Nga Agim Nesho
Për një pjesë të opinionit publik ka qenë e qartë që SPAK asnjëherë nuk ka qenë një institucion i pavarur. Ai ka qenë pjesë e një drejtësie të kontrolluar nga regjimi për të konsoliduar pushtetin e tij. Logjika normale pranon që nuk mund të ketë institucione të pavarura në një shtet, kur regjimi ka kapur gjithë institucionet e shtetit, nuk ka balanca të pushteteve dhe shteti i të drejtës pothuajse nuk ekziston.
Kjo drejtësi e dirigjuar u inicua nga regjimi i Ramës nëpërmjet një projekti të Fondacionit Soros, i cili e kishte zbatuar atë në Gjeorgji, për të konsoliduar pushtetin e presidentit Shakashvilit, një tjetër krijesë kontroversiale e Soros-it.
Por pse e përkrah perëndimi reformën në drejtësi?
Së pari, për perëndimin një reformë në drejtësi është një proces i nevojshëm për konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe forcimin e demokracisë në një vend që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Së dyti, shtete të fuqishme të BE-së e shikonin reformën në drejtësi si një nevojë për shtimin e investimeve të huaja dhe mbrojtjen e tyre. Për shembull, Gjermania e kishte përjetuar keq cështjen e Deutsche Bank dhe e shikonte drejtësisë si një pengesë për integrimin e Shqipërisë në BE.
Së treti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e përkrahën idenë e reformës duke përkrahur ‘figurën e një artisti demokrat, të përkushtuar”, që promovohej pa rezerva nga një grup presioni, sic është Fondacioni Soros. Në parim, SHBA kanë përkrahur cdo reformë drejtësie, deri se ka provuar që reforma është e kapur dhe i shërben nevojave të regjimit për të kapur shtetin.
Së katërti, vendet kryesore perëndimore kanë investuar miliona euro e dollarë për reformën në drejtësi dhe SPAK dhe burokratët që e kanë shtyrë këtë reformë kanë frikë të flasin për dështimin e saj për arsyen që duhet të japin llogari para Kongresit për keqmenaxhim të fondeve publike. Ata vazhdojnë ta përkrahin duke menduar se mund ta kontrollojnë procesin gjatë rrugës, duke treguar naivitet në kushtet e një regjimi autokrat.
Pas arritjes së konsensusit të plotë politik dhe ndryshimit të Kushtetutës nga 140 deputetët e Parlamentit Shqiptar, u vu re se kjo reformë po kapej nga regjimi në fuqi: zgjedhja e prokurores së përgjithshme të përkohshme me 69 vota, duke shkelur Kushtetutën; në manipulimin dhe zgjedhjen preferenciale të anëtarëve të organeve që do të kryenin vetingun; në luftën pa princip kundër Presidentit të Republikës dhe tendencat për të kapur institucionet kryesore të drejtësisë, etj.
Kapja e institucioneve të drejtësisë u tolerua nga Perëndimi kur në mesin e viteve 2017 zuri vend në agjendën politike nevoja për një zgjidhje politike për Ballkanin Perëndimor, zgjidhje e vetë-ofruar nga liderët ballkanikë Vucic-Rama-Thaci, por e sponsorizuar edhe në SHBA, si ‘agjentë të ndryshimit dhe krijimit të paqes dhe stabilitetit në rajon”. Është koha kur Perëndimi ka një konsensus të ri për Serbinë dhe nevojën për ta tërhequr atë drejt Perëndimit; kur Rama dhe Vucic krijojnë Ballkanin e Hapur për të rritur dominimin serb në rajon dhe ideja e ndryshimit të kufijve dhe krijimi i shteteve në linja të pastra etnike qëndronte pezull, por e përkrahur që në fillim nga Rusia për një zgjidhje të re gjeopolitike në Ballkan.
Ky ishte oportuniteti politik kur regjimi Rama inkriminoi shtetin, nxiti korrupsionin galopant shtetëror për të forcuar pushtetin, loboi për të blerë influencë politike në SHBA (cështja e McGonigal), mori si këshilltarë ish-kryeministra të vendeve perëndimore dhe justifikoi kanabizimin dhe kthimin e Shqipërisë në një platformë të drogës dhe pastrimit të parave në Europë.
