Llogaritë e drejtësisë me inceneratorët duket se nuk u mjaftuan me arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka, deputetit Alqi Bllako dhe drejtorëve të rëndësishëm në qeverinë Rama. Prokuroria e Posaçme kërkon masën e arrestit për ish-zëvendës kryeministrin Arben Ahmetaj i cili vendos t’i largohet llogaridhënies përpara drejtësisë dhe të akuzojë si pronar faktik të inceneratorit kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, duke përfshirë në këtë aferë dhe kryeministrin Rama.
Veliaj ka rol aktiv në procedurën e inicimit të menaxhimit të mbetjeve të kryeqytetit përmes formulës koncesionare partneritet publik privat si autoritet propozues, variant që më pas braktiset dhe vjen një ofertë e pakërkuar nga kompania Integrated Energy.
Bashkia e Tiranës ekspozohet te inceneratori si institucioni që ka dhënë mendim mendim për procedurën, ka marrë përsipër financimin, ka patur anëtarë në komisionin e shqyrtimit të ofertës së koncesionit dhe të lidhjes së kontratës.
Po ashtu pas nënshkrimit të kontratës bashkia ka miratuar dhe planin e financimit dhe ka vendosur në dispozicion të koncensionarit të gjithë infrastrukturën e Policisë Bashkiake për të siguruar që dherat të shkonin në landfillin e Sharrës, duke i siguruar deri më sot mbi 60 milion euro të ardhura firmës private e cila vendoste tarifa arbitrare të panegociuara me autoritetet.
Në rastin e dherave drejtorët e bashkisë Tiranë kanë kërkuar në disa raste përjashtimin e kompanive të caktuara nga vjelja e tarifës, ndërsa rezultojnë të kenë komunikuar me Klodian Zoton me emaile, i cili sipas SPAK bashkë me Mirel Mërtirin është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës. Për vite me radhë inceneratori i Tiranës ka marrë 75 milion euro pagesa nga buxheti i shtetit dhe 60 milion euro nga dherat, por nuk ekziston. Për të monitoruar këtë objekt dhe për të vendosur penalitete duhet të vepronte njësia e minitorimit të projektit, e cila ka qënë e bllokuar pasi Bashkia Tiranë nuk ka dërguar anëtarët e komisionit.
“Nga burimet e provave të mbledhura në kuadër të hetimeve të këtij procedimi penal janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasit Redi Molla dhe Mariglen Qato janë ortakët e vërtetë dhe pronarët “de facto” të shoqërisë “5D Konstruksion” sh.p.k. Ata e kanë zotëruar këtë shoqëri tregtare në mënyrë indirekte, duke përdorur persona të tjerë, si ortakë fiktiv në aktet e regjistrimit dhe funksionimit të shoqërisë, me të cilët ortakët e vërtetë të shoqërisë kanë pasur lidhje shoqërore dhe lidhje miqësore.”thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Posaçme.
Fundi i vitit 2023, disa muaj pasi mori mandatin për të drejtuar për herë të tretë bashkinë Tiranë, pushteti i tij do të lëkundej. Dy drejtorë të rëndësishëm të tij arrestohen për shpërdorim detyre në aferën e inceneratorëve. Ata kishin pranuar dokumenta të manipuluar si anëtarë të Komisionit për Dhënien me Koncesion të inceneratorit Tiranë, kishin shmangur miratimin e kontratës në Këshillin Bashkiak dhe kishin dëmtuar interesat e shtetit.
Taulant Tusha është një nga njerëzit më të rëndësishëm të Bashkisë Tiranë, një bashkëpunëtor i hershëm i Erion Veliaj që në vitet e para në qeveria kur mbante rolin e ministrit të Punëve Sociale dhe Rinisë. Tusha ka shërbyer si drejtor i Shërbimeve Mbështetëse e më pas ka mbajtur postin e Drejtorit të Punëve Publike në Bashki. Mbi të rëndon dhe një tjetër akuzë nga SPAK për shkeljen e barazisë në tendera, pasi dyshohet se ka favorizuar kompaninë ‘5D Konstruksion’ me pronarë faktikë drejtorë të tjerë të bashkisë. Hetuesit e kanë futur në hetim pasuror Taulant Tushën, i cili dyshohet se ka përfituar të ardhura nga firma të lidhura me të afërm të tij.
