Edi Rama përdor “De Mare” si pompë për të fryrë financat e Zotos së inceneratorëve

Nga BoldNews.al

Një seri vendimesh që mbajnë firmën e kryeministrit Edi Rama kanë shërbyer si fije për të krijuar një qark të shkurtër mes kompanisë së inceneratorëve, “Integrated Energy” të Klodian Zotos dhe italianes “De Mare srl”, e cila është një nga fituesit e tenderit 15 milionë euro, pa garë, për mbylljen e landfillit të Porto Romanos.

Një histori ku ndërthuren propozime të pakërkuara, kompani off-shore, projekte të Partneritetit Publik-Privat, anashkalim procedurash normale tenderash, të cilat prodhojnë disa qindra milionë euro për kompanitë konçensionare, dhe dyshime për “hije” korruptive në veprimet qeveritare.

Dy kompanitë private nuk janë “rastësore” në këtë histori. Ato kanë një njohje dhe bashkëpunim prej disa vitesh me njëra-tjetrën. Por, për të kuptuar rolin e tyre në këtë histori dhe “lidhjet” qeveritare, duhet të kthehemi pas në vitin 2016.

Lidhja Zoto-De Mare
Në Maj të vitit 2016, kompania “Integrated Energy”, e regjistruar në Hollandë, pjesë e të cilës ishte Klodian Zoto, i njohur si lidhje e hershme e ministrit Arben Ahmetaj, dorëzon në qeveri një “propozim të pakërkuar” për ndërtimin e inceneratorit të përpunimit të mbetjeve urbane në Sharrë të Tiranës.

Vlera e projektit llogaritej në rreth 122 milionë euro. Qeveria shqiptare i jep bonus prej 8 pikës kompanisë së Zotos, si edhe e përzgjedh për të zbatuar skemën e Partneritetit Publik-Privat (PPP).

Në të njëjtën kohë, të dhëna publike, e lidhnin Zoton edhe me koncensionet për ndërtimin e inceneratorëve të ngjashëm, po me skemë PPP, në Fier dhe Elbasan. Vlera totale që Qeveria Shqiptare do të paguajë për këto projekte PPP përllogaritet në mbi 300 milionë euro.

Për realizimin e këtyre investimeve, “Integrated Energy” bashkëpunon me kompaninë italiane “De Mare” srl, me administrator Fausto De Mare.

“De Mare”, e cila nuk ishte regjistruar në Shqipëri, u përfshi si nënkontraktor në punimet e koncensionarit “Integrated Energy”. Disa video publicistike në rrjetin “Youtube”, të lancuara nga “De Mare” srl, dëshmojnë se ajo është angazhuar në projektin e fituar nga “Integrated Energy” për sistemimin e landfillit të Sharrës, në Tiranë.

Por, duket se ky nuk është i vetmi bashkëpunim mes kompanisë së Zotos dhe “De Mares”.

Në videot në “Youtube”, kompania italiane prezanton punën e saj që ka kryer edhe në zonën e Elbasanit dhe Fierit, pikërisht aty ku po ndërtoheshin inceneratorët, pas të cilave ka dyshime se janë kompani që të çojnë tek emri i Klodian Zotos.

Të dhënat deri në këtë pikë kanë thjesht vlerën provuese që “Integrated” dhe ‘De Mare” kanë bashkëpunim disa-vjeçar. Raporti mes tyre është tipike e marrëdhënies mes punëdhënësit ‘Integrated” dhe punëmarrësit “De Mare”.

Tenderi pa garë i Porto Palermos
Pas një bashkëpunimi 2-vjeçar me “Integrated Energy”, kompania italiane “De Mare” vendos të hapë një zyrë përfaqësimi në Shqipëri, e cila regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit në datë 5 Qershor 2018.

Objekti i Zyrës së Përfaqësimit ishte thjesht “menaxhimi i projekteve dhe ndjekja e punimeve të kompanisë mëmë”. Me fjalë më të thjeshta, Zyra do të menaxhonte projektet ku ajo ishte angazhuar në Shqipëri, e kryesisht në punimet në landfillin e Sharrës.

Një vit më vonë, në 18 Tetor 2019, “De Mare” srl regjistron në QKR “degën” “De Mare-Albania”.

