Nga Boldnews.al
Arrestimi i kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, javën e fundit të Korrikut, shënoi rastin e parë, por me shumë mundësi jo të vetmin, të përfshirjes së funksionarëve të drejtësisë në aktivitetet e paligjshme të kryera nëpërmjet aplikacioneve të koduara, “Sky”.
Arrestimi i Zarkës shkaktoi një lloj pështjellimi brenda radhëve të sistemit penal, sidomos për faktin se hetimi dhe më tej urdhëri i arrestit ndaj tij, u lëshua nga një miku i tij i vjetër, bashkëpunëtor i ngushtë për shumë vitesh gjatë kohës që ka ushtruar funksionet në Vlorë, prokurori i SPAK-ut, Klodian Braho.
Ndoshta, për shkak të këtij raporti të fortë mes tyre, prokurori Braho vendosi të mos përballet i vetëm në gjykatë me ish-mikun e tij, Zarka, duke u mbështetur gjatë seancës së verifikimit të masës së sigurimit nga kreu i Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion, Altin Dumani.
SPAK njoftoi në 30 korrik 2024 se magjistrati Zarka u arrestua, nën dyshimet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm dhe ka kryer korrupsion pasiv e aktiv në disa çështje penale që lidheshin me aferën “Toyota Yaris”, në hetimet e të cilës u zbuluan në vitin 2018 rreth 3.2 milionë euro që vinin në mënyrë të paligjshme nga Belgjika.
Hetimi për kryeprokurorin e Vlorës, tashmë të pezulluar, janë regjistruar në shkurt 2024 dhe, pas hetimeve “reaktive” të prokurorit Braho, brenda 6 muajsh u arrit në konkluzionin se, mbi Zarkën dhe tre të tjerë, ka elementë të mjaftueshëm për t’i vendosur nën arrest.
Por, ndërkohë që për ish-mikun e tij kreu veprime të shpejta, prokurori i SPAK-ut, Braho, nuk duket se tregon kaq shumë zhdërvjelltësi në hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë, aq më tepër në ato ku ka dyshime dhe akuza publike se është i përfshirë drejtëpërdrejtë kryeministri Edi Rama dhe njerëz shumë pranë tij.
Prokurori Braho po zhvillon hetimet për aferën e Porto Romanos, një çështje e nisur rreth 4 vjet e gjysëm më parë dhe që ende nuk po i del fundi.
Në janar 2020, SPAK-u nisi hetim kryesisht për procedurat tenderuese me vlerë rreth 15 milionë euro për mbylljen e landfillit të vjetër të Porto Romanos në Durrës dhe shndërrimin e tij në një Eko Park.
SPAK-u i nisi këto hetime kryesisht, bazuar në një raportim të “Boldnews.al”.
Në atë artikull, redaksia zbuloi se Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane (AKUM) anuloi një procedurë gare të hapur për ndërtimin e Eko Parkut, në nëntor 2019, nën pretekstin e tërmetit të fortë që tronditi vendin atë kohë, si edhe e ri-shpalli procedurën brenda pak ditëve, por kësaj here me tender pa garë (me negociim, pa shpallje paraprake).
Në përfundim, procedura u fitua nga kompania italiane “De Mare Albania”, një bashkëpunëtore e ngushtë e shoqërisë të inceneratorëve, si edhe “Viktoria Invest”, dega kosovare e një subjekti të regjistruar në Elbasan me emër të ngjashëm.
Afera ngjante shumë e trashë dhe veprimet hetimore mund të mbylleshin shumë shpejt. Por, “një dorë” duket se është kujdesur që dosja të zgjasë pa fund.
Në vitin 2022, pra dy vjet pas nisjes së hetimeve për “aferën e Porto Romanos”, ajo çështje u bashkua me një hetimet e derivuara nga dosja e inceneratorit të Elbasanit.
Ky bashkim u krye me argumentin se kompanitë e Porto Romanos dhe atë të djegësit të Elbasanit kanë lidhje me njëra-tjetrën. Këto çështje po hetohen të dyja bashkë nga prokurori Klodian Braho, i cili po vijon t’i mbajë nën hetim edhe aktualisht, kur jemi në gusht 2024.
Afera e Porto Romanos, deri më tani dyshohej se ishte thjesht një aferë korruptive, ku janë përfshirë disa zyrtarë të nivelit të mesëm, por edhe pak më të lartë.
Por, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, akuzon publikisht ish-shefin e tij politik, kryeministrin Edi Rama, se është i përfshirë drejtëpërdrejtë në aferën e Eko Parkut të Porto Romanos.
“EcoParkun e ka firmosur vetë (Edi Rama) në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe e ka marrë një kombinim kompanish inceneratorësh. Ndërkohë që një nga njerëzit e familjes ka qenë e punësuar nga personat e inceneratorëve për të bërë arkitektin, për të bërë projektin, përpara se projekti të dilte në tender. Është ky fakt apo jo”, deklaroi Ahmetaj në një intervistë të dhënë për “Çim Peka Live”, në fund të Korrikut 2024.
Kjo deklaratë, e thënë nga një prej dëshmitarët e dorës së parë në kulisat e pushtetit, hedh dritë edhe mbi faktin se përse hetimet për këtë aferë, të nisura që në fillim të vitit 2020, nuk po përfundojnë ende dhe nuk dihet se nëse do të arrihet ndonjëherë në konkluzione konkrete.