Në vitin 2016, disa muaj pasi nis të drejtojë njësinë kryesore në bashkinë e Tiranës, motra e Taulant Tushës, Edlira Hoxha, përfiton një kontratë publike nga ndërmarrja publike e bashkisë ‘Tirana Parking’ me vlerë 670 mijë euro përmes kompanisë Advanced dhe dy firmave të tjera Adi Professiona dhe ED Konstruksion. Më parë në këtë kompani ka qënë aksioner dhe Taulant Tusha. Edlira Hoxha qëndron aksionere deri në dhjetor të vitit 2019 duke ia shitur aksionet Besarta Dikës dhe Olsi Takos. Kompania vijon të marrë dy kontrata publike, në bashkinë e Lezhës, njëra për rikonstruksionin e çerdhes me vlerë 240 mijë dhe tjetra për instalimin e kamerave të sigurisë me vlerë 120 mijë euro.
Besarta Dika rezulton aksionere me 20% të kuotave në hotelin “Rapo So” ku është pronar me 40% Sokol Tusha, vëllai i Talulant Tushës dhe Thanas Rapo. Hoteli me 8 kate në Potam të Himarës është rikonstruktuar, por vlerat e deklaruara në bilance janë minimale, vetëm 55 mijë qarkullim monetar.
Sokol Tusha rezulton pronar i dy pemëtorëve me sipërfaqe totale 5350 metra katror në Himarë të blear për 90 mijë euro, ose 17 euro për metër katror.
Sokol Tusha po ashtu zotëron një biznes në agro-turizëm me vlerë investimi 374 mijë, ku 196 mijë euro janë siguruar si grant përmes programit IPARD, donacione në ndihmë të fermerëve që jepen nga Bashkimi Europian. Sipas të dhënave të siguruara nga Kronos, Sokol Tusha zotëron 18 mijë metra katror tokë në zoën e Kasharit. 6 mijë metrat e para arrë janë blerë në vitin 2018 për 35 mijë euro, 2 mijë të tjera në 2019, 2 mijë metra katrorë në vitin 2020 dhe 8 mijë metra truall në vitin 2022. Vlera mesatare e deklaruar si çmim blerje për metër katror është 6 euro për metër!
Në pronësi të Taulant Tushës rezultojnë dy apartamente dhe një automjet me vlerë 30 mijë euro. Vëllai i tij duket se zotëron më shumë pasuri të patundshme. Një apartament 60 metra në Golem të blerë në vitin 2015, një apartament 68 metra në lalëz të blerë në vitin 2012 dhe një 70 metra katrorë të blerë në vitin 2022.
Po ashtu Sokol Tusha ka një kompani në pronësi të tij Glas Construction, e cila operon në fushën e xhamave. Që nga viti 2018 dhe deri më sot të ardhurat e kësaj firme kapin vlerën 6.6 milion euro, ndërsa duket se firma është ka furnizuar me materiale kompani në fushën e rindërtimit në Tiranë dhe ka vendosur xhamat në 7 kullat e liqenit Artificial “Lake View”.
SPAK ka nisur hetim pasuror për Taulant Tushën, ndërsa dyshohet se është i lidhur me një tjetër kompani, ‘Jon Konstruksion’. Firma është themeluar në vitin 2 tetor 2020 nga Thanas Rapo dhe Arben Maloku, ky i fundit kryetar i njësisë administrative Zall Herr pranë Bashkisë Tiranë. Disa ditë më vonë 33% të aksioneve i kalojnë Bardhok Lleshit, i cili më pas bashkë me Arben Malokun ia dhurojnë Sokol Tushës.
Arben Maloku ka patur në zotërim kompaninë ARB TRANS të cilën ia ka shitur vjehrrit të tij Fatmir Firi dhe pasi ky i fundit u arresta për skema mashtrimi me tatimin mbi vlerën e shtuar kompania i është transferuar në pronësi babait të tij Shyqyri Maloku. Firma ka përfituar në total 16 tendera nga Bashkia Tiranë dhe njësi në varësi të saj me vlerë totale 6.2 milion euro gjatë kohës që Maloku ushtronte detyrën e administratorit të njësisë vendore. Maloku ka qënë i dyshuar dhe për veprën penale të ndërtimit pa leje për një pallat në zonën e ‘Myslym Shyrit’ e cila u sekuestrua gjatë operacionit që nisi qeveria në shtator të vitit 2022.