Vetëm tre ditë më pas, më 21 Tetor 2019, siç ka raportuar “Boldnews.al”, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUM), e drejtuar nga Alqi Bllako, shpall tenderin 15 milionë euro për “mbylljen e vend-depozitimit të mbetjeve urbane të Porto Romanos dhe ndërtimin e Eko Park”, në Durrës.

Ky tender duhej mbyllur në 19 Nëntor 2019, ku do të shpalleshin edhe fituesit. Por, AKUM-i, disa ditë pas mbylljes së tenderit, njoftoi anulimin e procedurës, me argumentin e “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, të shpallur nga Qeveria pas tërmetit të 26 Nëntorit.

Në vijim, AKUM ri-zhvillon procedurën e tenderit, por kësaj radhe pa garë, nëpërmjet asaj që quhet “me negociim, pa shpallje paraprake”, e cila përdoret në raste specifike. Në bazë të kësaj procedure, AKUM njofton se fitues i këtij tenderi të mbyllur, me vlerë 15 milionë euro, është bashkimi i operatorëve “De Mare” srl dhe “Viktoria Invest International”.

Ndryshimi i procedurës nga AKUM shoqërohet me dyshime të forta, aq më tepër që vetë ky institucion, rreth 10 ditë pas tërmetit, në 4 Dhjetor 2019, konfirmon se po vijonin procedurat e tenderit standart.

Në përgjigjen, që institucioni i drejtuar nga Alqi Bllako i dërgon kërkesës së një avokateje, deklaron se tenderi për mbylljen e Porto Romanos është në fazën e shqyrtimit, pas shpalljes në Tetor 2019, pra një muaj para tërmetit.

Duket se diçka ka lëvizur në zyrat qeveritare dhe është gjetur tërmeti për t’u përdorur si “justifikim” për ndryshimin e procedurave.

E gjithë procedura është vulosur së fundmi, po nga Edi Rama, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT). Në vendimin e datës 13 Janar 2020, KKT vendosi të miratojë Lejen e Ndërtimit për landfillin e Porto Romanos.

Fonde “të fshehura” ekstra për Porto Romanon
Në këtë moment, rikthehen sërish dyshimet se “fijet” qeveritare mund të kenë luajtur në drejtim të shëndoshjes së financave të kompanisë së Klodian Zotos. Por duket se ka diçka edhe për “De Mare-n”.

LEXO EDHE  "Theu" karantinën, gjobitet me 700 000 lekë/ Ndëshkohen 282 persona në 24 orët e fundit

Kompania italiane dhe ortaku i saj shqiptar, “Viktoria Invest International”, do të paguhen 15 milionë euro për pastruar dhe kapsuluar (betonizuar) landfillin e Porto Romanos, e për ta rikthyer atë në Park të Gjelbër (Eko-Park).

Ky fond është vlerësuar i nevojshëm, për t’i siguruar kompanive, ndër të tjera, kostot për blerjen dhe transportin e inerteve të ngurta, që do të përdoren për “inkapsulimin” e landfillit të Porto Romanos.

Por, pavarësisht se fondi i tenderit do të jepet i plotë, qeveria e Edi Ramës duket se ka vendosur që t’ua ulë në mënyrë të konsiderueshme këto kosto, duke shtuar shpenzimet publike.

Në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.6, dt. 16.12.2019, që pasonte shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore pas tërmetit të 26 Nëntorit, qeveria i ka alokuar fonde Komitetit të Emergjencave për të kryer, ndër të tjera, edhe pastrimin e inerteve të ngurta të krijuara në Qarkun e Durrësit dhe depozitimin e tyre në landfillin e Porto Romanos.

Procesi i mbledhjes, transportit dhe depozitimit të inerteve të ngurta, do të kryhet nga mjetet e institucioneve publike, si edhe mjete private, të cilat do të paguhen nga fondet shtetërore për këtë shërbim.

Pra, para publike do të përdoren për mbledhjen e inerteve dhe dërgimin në Porto Romano, duke i siguruar kompanive “De Mare” srl dhe “Viktoria Invest”, falas, lëndë të parë të konsiderueshme për të mbyllur landfillin, ndërkohë që fondi 15 milionë euro është i palëvizshëm.

