Kreu i PD-së, Sali Berisha ka akuzuar kreun e SPAK, Altin Dumanin dhe prokurorët e tjerë të Prokurorisë së Posaçme se bëjnë pazare për gjoba me mandatet e arrestit.
Gjatë fjalës në tubimin e sotëm, Berisha tha se në tre muajt e fundit janë lëshuar 72 mandate arresti, por prej tyre janë arrestuar vetë 6 persona, 4 një herë dhe dy një herë. Lideri demokrat i akuzoi prokurorët se kanë lidhje me krimin dhe kryeministrin Edi Rama dhe për këtë shkak ata që duhet të arrestohen, paguajnë dhe largohen.
Ndër të tjera Berisha foli edhe për 9 urdhër-arrestet e lëshuara sot nga SPAK në lidhje me inceneratorin e Tiranës, ku si rezultat nuk u arrestua asnjë person. Kreu i opozitës tha se fillimisht u firmosën 21 mandate arresti por kryeministri Edi Rama ia ktheu mbrapsht dhe sipas tij, Dumani bëri sikur vazhdoi betejnë me 9 urdhër-arreste.
Berisha tha se ata janë të gjithë në arrati sepse u mori gjobën dhe zbatoi vendimin e Ramës.
Sali Berisha: Të dashur miq, ju e patë, për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, Altin Dumani i dumanistëve të pafytyrë, Altin Dumani ky mercenar, në një hark kohor tremujor, si kurrë ndonjëherë në historinë e një shteti, ka firmosur 72 mandate arresti dhe ka burgosur gjithsej 6 persona, 4 në radhën e parë, 2 më vonë, 6 gjithsej nga 72 mandate arresti. Sepse ky pazarexhi i pafytyrë, bashkë me ekipin e tij, bën pazare me mandatet për gjoba, zbaton urdhrat e Edi Ramës. A mund të imagjinoni ju zotërinj, a mund të ndodhë në ndonjë vend, iu pyes ju o lakej të Edi Ramës që këndoni nëpër studio dhe artikuj këngën e Zamanit, çfarë fytyre keni t’u thoni shqiptarëve, nga 72 mandate janë vetëm 6 të arrestuar. Ndërkohë të tjera grisen, fshihen, largohen, të tjerë paguajnë dhe ju vazhdoni të mashtroni shqiptarët se jeni të marrë peng nga Dumani. Se keni lidhje me botën e krimit. Po edhe nëse nuk jeni të lidhur me bandat, jeni të lidhur me Edi Ramën. Mjeranë, hipokritë, hiqeni si opozitarë. Turpi ju mbuloftë, ju dhe Zamanin tuaj. Atyre, të cilët duan t’u servirin Skapin si sukses, u them në qoftë se e bëni nga naiviteti, referohuni të dhënave sepse ky vend para Skapit ka pasur një prokurori të krimeve të rënda, e cila kurrë nuk bëri pazare me Edi Ramën, Sali Berishën dhe asnjë njeri. E cila u dha dënim përjetë kapobandave shqiptare kudo që ishin, që i liroi më vonë Edi Rama. I liroi Skapi i partisë disa prej tyre.
Pra, zotërinj, hapni arkivat, lexoni raportet tuaja për të parë se cila është e vërteta. Shqiptare e shqiptarë, mos pranoni kurrë sapunin për djathë. Është mësimi juaj. Mos shikoni pollet e porositura dhe të manipuluara siç manipulonte dikur Vllahica me kaunterpartin e vet. E vërteta është se Skrapi i partisë ka amnistuar krimet më monstruoze elektorale. Ka amnistuar vjedhjen e 136 milionë eurove për djegësine Tiranës që nuk ekziston. Ka amnistuar pothuajse tërësisht 930 milionë euro të vjedhura, të abuzuara dhe denoncuara nga KLSH në 9 muaj. Ka amnistuar ndërtimin e rrugëve 13 herë më shtrenjtë se në BE. Ka amnistuar ndërtimin e shkollave 10 herë më shtrenjtë se në BE. Ka amnistuar ndërtimin e tunelit të korrupsionit, investim 45 mijë euro për banor si në asnjë skaj tjetër të planetit nga Edi Rama sepse kjo ishte ëndrra e Babi Pilos kur pushonte në Dhërmi. Pra, i them këto se të gjitha këto janë shkaku i largimit të shqiptarëve dhe ne jemi shpresa e fundit për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Miqtë e mi, para tre javësh u lëshuan 21 mandate, i kapërdiu Dumani se i tha Edi Rama futi nga i nxore. Çfarë ndodhi? Tre javë më vonë, gjoja vazhdoi betejën, lëshoi 9 mandate, që të gjithë në arrati sepse u mori gjobën dhe zbatoi vendimin e Ramës. A ka pafytyrësi më të madhe? Ka pasur një institucion përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, që quhej Prokuroria e Krimeve të Rënda, lexoni raportet, lexoni regjistrat, ka ndodhur që ka lëshuar edhe 53 mandate arresti, por nga 53 mandate janë arrestuar 47. Dhe tani do këndoni dështimin për sukses? Jo mo jo. Ne jemi këtu sa të jetë e vërteta. Ne do u themi shqiptarëve të vërtetën pavarësisht se i pëlqen këtij apo atij.