizitën e tij të rradhës në vendin mik e vëlla, të marrë me vete dhe gërshërët për inaugurimin e Xhamisë së Namazgjasë, një objekt madhështor i ndërtuar me fonde të ardhura nga Turqia për besimtarët myslimanë shqiptarë.
Megjithatë, edhe pse kjo dhuratë duhet të simbolizonte bashkimin në emër të Zotit tek besimtarët myslimanë, në fakt ka qene sebepi i një përçarjeje dhe krijimit të shumë ndasive brenda komunitetit më të madh fetar në Shqipëri. Erdogan jo vetëm për disa vite mbajti peng objektin që duhet të lartësoj Zotin e askënd tjetër, por u soll dhe si një misionar showman, duke vënë kushte për dorëzimin e çelësave të një godine që nuk i takon aspak tij, a thua se po kërkonte komisionin e një allishverishi!?
Nga ana tjetër, paturpësia më e madhe është e kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, i cili i vendosi vulën fermanit të ardhur nga Ankaraja, duke braktisur myslimanët shqiptar në këtë ditë që duhej të bashkonte dhe duke i lënë ata më shumë në mëshirë të Erdoganit se sa të Zotit. Përplasja midis Presidentit të Turqisë dhe KMSH-s vijon prej disa vitesh tashmë, që pas tentativës së grushtit të shtetit në korrikun e 2016-s, që solli ndarjen përfundimtare të aleancës vëllazërore midis Recep Tayyip Erdogan dhe Fetullah Gylen. Kjo tregon shumë për marrëdhëniet “vëllazërore” të liderit turk.
Dhe meqë jemi të vëllezërit, nuk kish si të mos pritej me interes të lartë takimi i Erdoganit me vëllain e tij të vogël shqiptar, Edi Ramën. Por për efekt kronike, si rrallë herë, asnjëri prej të dyve nuk iu drejtua tjetrit me këtë epitet familjar, pavarësisht faktit që Kryeministri Rama e kujton shpeshherë takimin e parë të të dyve, dhe se si Erdogan i shprehu dëshirën e tij gati birësuese duke i thënë që “dua të jesh vëllai im”.
Mesa duket, përtej reflektimit të dritave dhe kamerave, dhe theksimit të një miqësie të ngushtë individuale më shumë edhe se sa shtetërore, takimi i vëllezërve mbase nuk ka qene aq familjar sa ç’duhej të ishte. Erdogan nuk erdhi vetëm me kërkesat e zakonshme për puçistët Gylenistë siç bën zakonisht, por duke kërkuar ballafaqimin e influencës dhe peshës së tij brenda Shqipërisë, në planet rikonceptuese dhe trazuese të Turqisë, përballë konfliktit Izraelito-Palestinez.
Ai nuk nguroi të akuzoj Izraelin si shtet terrorist, duke marrë brohorimat mbështetëse të një turme që nuk e lidh asgjë me atë konflikt. Duket gati si një fushatë parapërgatitore në aspektin psikologjik, të një skenari konflikti që asnjë nuk duhet ta dëshiroj. Ai i dha një mesazh të qartë jo vetëm mbështetësve të tij në Shqipëri, por mbi të gjitha faktorit amerikan që tanimë jemi mësuar që vendos për çdo gjë në këtë vend. Nga ana tjetër Rama u duk sikur po bënte një paradë mbi një litar, duke u përpjekur për të mbajtur ekuilibrin e rrezikshëm midis vëllait dhe aspiratave, perëndimit dhe lindjes, bindjes dhe (mos)bindjes ndaj kujtdo që i zgjat dorën, duke harruar që mund të vij një ditë dhe nderi të kërkohet mbrapsht.
Në fakt, për të thënë atë që është, Kryeministri ja doli më së miri për të ruajtur këtë ekuilibër dhe për të kamufluar atë që mesa duket mund të kenë qene tensionet vëllazërore brenda çatisë së zyrës së vëllait të vogël. Ai si rrallëherë nuk bëri protagonistin e një lideri botëror, por përkëdheli egon e Presidentit të Turqisë duke mos i ofruar shumë për momentin dhe duke marrë mbrapsht pothuajse asgjë. Bakshishi i dronëve kamikazë, më shumë se një dhuratë mund të lexohet dhe si një mesazh që Erdogan i tregon Ramës. Ndërkohë që asnjë marrëveshje dhe bisedë konkrete nuk u bisedua, të paktën publikisht, për investimet e shumëpritura nga Kryeministri në fushën e mbrojtjes.
Njëkohësisht, ajo që mund të dukej si një fitore për caktimin e objektivit të 2 miliard eurove shkëmbime tregtare midis Shqipërisë dhe Turqisë, zhvlerësohet totalisht në më pak se 24 orë kur në Beograd, Erdogan cakton objektiv vlerën 5 miliard me shtetin Serb. Dhe sikur të mos mjaftonte ai njoftoi investime dhe zhvillim të përbashkët në fushën e mbrojtjes me Serbinë, duke e promovuar atë si një garantor paqeje në rajon.
Mesa duket Erdogan i ka bërë ndarjet e tij, ku në Tiranë dhe Prishtinë minaret kanë rëndësi. Mbase Shqipërinë nuk e (ri)mori turku si në vargjet e Çajupit, por xhaminë po! Dhe me shumë gjasa vështirë se do ndalet me kaq.