“De Mare”, pompë për Zoton?
Bashkimi i kompanive “De Mare” srl dhe “Viktoria Invest International” kanë dy drejtime kryesorë për pastrimin e landfillit të Porto Romanos, në kuadër të tenderit 15 milionë euro. E para, një pjesë të mbeturina urbane do të kapsulohen (betonizohen). E dyta, pjesa e mbetur, do të dërgohet në një landfill tjetër.

Edi Rama ka menduar se ku do të shkojnë jo vetëm mbeturinat aktuale, por edhe ato të ardhshme të qytetit të Durrësit. As më shumë, as më pak, se sa në inceneratorin e Sharrës, të administruar nga kompania koncensionare e Klodian Zotos.

Në mbledhjen e Qeverisë të datës 6 Dhjetor 2019, Edi Rama deklaroi publikisht se “plehrat e Durrësit do të shkojnë në landfillin e Tiranës. Në Durrës nuk ka asnjë kusht. Porto Romano do të mbyllet dhe do të kthehet në park dhe gjithë procesi do të transferohet në Tiranë…”.

Kontrata koncensionare për inceneratorin e Sharrës, nënshkruar ndërmjet Qeverisë Shqiptare dhe “Integrated Energy” BV, parashikon që Bashkia e Tiranës do t’ paguajë kompanisë private 29 euro/ton mbeturina. Kjo është kostoja që ka përllogaritur koncensionari, referuar lëndës së parë (mbeturinave urbane) që mund të sigurohet nga qarku i Tiranës.

Bazuar në logjikën ekonomike, shtimi i lëndës së parë ulë tarifën që autoritetet shtetërore duhet t’i paguajnë koncensionarit.

Por, në rastin e inceneratorit të Sharrës, kjo gjë nuk ka ndodhur. Kryeministri Edi Rama ka vendosur që mbeturina e Durrësit të përpunohen në landfillin e Tiranës, duke i shtuar ndjeshëm lëndën e parë kompanisë së Zotos. Ndërkohë, nuk është parashikuar asnjë ulje për tarifat, gjë që çon në gati dyfishimin e të ardhurave për kompaninë koncensionare.

Shtimi i lëndës së parë për “Integrated Energy” nuk duket se është ide e re, e aq më tepër e nxitur nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019.

Në Studimin e Fizibilitetit për vend-depozitimin e mbetjeve urbane të Sharrës, hartuar në vitin 2016, është parashikuar shtimi i sipërfaqes së landfillit me rreth 450 mijë m2, tokë e cila u vendos të shpronësohej.

Landfilli i Sharrës kishte një sipërfaqe ekzistuese mbi 700 mijë m2, e mjaftueshme për të grumbulluar e përpunuar mbeturinat, si edhe ngritjen e kapanoneve të inceneratorit. Ndaj, shtimi i sipërfaqes me rreth 500 mijë m2, u duk e pakuptimtë në atë kohë.

Për më tepër që qeveria e Edi Ramës, me një “manovër”, ka vendosur së fundmi që të shtojë koston e shpronësimit të kësaj toke, me “një të rënë të lapsit”, me rreth 700 mijë dollarë.

Sot, kur është vendosur që mbeturinat e Durrësit të mblidhen në Sharrë, çdo gjë bëhet më e qartë. Duket se qeveria Shqiptare e ka planifikuar që në vitin 2016 se inceneratori i Klodian Zotos do të “ngarkohej” edhe me detyrën e përpunimit të mbetjeve të Durrësit.

Të paktën, deri më tani, nuk ka asnjë njoftim zyrtar për uljen e tarifave që institucionet do t’i paguajnë koncensionarit, pavarësisht rritjes së konsiderueshme të lëndës së parë. Nëse situata mbetet e tillë, kompania, pas të cilës ekzistojnë dyshime se qëndron Klodian Zoto, do të dyfishojë të ardhurat e saj, me “bekimin” e qeverisë së Edi Ramës.

Skema duket se ka funksionuar me qark të mbyllur, ku, për të bërë më të padukshme fijet që lidhin qeverinë e Ramës me Klodian Zoton, duhej edhe një “urë kalimi”, rol të cilin ia kanë dhënë bashkëpunëtorit të “Integrated Energy”, kompanisë italiane “De Mare” srl.