Nga Genc Burimi
Që partia e vajzës Le Pen, ‘Bashkimi Kombëtar’ do t’i fitonte me një rezultat të thellë këto zgjedhje europiane, kjo nuk përbënte më asnjë surprizë për asnjë francez. Prej kohësh sondazhet e jepnin Le Pen mbi 30% dhe partinë e Makronit, sa gjysma me vetëm15%. Kjo u konfirmua saktësisht në kutitë e votimit: thuajse 32% për ‘Bashkimin Kombëtar’ të Lë Penit dhe thuajse 16% për ‘Rilindjen’ e Makronit.
Surpriza Makron: Franca në zgjedhje të parakohshme legjislative
Surpriza nuk erdhi pra nga liderja e ekstremit të djathtë francez, por nga vetë presidenti francez. Në momentin kur ministrat e tij po komentonin rezultatin e zgjedhjeve në studjot televizive duke e relativizuar humbjen e partisë në pushtet , programet ndërpriten, ushton Marsejeza, dhe nën tingujt e himnit kombëtar presidenti francez shfaqet ‘live’ nga Pallati i Elzesë.
Pa pritur, pa kuptuar, thotë para kombit se ai nxjerr mësime nga kjo fitore e ekstremit të djathtë që përbën një rrezik për Francën sipas tij, dhe shpall shpërndarjen e parlamentit francez! Zgjedhje të parakohshme legjislative do të mbahen në më pak se një muaj! Më 30 qershor raundi i parë, më 7 korrik raundi i dytë! Franca ku gjithshka shkonte mirë, hyn pa pritur në krizë politike fill në vigjilje të Lojrave olimpike të Parisit kur e gjithë bota do t’i ketë sytë nga Franca!
As fjala tërmet politik nuk është aq e fortë për të përshkruar valën e ‘choc’-ut që ka provokuar në Francë kjo deklaratë totalisht e papritur e Emanuel Makronit ! Askush nuk po e kupton gjestin e tij! Askush! As rrethi i tij i afërt. Të gjithë janë kapur në surprizë. Kjo strategji e pakuptueshme e Makronit i jep çelësat e pushtetit në dorë ekstremit të djathtë francez që deri sa fitoi sot bindshëm në zgjedhjet europiane, llogjikisht po aq bindshëm do fitojë edhe pas një muaji në zgjedhjet e parakohshme legjislative!
Asnjë parti, as dhe ajo vetë e Makronit nuk do ketë kohë të organizohet në më pak se një muaj, të bëjnë lista, të bëjnë programe, të bëjnë marrëveshje paraelektorale. Pse ky ‘vetë-sabotim’ për partinë në fuqi? Për më tepër që asgjë nuk e detyronte institucionalisht Presidentin francez të shpërdante parlamentin…
Institucionet franceze janë nga më solidet në botën perëndimore. Shpërndarjet e parlamentit janë aq të rralla që prej kushtetutës së De Golit aktualisht në fuqi, saqë ato nuk numërohen as me gishtat e një dore. I fundit që e ka bërë një shpërndarje parlamenti ka qenë Shirak me 1997 dhe atëherë francezët e morën aq inat sa ‘për inat’ ata votuan masivisht për opozitën. Francezët nuk i duan zgjedhjet e parakohshme, pasi ato provokojnë atë që në frëngjishten politike quhet ‘Kohabitacion’, ose bashkëjetesë e një presidenti me një kryeministër armiqtë politikë.
Në kësi rastesh vendi bllokohet (kjo ka ndodhur me Miterrandin president i majtë dhe Shirakun kryeministër i djathtë më 1986), andaj francezët kanë tmerr nga kohabitacioni. Atëherë përse Makron e morri këtë vendim që dëmton në radhë të parë atë vetë dhe partinë e tij që sot ka shumicën në parlament? Edhe zgjedhjet e kaluara europiane, partia e Lë penit I fitoi por kjo s’i krijoi probleme asajkohe Makronit. Pse tani po ? Biles edhe para Makronit president, zgjedhjet europiane Ishin zgjedhje për partinë e Lë Penit që i ka fituar shpesh lehtë. Por kurrë politika franceze nuk i ka dhënë ndonjë rëndësi të jashtëzakonshme këtyre zgjedhjeve europiane, pas nuk është në Strasburg apo në Bruksel ku luhet fati i një populli por në vendin e tij.
Cilat mund të jenë arsyet që e shtynë Makronin drejt zgjedhjeve të parakohshme?
Sigurisht versioni zyrtar për këto zgjedhje legjislative të papritura është dhe do jetë, respektimi i demokracisë. Domethënë, presidenti ‘dëgjoi’ mesazhin e popullit i cili votoi kundra partisë në fuqi për zgjedhjet europiane, prandaj Makron po ‘i thotë popullit’ fjalën e ke sërish për të çuar në parlament mazhorancën që t’i popull do! Arsyetim i shëndoshë, po përse kjo logjikë nuk funksionoi te Makron president më 2019 kur dhe atëherë Le Pen e mundi rëndshëm partinë e presidentit në zgjedhjet europiane? Ndaj duhet të ketë arsye të tjera, por ato nuk janë publike, kështu që vetëm mund të spekullohet mbi to.
Zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë, mëma e të gjitha zgjedhjve franceze, janë në 2027. Makron nuk do ketë më të drejtë të rikandidojë sepse i ka bërë dy mandate, maksimumi ligjor. Marina Le Pen do të jetë sipas të gjitha sondazheve presidentja e ardhshme e Francës sepse sot për sot nuk ka asnje kandidat serioz përballë saj më 2027.
Atëherë, as mos po manovron Makron që me anë të zgjedhjeve legjislative të parakohshme sot, të sabotohet fitorja e Le Pen me 2027? Duke parë shembullin britanik, ku populli sot është i zhgënjyer me Breksitin, Makron ndoshta mendon se duke ‘ia dhënë’ mazhorancën dhe qeverinë pas një muaji partisë së Le Pen, kjo e fundit do të digjet dhe diskreditohet aq shumë në dy vjet në pushtet ku s’do bëjë ndonjë të madhe për Francën, saqë njerëzit të zhgënjyer nuk do votojnë më për të më 2027. Po të jetë kjo arsyeja, ky mbetet megjithatë një eksperiment tepër i rrezikshëm për t’u provuar.
Arsyeja tjetër mund të lidhet me Ukrainën. Presidenti francez është bërë udhëheqësi perëndimor më radikal kundra Putinit, duke ia kaluar dhe vetë amerikanëve në zellin e tij për t’u përballur me Moskën! Mbase Makron ka marrë mesazhe gjatë vizitës së Biden-it në Paris se SHBA-të nuk janë të gatshme të shkojnë më larg se kaq në mbështetjen ndaj Ukrainës, gjë që do ta linte Parisin vetëm ballë për ballë me Moskën e cila ka filluar tashmë të kërcënoje popullin francez.
Një fitore pas një muaji në Francë e Le Penit, dhe krijimi i një qeverie franceze e ekstremit të djathtë anti-luftë, mund t’i jepte kështu alibi Makronit në dobësimin e përkrahjes ndaj Ukrainës jo për faj të tij, por të ekstremit të djtathtë. Por dhe kjo hipotezë mbetet një puro hamendje.
Askush përveç presidentit francez nuk e di tani për tani arsyen e vërtetë që mund të shpjegojë gjestin e tij të papritur. Një gjë është e sigurt, nëse sipas gjitha gjasave Franca do të ketë pas një muaji një qeveri të ekstremit të djathtë për herë të parë në historinë e saj, viktima kryesore do të jetë Ukraina…