Një banori në Tiranë i duhen 25 metra katror ndërtim por sot po ndërtohet rreth 145 metra katror për cdo banor të ri, pra 6 herë më shumë. Në anën tjetër, një banori i duhen 2.3 metra gjelbërim. Ky parametër “respektohet” nga ndërtuesit, vetëm se për ta aksesuar qytetarët supozohet të shkojnë në Dajt.
Pavarësisht planeve dhe rregulloreve të miratuara, ndërtimet në kryeqytet nuk kanë të ndalur. Gjatë pesë viteve të fundit sipërfaqja e banesave të ndërtuara për cdo banor të ri llogaritet rreth 145 metër katror. Në anën tjetër, sipërfaqja e gjelbërt për banor, që duhet të jetë 2.3 metër katror, sipas ekspertëve në Tiranë llogaritet të jetë vetëm 0.2 – 0.3 metër katror.
Më “fatkeqët” duket se janë ata kryeqytetas që një ditë zbulojnë se përpara pallatit të tyre do të ndërtohet një tjeter objekt që i zë dritën, i ngushton trotuarin apo i zhduk lulishten poshtë pallatit të tyre.
“Fëmijët po i rrisim brenda, pa dritë, pa ajër dhe pa hapësira ku mund të luajnë me njëri -tjetrin.”
Bora tregon se për të dhe fëmijët e saj nuk ka më qetësi as brenda katër mureve të shtëpisë. Prej një muaji dritaret e shtëpisë në katin e 9-të të pallatit ku jeton pranë zonës së Myslym Shyrit janë të mbyllura. Me ndërtimin e pallatit të ri, këto dritare do të vijojnë të jenë të mbyllura, tregon Bora e dorëzuar përpara faktit se pak hapa larg tyre po “mbin” një tjetër pallat.
“Tani jo vetëm nuk do ketë më qarkullim ajri, por edhe orët me dritë do të reduktohen në minimum. Përveç kësaj, shpresa që ndonjë nga hapësirat e mbetura të lagjes të kthehet në lulishte ku të nxjerrim femijet ështe zhdukur me kohë.”
Arkitekti dhe urbanisti Artan Kacani shpjegon se Tirana po zhvillohet në ritmet e një qyteti industrial.
“Për 30 vite ne jemi shkëputur nga urbanistika klasike e nevojës urbane dhe kemi shkuar drejt urbanistikës së grupeve të interesit. Në vende të ndryshme perëndimore, nevoja e lagjes dhe interesi i zhvillimoreve janë në ekuilibër peshoreje. Tek ne kanë prioritet grupet e interesit.” – argumenton Kacani.