Janë me dhjetra tendera të bashkive të cilat i janë dhënë një konkurrenti të vetëm duke sjellë abuzime dhe fovorizime të miqve të kryebashkiakëve.
Aranita Brahaj, Drejtore Ekzekutive e Open Data Albania, një portali të transparencës financiare, ka publikuar edhe një tabelë me të dhënat e tenderave për dhjetë bashkitë e majta ku kryeson ajo e Tiranës. “Tenderat me konkurrent të vetëm”, zakonisht nuk janë pasojë e mungesës së konkurrencës. Ato vijnë edhe si rrjedhojë e vendosjes së ndonjë tenderi që favorizon kompanitë e caktuara…”, shkruan Brahaj.
Edhe pse procedura është tërësisht ligjore, ajo lë hapësirë të madhe për abuzime.
Nga të dhënat e publikuara del në përfundimin se në pjesën më të madhe të bashkive, fituesit e tenderave janë të përcaktuar dhe procedurat janë thjesht formale. Në këtë mënyrë, kryebashkiakët favorizojnë njerëzit pranë tyre ose ata që i kanë ndihmuar gjatë kohës së fushatave për zgjedhjet lokale.
Konkretisht, këto proceduara janë ndjekur më shumë nga bashkitë Berat, Vau i Dejës, Rrogozhinë, Shijak, Poliçan, Tiranë, Cërrik, Devoll e Gramsh. Në të gjitha tenderat shihet se fondi limit me vlerën e shpallur me fitues janë thuajse të njëjtë. Në total fondi limit është 115,152,650 lekë të reja pa TVSH, ndërsa vlera e shpallur fituese është 113,540,176 pa TVSH. Diferenca për të dhjetë tenderat është vetëm 1,612,474 lekë. Një tjetër tender është zhvilluar po në Bashkinë e Tiranës nga Drejtoria Nr.2, për blerje pllaka betoni, për shtime dhe bordura. Fondi limit është 11,250,000 lekë. Kompania ARJEIL SHPK ka ofruar 11,178.600. Kjo kompani ka qenë e vetmja ofertuese. Tenderi me vlerën më të lartë është ai i zhvilluar në bashkinë e Gramshit, për Mirëmbajtjen e Varrezave të Dëshmorëve. Fondi limit është 22.550,000 lekë. Kompania KURORA SHPK ka ofruar 21,980,035 lekë dhe është shpallur fituese. Në vlera të përafërta janë edhe tenderat e zhvilluara nga bashkitë e tjera.
Nga 10 njësitë e reja administrative që kanë bërë tendera me fond limit mbi 5 milionë lekë, 9 administrohen nga përfaqësues të mazhorancës dhe 1 nga të opozitës parlamentare. Prokurimet Të dhënat e Open Data Albania bazohen në databazën e portalit për Prokurime Transparente dhe përmbledh 61 njësitë e qeverisjes së vendit.
Ky portal ka informacion për prokurimet publike të zhvilluara nga korriku i vitit 2015 e në vazhdim. Në total në këtë periudhë kohore rezulton të jenë 1290 procedura të shpallura me një fond limit prej 11.92 miliard lekë. Secila nga këto procedura prokurimi është e listuar në portalin Prokurime Transparente, rubrika Tender. Bashkia Tiranë është bashkia me vlerën më të lartë të fondit limit për prokurime në këtë periudhë. Tirana ka shpallur 129 tender me vlerën e 2.28 miliard lekëve. Me diferencë të madhe në vlerë Bashkinë e Tiranës e pason Bashkia Durrës me 50 procedura dhe vlerë të fondit limit 931.79 milion lekë. Bashkia Fier është në vendin e tretë sipas vlerës së fondit limit. Kjo bashki ka 59 tender të shpallur por me fond limit prej 899.85 milion lekë.
Në listën e 10 bashkive me fond limit më të lartë të tenderuar janë edhe bashkitë Korçë, Sarandë, Berat, Divjakë, Gjirokastër, Kavajë dhe Librazhd. Ndërsa 10 bashkitë me vlerat më të vogla të fondit limit të shpallur për tenderime janë Ura Vajgurore, Mirdita, Përrenjasi, Delvina, Libohova, Fushë – Arrëzi. Pogradeci, Tepelena, Dropulli, Memaliaj dhe Pusteci.