Partia Demokratike ka publikuara ditën e sotme prova të reja, duke pretenduar korrupsionin transnacianal të kryeministrit Edi Rama me zyrtarët e FBI-së me qëllim asgjesimin e Partisë Demokratike dhe shpalljen “non grata” të liderit të saj, Sali Berisha.
Bëhet fjalë për dy VKM të vitit 2018 të sigluara “Sekret”, teksa rasti u denoncua nga zëdhënësja për antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli, përmes një deklarate nga selia blu.
Bëhet fjalë për VKM për lidhjen e kontratës me kompaninë “ERNST & YOUNG” për të ofruar konsulencë në zbatim të planit të veprimit “Për luftën kundër krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit me vlerë 375 mijë euro.
Përfaqësuesi i “ERNST & YOUNG” që ka nënshkruar kontratën në Tiranë është Louis Bladel, doli në akt-akuzën amerikane ndaj ish shefit të zbulimit të FBI-së në New York, Charles McGonigal. Bladel kishte mbajtur të njëjtin post në FBI si McGonigal dhe pas largimit nga detyra e lartë shtetërore u emërua Drejtues Ekzekutiv “Ernst & Young Global Limited”.
Ndërkohë, Vangjeli tha se në Shkurt të vitit 2024, Ergys Verdho asokohe administrator i KESH, njoftoi shpalljen fitues të Ernst & Young Albania shpk për shërbimin e këshillimit financiar për financimin e projektit ndërtimi i HEC Skavica me fond 450 mijë euro dhe kohëzgjatje 6 muaj.
Ernst & Young Albania shpk është me origjinë të kapitalit 99% kompaninë qipriote Ernst & Young Southeast Europe Public Limited dhe 1% kompaninë serbe Ernst & Young Beograd.
Sipas PD-së, kjo kompani është pjesë e rrjetit global të Ernst & Young Global Limited, kompania kontraktore e konsulencës sipas VKM së datës 23 maj 2018.
Genta Vangjeli deklaroi se pas dënimit të McGonigal, Edi Rama u ndje edhe më i motivuar për të vijuar bashkëpunimin me miqtë e ish shefit të zbulimit.
Ajo tha më tej se Bladel erdhi në Shqipëri për të nënshkruar kontratën e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare vetëm pak javë më vonë pas darkës sekrete me kryeministrin Edi Rama, Charles McGonigal dhe Agron Nezë në Uashington DC më 4 Mars.
“Këto janë prova të reja për marifete të vjetra, dhe dëshmojnë se si korrupsioni transnacional ka patur si qëllim asgjësimin e Partisë Demokratike dhe mënjanimin me çdo kusht të liderit historik të saj, Prof. Dr. Sali Berisha.
Fakti se kryetari i PD është në arrest politik pa asnjë provë dhe fakt prej 180 ditësh është shembull ekselent i kësaj.” – tha Genta Vangjeli.
DEKLARATA E ZËDHËNËSES PËR ANTIKORRUPSIONIN NË PD, GENTA VANGJELI:
Në vitin 2018 Edi Rama ka përdorur 2 VKM të sigluara “Sekret”, njëra prej të cilave me nr.308, e datës 23 maj, “Për autorizimin e Ministrisë së Brendshme dhe MFE për lidhjen e kontratës me kompaninë “ERNST & YOUNG” për të ofruar konsulencë në zbatim të planit të veprimit “Për luftën kundër krimit ekonomiko-financiar dhe korrupsionit “në gjurmët e parasë” në vlerën 375 mijë euro.
Megjithëse KLSh në raportin auditues të vitit 2018 lidhur me zbatimin e buxhetit të shtetit ka gjetur shkelje për përdorimin e fondeve rezervë, mangësi në dokumentacion, mungesë relacionesh shpjeguese, dhe preventiva të shërbimeve në kundërshtim me ligjin organik të buxhetit dhe udhëzimit standard të zbatimit të tij, “ERNST & YOUNG” në 07 maj 2019 përfiton pagesën prej 375 mijë euro nga MF për shërbimin e konsulencës.
Gjatë ceremonisë të mbajtur në KM në Maj 2018 për nënshkrimin e kësaj kontrate, përfaqësuesi i Ernst & Young z. Louis Bladel tha:
“Unë jam Louis Bladel dhe jam përfaqësues i Ernst & Young në SHBA. Përpara se të isha këtu, kam patur pozicione drejtuese në FBI. U bashkova me Ernst & Young me dëshirën time për t’u marrë me vendet dhe korporatat në luftën kundër korrupsionit si një çështje mjaft e ndjeshme. Në Ernst & Young unë punoj në shërbimet kundër mashtrimit. Kur u kontaktuam nga z Rama sollëm një ekip të përbashkët nga Gjermania për të punuar me shqiptarët në këtë Task-Forcë në luftën kundër korrupsionit”…
Sjellim në vëmendjen tuaj, se emri i Z. Loius Bladel, doli në akt-akuzën amerikane ndaj ish shefit të zbulimit të FBI-së në New York Charles McGonigal, i cili pranoi fajësinë se hetoi në kundërshtim me ligjin një parti shqiptare “që nuk ishte e kryeministrit Rama”.
Bladel kishte mbajtur të njëjtin post në FBI si McGonigal dhe pas largimit nga detyra e lartë shtetërore u emërua Drejtues Ekzekutiv “Ernst & Young Global Limited”.
Në dokumentin e Jurisë së Gjykatës së New Yorkut, të Shtatorit 2022, në pikën d, kërkohej nga Prokuroria amerikane “që të marrë informacion për z.Louis Bladel dhe “Ernst & Young Global Limited”.
Pas dënimit të McGonigal, Edi Rama u ndje edhe më i motivuar për të vijuar bashkëpunimin me miqtë e ish shefit të zbulimit.
Kështu, në Shkurt 2024, Ergys Verdho asokohe administrator i KESH, njofton shpalljen fitues të Ernst & Young Albania shpk për shërbimin e këshillimit financiar për financimin e projektit ndërtimi i HEC Skavica, fondi 450 000 euro, kohëzgjatja 6 muaj.
Ernst & Young Albania shpk me origjinë të kapitalit 99% kompaninë qipriote Ernst & Young Southeast Europe Public Limited dhe 1% kompaninë serbe Ernst & Young Beograd.
Por, kjo kompani është pjesë e rrjetit global të Ernst & Young Global Limited, kompania kontraktore e konsulencës sipas VKM nr.308, datë 23 maj 2018.
Edi Rama nuk ka harruar planin e punës së diskutuar në darkën sekrete me Charles McGonigal, Agron Nezën dhe Louis Bladel në Uashington DC më 4 Mars (konfirmuar nga eksperti kanadez Stephen Mclntyre).
Vetëm pak javë më vonë, Bladel erdhi në Shqipëri për të nënshkruar kontratën e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare.
Këto janë prova të reja për marifete të vjetra, dhe dëshmojnë se si korrupsioni transnacional ka patur si qëllim asgjësimin e Partisë Demokratike dhe mënjanimin me çdo kusht të liderit historik të saj, Prof. Dr. Sali Berisha.
Fakti se kryetari i PD është në arrest politik pa asnjë provë dhe fakt prej 180 ditësh është shembull ekselent i kësaj.