Kryeministri britanik, David Cameron ka pranuar publikisht se babai i tij është përfshirë në llogaritë në det të hapur pas zbulimit të skandalit të “Panama Paper’s”.
Ai pranoi pas 5 ditësh këtë, megjithëse më herët stafi i tij ka lëshuar katër deklarata, pa i dhënë përgjigje pyetjes në fjalë.
Në një intervistë për televizionin ITV News, Cameron u shpreh: “Ne kemi pasur 5 mijë njësi në Blairmore Trust Investment, të cilat janë shitur në janar të vitit 2010. Këto kapnin një vlerë prej 30 mijë paund”.
“Ne kemi paguar tatimin mbi të ardhurat dhe mbi dividentët. Ishte subjekt i të gjitha taksave të Mbretërisë së Bashkuar”.
“Unë dua të jem i qartë sa mundem, për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, sepse sinqerisht nuk kam asgjë për të fshehur”.
Kryeministri konservator tha se ka trashëguar një pasuri prej 300 mijë paund nga babai i tij Ian Cameron, i cili ndërroi jetë në vitin 2010.
“Unë, natyrisht nuk mund të tregoj çdo detaj për burimin e të gjitha të ardhurave, pasi babai im nuk është këtu për ta pyetur”, shtoi.
“Unë nuk e fsheh kurrë faktin se jam ndjerë person me fat që prindërit i kam pasur të pasur, dhe më dhanë një edukim të mirë. Ata paguan për mua për të shkuar në shkollat më të mira”.