Kuvendi ka miratuar në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar paktin e arritur mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ndryshimet në kodin zgjedhor.
Ky projektligj ka marrë 106 vota pro dhe 2 kundër, teksa tek miratimi në parim kanë qenë më të shumtat votat kundër, por që më pas braktisën sallën. Dy deputetët që kanë votuar kundër miratimit të ndryshimeve të kodit zgjedhor kanë qenë Enkelejd Alibeaj dhe Dashnor Sula.
Ky kod i ri zgjedhor dë të vihet në zbatim që prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.
Seanca e sotme është shoqëruar me debate të forta për shkak se pakti parashikon mbylljen e 1/3 të listës së kandidatëve për deputetët dhe një pjesë e deputetëve të opozitës e kanë kritikuar këtë gjë.
Deputetët e partive të vogla si Dashamir Shehi, Fatmir Mediu, Agron Duka, po ashtu edhe ish-kryedemokrati Lulzim Basha me grupin e tij, Enkelejd Alibeaj apo edhe deputetët e PD-së si Dashnor Sula, Bujar Leskaj dhe disa të tjerë kanë qenë kundër mbylljes së listave, ku kanë kërkuar lista tërësisht të hapura.
Ndërkohë, Gazment Bardhi dhe Oerd Bylykbashi iu janë përgjigjur se nuk kemi të bëjmë me një reformë zgjedhore, por vetëm me zbatim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës si dhe për heqjen e herësit prej 10 mijë votash.
Risia e kodit të ri zgjedhor është vota e diasporës, ku emigrantëve do t’u jepet mundësia për herë të parë për të votuar.
Para se të votojnë, emigrantët do të duhet të bëjnë një regjistrim të veçantë në një regjistër të veçantë, ku regjistrimi do të jetë i vlefshëm vetëm për një palë zgjedhjeje. Më pas votatat do të vijnë me postë private në Shqipëri, e cila do të përzgjidhet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ndërkohë në kodin zgjedhor ndryshon edhe modaliteti i zgjedhjes së deputetëve. 1/3 e listës do të jetë e mbyllur dhe pjesa tjetër 2/3 do të jetë listë e hapur, ku edhe një votë do të bëjë diferencën nëse partia e tyre arrin të marrë mbi 30% të mandateve në një Qark.
Me këtë kod zgjedhor, reth 30% e emrave të deputetëve në krye të listës që do ta kenë vendin e sigurt në Kuvend, do të përcaktohen nga kryetari i partive. Emrat e renditur më poshtë më pas do të zgjidhen me vota preferencia, nëse partitë arrijnë të marrin më shumë se rreth 30% të mandateve në një qark.
Më konkretisht, në Qarkun Tiranë që janë 36 mandate deputetësh, 12 emrat e parë të listës së kandidatëve të një subjekti zgjedhor, janë emra të sigurt për t’u futur në Kuvend, mjafton që forca politike të arrijë numrin e votave për të çuar në parlament 12 deputetë.
Pas këtij numri rendor, do të ketë një garë të hapur mes emrave që renditen, duke hyrë në funksion ai që konsiderohet si votë preferenciale, që do të përcaktojë më pas se cilët emra do të marrin mandatin, referuar numrit të votave personale.
Kështu, ka një hapje të vogë të listës, teksa kryetarët e partive do të arrijnë të futin “besnikët” e tyre në Kuvend, pa i vendosur në sfidën se sa vota preferenciale kanë në terren. Gjithçka do të jetë në dorë të kryetarëve të partive se kë do të futin në listën e sigurt dhe kë jo.
Por, duke qenë se lista e kandidatëve për deputetë është shumë e gjatë, vetëm emrat e parë arrijnë të futen në Kuvend dhe numri i deputetëve që do të zgjidheshin nga votat preferenciale do të jetë shumë e vogël.
Nëse kjo formulë do të ishte aplikuar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021, atëherë 31 deputetë do të ishin zgjedhur të mbështetur nga vota e qytetarëve dhe 109 të tjerë do të ishin të mbrojtur/favorizuar nga renditja e partisë.
Gjithashtu, është miratuar edhe amendamenti për të ruajtur kuatot gjinore, ku 30 % të emrave fitues si tek lista e sigurt po ashtu edhe tek lista e hapur do të jenë vajza dhe gra.
Kodi i ri Zgjedhor bën edhe një tjetër ndryshim. Pragu elektoral kombëtar do të jetë 1%. Kjo iu jep mundësi përfaqësimi partive të vogla, por mandati për to do të kalkulohet vetëm nëse në një qark të caktuar tejkalojnë shifrën e 7 mijë votave.