Blerja e influencës dhe indiferenca politike dhe pragmatizmi i Perëndimit bëri që Rama të godiste kundërshtarët e tij politikë, Presidentin Berisha dhe Presidentin Meta, me qëllim spastrimin politik në Shqipëri. I pari për mospranimin e një bashkëqeverisje me regjimin e korruptuar të Ramës dhe të dy liderat e opozitës për qëndrimet e tyre parimore e patriotike për cështjen e kombit Shqiptar. Duket qartë që cështja e non-gratas për z. Berisha ishte një lobim i qartë për të goditur liderin e opozitës nëpërmjet një procesi jo transparent dhe të mbyllur. Rama dështoi edhe në sulmin kundër Presidentit Meta, duke e goditur me përdorimin e Parlamentit për ta shkarkuar nga pozicioni i presidentit në detyrë. I diskretituar me afera korruptive dhe anti-kombëtare, Rama filloi të përdori SPAK për të goditur kundërshtarët e tij.
Për të treguar se është i paanshëm, SPAK filloi të godasë nga të dy anët për të thënë se ka mision për të luftuar korrupsionin dhe është i papolitizuar. Në fakt drejtësia e “balancuar”, nuk është drejtësi e vërtetë në plotësimin e qëllimeve të saj, por një drejtësi e dirigjuar që godet liderat e opozitës me cështje të vjetra e të gjykuara, apo në arrest shtëpie pa akuzë, dhe nga ana tjetër godet disa peshq të vegjël kur tufa e peshkaqenëve po masakron vendin. Thelbi i bashkëpunimit të Ramës me SPAK është se ai e shikon veten mbi sistemin dhe si autokrat nuk i interesojnë më bashkëpunëtorët e tij në krim, të cilët me dëshirë i hedh në rrjetën e drejtësisë. Pavarësisht se SPAK kërkon të duket i pavarur, Rama hapur jep direktiva, hapur orienton se cilat cështje duhet të hetohen dhe kërcënon se nëqoftëse tejkalon kopetencat dhe vepron sipas ligjeve mund ti zëvendësojë me “drejtësinë Europiane”. Për autokratin Rama nuk mund të ketë një Republikë të prokurorëve në mbretërinë e tij të pa kufizuar.
Deklaratat e fundit të kreut të SPAK në Parlament, ishin sa qesharake aq edhe dëshpëruese për një opinion publik që besonte në funksionimin e këtij institucioni. Përdorimi i shprehjes “krim intelektual”, një shprehje e pavend për një krim të dukshëm që ulëret me fakte tashmë të provuara dhe popullit i vidhen hapur qindra milion euro. Asgjë intelektuale, përvecse impotencë profesionale për të goditur Ramën dhe Veliaj, duke zhgënjyer të gjithë. Nga ana tjetër, deklarata se ‘SPAK nuk është një ishull, e i vetëm nuk mund të bëjë asgjë”, është një shprehje dëshpëruese që tregon se institucioni që duhet të veprojë në bazë të Kushtetutës dhe ligjit, mbetet pjesë e lojës politike të regjimit apo të burokratëve të huaj që mbajnë në këmbë këtë regjim.
Ngjarjet e fundit në SHBA, ku ka patur përpjekje për të përdorur segmente të drejtësisë për influencë politike kanë polarizuar vendin, dhe kanë shtuar tensionet sociale. Këto devijime mbeten të papranueshme për demokracinë Amerikane dhe ajo ka forcë për të korrigjuar se ka balancë të pushteteve.
Në Shqipëri, SPAK vepron në një shtet të kapur nga një regjim korruptiv. Ai ka dy rrugë për të mbijetuar: të godasë krimin dhe të thyejë regjimin duke ditur se ka një perkrahje popullore, ose të shkrihet së bashku me vetë regjimin. Po nuk goditi regjimin, do të jetë regjimi që do ta zëvendësojë me “drejtësinë europiane”, pasi të godasë kundërshtarët e tij.