Arben Maloku rezulton të ketë marrë në pronësi në vitin 2016 18 mijë metra katrorë në fshatin Cekrez Zall Herr,ka blerë për një vlerë 220 mijë euro 1650 metra katrorë tokë në Farkë të Vogël dhe ka në bashkëpronësi me një kompani private dhe një person fizik 21 mijë metra katrorë tokë në zonën e Shkozës, hapësira që janë dhënë për ndërtim.
“Kompanitë shkojnë në garë me një kompani tjetër dhe i përfitojnë tenderat me ndërhyrje. Dhe në rastin konkret janë akuzaur nga opozita dhe marrin leje ndërtimi në Tiranë. Kjo është shqetësuese po të shohësh arrogancën që kanë dhe mungesën e frikës, patjetër që vjen nga mbështetja e drejtuesve të tyre sepse ata e kanë lejuar këtë aferë të ndodhë.” thotë Julian Hoxhaj, autor i emisionit Plug pranë Syri Tv.
Tronditja tjetër për bashkinë e Tiranës do të ishte ajo e arrestimit të dy drejtorëve të tjerë dhe dhënies së masës detyrim paraqitje për 3 drejtues dhe 2 specialistë. Skema e denoncuar fillimisht nga opozita dhe e zbuluar nga SPAK ku drejtorët e bashksië kishin themeluar vetë një firmë private të cilës i jepnin tendera thyente çdo imagjinatë.
Me kompaninë ‘5D Konstruksion’ janë përfituar 20 milion euro të ardhura, shumica nga kontratat publike në bashkinë e Tiranës, Ujësjellës -Kanalizime Tiranë dhe Durrës, OSHEE dhe bashkia Durrës. Drejtorët në hije të kësaj firme ishin Redi Molla drejtues i UKT e më pas i Tirana DC dhe Mariglen Qato kryeinspektor i Mbrojtjes së Territorit.
Kompania ‘5D’ rezulton të ketë fituar tendera dhe për demolimin e objekteve gjatë procesit të rindërtimit, ku për shumë godina banorët kanë refuzuar.
Drejtorët kanë investuar në hotele dhe aparatamente. Ky është hoteli që po ndërtohet në Durrës, ku pronar me 24% të aksioneve është Redi Molla dhe po me 24% Elvin Tivari. Tivari ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Shitjeve në UKT gjatë kohës që administrator ishte Redi Molla. Bashkëortaku në këtë hotel Gazmend Haxhia ka përfituar një kontratë me vlerë 200 mijë euro për dhënien e makinave me leasing për Tirana DC kur në krye të saj ishte z.Molla.
Investimet nuk përfundojnë këtu. Molla dhe Tivari kanë shtrirë aktivitetin e tyre duke hapur një restorant luksoz në zonën e ish-bllokut me emrin ‘Di Gaia’.
Nga ana tjetër kompania ‘5D’ rezulton të jetë aktive në industrinë e ndërtimit. Në mars 2021 kanisur ndërtimin i një pallati 9 kate në rrugën “Joklin Persi” në Yzberisht. Në 14 prill 2022 ka nisur ndërtimi në rrugën “Kahreman Ylli” në Kinostudio për një pallat 8 kate dhe në 14 qershor 2023 ka nisur ndërtimi për një godinë 9 kate në afërsi të lagjes 5 Maji.
Elvin Tivari, bashkëpunëtori i ngushtë i Redi Mollës, rezulton aksioner në hotelin ‘La Brissa’ në Dhërmi. Kompania zotërohet në 60% të aksioneve nga Fatos Malaj, vëllai i kryebashkiakut të Matit Agron Malaj dhe 40% nga Elvin Tivari. Ndërtimi i hotelit nisi në fundin e vitit 2021 dhe përfundoi në qershor të vitit 2022, pa u pajisur me leje ndërtimi siç kanë raportuar mediat investigative. Punimet janë kryer nga kompania ABG në pronësi të Durim Mustafaj, i cili ka qënë i punësuar në ujësjellësin e Tiranës dhe për punimet brendshme është kontraktuar LUEM Trade& Konstruksion dhe Arlis Ndërtim. Kjo e fundit në pronësi të Armand Lilos, e favorizuar nga Bashkia Tiranë për të mos paguar tarifën e depozitimit të dherave në landfillin e Sharrës.
