Nga Basir Çollaku
Prokurori francez, drejtues i ekipit hetimor franko-belgo-holandez, ku po zbardhen e sistemohen përgjimet e sky-encro, duke u informuar e lexuar pafundësi materialesh të dosjeve të nisura, shumica drejt SPAK-ut në Tiranë, në një moment shprehet i befasuar duke nënqeshur:
“E çuditshme dhe e rrallë. Nuk kam parë askund, në asnjë hetim, kriminelë më të politizuar se shqiptarët…” Teksti dhe konteksti i qartë del nga bisedat. Tre ishin prioritetet e bandave në bisedat me politikanët e pushtetarët. Dominon interesi i përbashkët. Zgjedhejt, Vettingu, Investimet.
Si u nis e si vazhdon ?!
Paralamentaret 2021, nuk ishin asgjë më tepër se një vazhdimësi kriminale e atyre të vitit 2016, 2017, ku PS kishte krijuar shtabe të përbashkëta me Mafian dhe bandat në të gjithë vendin. Dosjet 184 dhe 339, shumë përgjime të të cilave dolën në gazetën gjermane “Bild” janë një tregues i pafuqisë së çdo lloj prokurorie, duke përfshirë edhe atë të Posaçme, si një dështim hetimor i kontrolluar.
Dosjet e ardhura nga Franca, Belgjika,Holanda, me produkt sky-encro janë një përforcim tronditës i thellimit të krimit elektoral në Shqipëri, ku Edi Rama instaloi modelet e pandëshkuara në dosjet e mëparshme. Një prej tyre, me publikime ende të pjesëshme, episodi i tretë i “Metamorfozës”, emërtuar “Revanshi” me 50 urdhër-arreste, shumica të ikur, por pati të arrestuar me pikatore.
Më së shumti të gjendurit në qeli për vepra të tjera. Kjo nuk ishte asgjë më tepër se një zgjatim i dosjes së katër viteve më pare, asaj “ 339”, me të njëjtët emra, duke shtuar sasinë e madhe të përgjimeve, si provë bindëse e ortakërisë së ekipit politik të Edi Ramës, nën kontrollin e bandave të qyteteve, ku ishin dërguar. Arrestimi i ish-ministrit Ilir Beqaj, për një nga shumë zullumet, solli edhe një publikim përgjimi shumë domethënës, ndonëse ende jo prioritet hetimi. Si drejtues politik në Shkodër në 2021, përpjekjes për të mos thirrur shtabin real, iu përgjigjën ustallarët keqbërës. Organizim pa leje i lojërave të fatit, është për çdo grup në çdo qark edhe sot e kësaj dite, ku bandat mbajnë hapur kazino, skedina e lloto, për të shëndoshur portofolet, e bërë gati për zgjedhjet.
Kur vendosi të mbledhë ekipin drejtues të fushatës së PS në Shkodër, Beqja la mënjanë konsultimet paraprake me shefat përtej ligjit. Behar Bajri dhe Pëllumb Gjoka diskutojnë në platformën Sky ndodhinë e takimit politik me 30 shtator 2020 e japin porosinë nëpërmjet deputetit, po socialist, Luan Harusha. Bisedat e publikuara nga “Ora neës”, janë domethënëse.
Bisedat…
Në 26 shtator 2020. Pëllumb Gjoka i shkruan në “Sky” Behar Bajrit duke i thënë: “…O vëlla fol me Luanin se ashtë tu ba si interesant… i kam unë tan thotë, e nuk kam nevoj për kand. O vëlla fol me Luanin se asht tu ba interesantin. A ke fol gja me ta ti? Jo se ka problem, por po prish punë”.
Ndërsa Behar Bajri ja kthen përgjigjen: “…Kur ma…po ja q** rrobt atij…”.
Por më tej Gjoka i shkruan sërish Beharit duke i thënë: Thuaj të mos shkojnë…thuaj të mos shkojnë në takime pa i thanë na. Ka lan takim me Ilir Beqajn të mërkurën. Don me mbledh Kryetarët e Partive me i çu tek ai, por hajde e thërrasim njire na dhe flasim me të. Thuj të mos shkojnë në takime. Thirre njerë ti dhe thuji kush të ka thanë me ba takime? Nesër po vij vet e flasim me ta…”
Behari i përgjigjet shkurtimisht me “…ok ok…”. Por sërish Pëllumb Gjoka i shkruan Behar Bajrit se kur të takonte deputetin e PS në Shkodër Luan Harusha, ti: “…Bërtiste fort se asht tu u munu me na anashkalu…” dhe Behari ia kthen sërish shkurtimisht: “aaaa…”.
Rezultati dihet, nënshtrimi deputetëve e të dërguarve nga Tirana, atyre të inkriminuarve, fuqia e të cilëve vinte sërish nga Tirana.
Biseda e përgjime të shumta, thuajse gjysma e çdo dosje është me regjitë elektorale drejtuar nga të fortët, vrasës, trafikantë. Njëlloj në vitin 2021, Pëllumb Gjoka kthyer edhe në investitor strategjik, bashkë me Bajrët ishin kontrollorë edhe më të dukshëm e të dhunshëm fizkisht me makina të blinduara nëpër qendra votimi, duke bërë ministreshën Elisa Spiropali e kandidatin e zgjedhur kryebashkiak Benet Becin, pasagjerë të urdhërave të tyre. Shikoni sot në Bashkinë Shkodër, kush merr tendera e investime, madje edhe para oborrit të bashkisë, për të vijuar në Velipojë e Shirokë. Po në Durrës, Bledi Klosi e Vangjush Dako me kë gjezdisnin e pushtonin qendrat e votimit, me koordinator Agasin, Visin e Pojës, Griseldën e Vettingut.
Po në Elbasan, Taulant Balla, a kishte në ekip Suel Çelën me problematikët prodhues të ngjarjes kriminale ku ndodhi vrasja tragjike me 21 prill 2021?! Po Ulsiu “për ma nalt”, e Pjerini shkarkues drejtorësh, mysafirë të 184, si e trashën në Lezhë ku ndodhën edhe vrasje?! Po Damiani në Vlorë e Erioni në Tiranë me 5D e inceneratorë, sot në qeli pjesa më e madhe e në arrati kusuri?! Bela e Dibrës derdhi mbi e nën ligj gjithë asetet e përfolura për lidhje qelie. Çuçi e Ahmetaj, në Gjirokastër, Berat, Niko në Korçë, nuk sollën urti me favore keqbërësve. Materialet nëpër dosjet e partnerëve, pjesë e rëndësishme e ardhur në SPAK janë aty.
Hapja e tyre natyrisht trondit mazhorancën, deputetë, ministra e drejtues politikë. Por ky nuk duhet të jetë kurrsesi meraku i SPAK. Ata nuk duhet të kenë hall politik. Këmbime financiare në cash, tendera, përfitime parash të drogës e korrupsionit, kanë prodhuar këtë fuqi të bërë MAFIA. Krimi elektoral po dremit sapo Rama të bëjë kongresin e shpallë drejtuesit e qarqeve… Koha për hetim serioz, po kalon…!