Ekskluzive/ SPAK nis hetim për tenderin 15 mln euro të Porto-Romanos. Sekuestrohet dosja

Majtas: Alqi Bllako, Drejtor i Agjencisë Kombëtare Ujsellës-Kanalizimeve dhe Mbetjeve Urbane. Djathtas: biznesmeni Klodian Zoto

Nga BoldNews.al

Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka nisur hetimet për tenderin 15 milionë euro, të zhvilluar nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime (AKUM) për mbylljen e landfillit të Porto-Romanos, pak ditë pasi “Boldnews.al” publikoi dokumenta që krijonin dyshime për procedura fiktive.

Burime nga AKUM deklaruan për “Boldnews.al” se oficerë të Policisë Gjyqësore të SPAK-ut kanë sekuestruar në fillim të kësaj jave dosjen e tenderit, në të cilin u shpallën fitues bashkimi i operatorëve “De Mare” srl dhe “Viktoria Invest International”, në një procedurë të mbyllur, nga ato që konsiderohen “me negociim, pa shpallje paraprake”.

Më tej, ky informacion u konfirmua për redaksinë edhe nga burime brenda Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion-SPAK. Të njëjtët burime deklaruan se është regjistruar procedim për veprën penale të “Shkeljes së barazisë në tendera”, ku të dyshuar janë zyrtarë të nivelit të lartë, të cilët janë subjekte nën kompetencën hetimore të SPAK-ut.

Prag-skandali?
SPAK-u e ka regjistruar procedimin penal kryesisht, pas artikullit të publikuar në “Boldnews.al” në datë 30 janar 2020, me titull: “Skandali/ Fituesi i tenderit 15 milion euro në Porto Romano u regjistrua në QKB 3 ditë para procedures”.

Në bazë të të dhënave zyrtare të siguruara nga redaksia, rezulton se Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, e drejtuar nga Alqi Bllako, në datë 27 janar 2020 shpalli fitues të tenderit “Mbyllja e venddepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta EKO-Park, Durrës”, bashkimin e dy operatorëve, konkretisht: kompaninë italiane “De Mare” srl, e regjistruar në QKR vetëm 3 ditë para tenderit, si dhe kompaninë shqiptare “Viktoria Invest International”.

Sipas njoftimit zyrtar të AKUM, tenderi ishte zhvilluar pa garë, më saktë me procedurën e “negociimit paraprak, pa shpallje”, nën argumentin e situatës emergjente të krijuar pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019.

Megjithatë, “Boldnews.al” krijoi dyshime se procedura e ndjekur nga AKUM-i u aplikua, me qëllim që të shmangte garën në tenderin me fond limit 16 miliardë lekë të vjetra (pa TVSH), afërsisht 15 milionë euro.

Dyshimet
Në 18 Tetor 2019, regjistrohet në QKR “De Mare-Albania”, si dega e huaj e kompanisë e “De Mare” srl.

Në objektin e kësaj kompanie janë “drejtimi teknik dhe testimi, ndërtimi e menaxhimi i impianteve për llogari të vetën dhe të palëve të treta, private dhe publike, për ruajtjen dhe trajtimin e mbetjeve inerte urbane…., impiant të shkatërrimit termik dhe impianteve të rivlerësimit termik të mbeturinave, landfilleve, bonifikime…”.

Vetëm 3 ditë pas regjistrimit të “De Mare-Albania” si “degë e huaj” e “De Mare srl”, konkretisht në 21 Tetor 2019, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM) shpall tenderin për “mbylljen e vend-depozitimit të ngurta EKO-Park, Durrës”.

LEXO EDHE  Gjithçka që ende nuk dimë për Covid-19

Tenderi u parashikua të mbyllej në datë 19 Nëntor 2019. Por, në kohën kur duhej të shpallej fituesi, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime njoftoi se tenderi ishte anuluar, për shkak të “gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, të shpallur me Vendim të Këshillit të Ministrave më 27 Nëntor 2019, një ditë pas tërmetit tragjik.

Pas anulimit të tenderit të parë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime e ka rishpallur procedurën e prokurimit publik. Por, kësaj radhe, ka ndjekur procedurën e “mbyllur”, atë që quhet “procedurë me negociim paraprak, pa shpallje”, duke shpallur fitues bashkimin e operatorëve “De Mare” srl. dhe “Victoria Invest International”.

LEXO EDHE: Edi Rama përdor “De Mare” si pompë për të fryrë financat e Zotos së inceneratorëve

Autoriteti kontraktor, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizime e ka argumentuar këtë procedurë “të veçantë” tenderi “për shkak të nevojës ekstreme pas ngjarjeve të shkaktuara nga tërmeti i dates 26.11.2019”.

Ky argument duket se “çalon” për disa arsye, referuar të dhënave publike të mëparshme, të cilat sugjerojnë që mbyllja e landfillit të Porto-Romanos nuk lidhet me “emergjencën e tërmetit të 26 nëntorit 2019”.

Landfilli i Porto-Romanos konsiderohet një nga pikat më të nxehta në Shqipëri, me nevojë urgjente për mbylljen e tij. Në vitin 2016, Bashkia e Durrësit hartoi një plan-studimi, ku parashikohej mënyrë se si duhej mbyllur ky landfill.

Në Qershor 2018, kryeministri Edi Rama deklaroi se “Ne kemi marrë një angazhim që ta mbyllim zonën kanceroze të fushës së mbetjeve. Besoj deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm”.

Por, megjithë premtimet politike, land-filli i Porto-Romanos nuk u arrit të mbyllej në vitin 2019. Megjithatë, deklarimet e zyrtarë të lartë dëshmojnë se land-filli i Porto Romanos ishte shndërruar në emergjencë për shkak të ndotjes alaramente. Dhe kjo gjë nuk kishte lidhje me tërmetin e 26 Nëntorit.

Që mbyllja e land-fillit të Porto Romanos ishte shndërruar në “emergjencë” konfirmohet edhe nga fakti që Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, administruese e asaj zone, kishte shpallur tenderin në Tetor 2019, pra rreth një muaj para tërmetit tragjik të 26 Nëntorit.

Gjithashtu, për shkak të shtrirjes dhe specifikës së zonës, land-filli i Porto Romanos nuk pësoi dëme strukturore (pasi nuk ka të tilla) nga tërmeti i 26 Nëntorit, që të mund të justifikonte ndërhyrjen “me negociim, pa shpallje paraprake” për shkak të pasojave të lëvizjeve sizmike.

Pas këtyre dyshime, tashmë është SPAK-u që do të kryejë hetimet e saj, për të vlerësuar nëse është kryer vepër penale dhe, më tej, për personat përgjegjës.