Sipas lëvizjeve financiare, kompania ABG nuk ka marrë pagesën për punimet e kryera në vlerën 630 mijë euro për hotelin dhe për t’i kthyer këto para i është dhënë një tender nga Bashkia Mat me vlerë 3 milion euro. Rezulton se kompania Global Security në emër të Fatos Malaj, ka marrë në bashkëpunim me operatorë të tjerë 15 tendera nga Bashkia Tiranë dhe institucione në varësi të saj me vlerë totale 35 milion euro, ku në 13 procedura ka qënë e përzgjedhur nga Ujësjellësi i Tiranës në kohën që ka qënë i drejtuar nga Redi Molla. Kompania Global Security po ashtu rezulton të ketë lidhur marrëveshje me kompaninë Integrated Energy Bv Spv (koncesionarin e inceneratorit të Tiranës) për të kryer shërbimin e sigurisë fizike të landfillit dhe paguhet 32 mijë euro në muaj.
“Durim Mustafa është pronar i një kompanie pasi kishte punuar si vartës i Redi Mollës në Ujësjellsin e Tiranës dhe në një moment ai ble një kompani dhe bën punimet në hotelin “La Brissa” dhe më pas ka fituar dy kontrata në Dibër ku është në krye të bashkisë vëllai i një nga aksionerëve të hotelit.” thotë gazetari Julian Hoxhaj.
Elvin Tivari rezulton pronar i gjysmës së një apartamenti në Tiranë të blerë në vitin 2021 për 21 mijë euro, një garazhi dhe një sipërfaqe trualli në Durrës ng akua atij dhe familjarëve të tij u takon 280 metra katrorë. Apartamenti është në bashkëpronësi me Ilir Hoxhallarin, i cili rezulton pronar i firmës PC Security që ka përfituar disa kontrata me vlerë miliona euro në bashkëpunim me Global Security pranë Ujësjellësit të Tiranës në kohën që Tivari ishte drejtor i shitjeve.
Të ardhurat nga kontratat me autoritetet publike, duket se shumica e e përfituesve i kanë investuar në pasuri të patundshme. Të dhënat e siguruara nga Kronos tregojnë se kryebashkiaku i Matit ka blerë në vitin 2021 një apartament me sipërfaqe 131 metra katrorë në zonën afër liqenit Artificial të njohur si pallati ‘Park Gate’ për vlerën 257 mijë euro dhe një garazh me vlerë 7 mijë euro. Vëllai i tij Fatos Malaj zotëron një dyqan të blerë më vlerë 340 mijë euro me sipërfaqe 90 metra katrorë dhe një apartament 104 metra të blerë me vlerë 195 mijë euro. Po ashtu Fatos Malaj zotëron 9 mijë metra arrë në Yrshek dhe 2 mijë metra pemëtorë, ndërsa në zonën e Dhërmiut ku është ndërtuar hoteli ‘La Brissa’ rezulton e regjistruar në emër të z. Malaj 100 metra katrorë pemëtore.
Ka kaluar më shumë se 1 muaj që SPAK ka ekzekutuar masat e arrestit për drejtorët e bashkisë, por asnjë nga pasuritë e tyre nuk është bllokuar për të ngrirë si aset në mënyrë që të mos lejohet tjetërsimi. Kronos pyeti përmes një kërkese për informacion Prokurorinë e Posaçme e cila dha këtë përgjigje:
“Prokuroria e Posaçme është duke kryer të gjitha veprimet hetimore të nevojshme. Për shkak se procedimi penal është në fazën e hetimit paraprak, bazuar në nenet 103 dhe 279 te Kodit të Procedurës Penale, përveç njoftimit të bërë publik për këtë procedim penal, nuk mundemi që në këtë moment procedural t’iu japim informacione të tjera për veprimet hetimore që janë kryer apo për veprimet hetimore që janë duke u kryer.”
“Misioni primar i organeve ligjzbatuese duhet të jetë kompensimi i vlerave të humbura. Në rastin e drejtorëve, misioni kryesor është që paratë që janë vjedhur siç prezumohet nga akuza dhe që kanë kaluar si asete në pronësi të këtyre drejtueseve të kthehen mbrapsht. Ky është misioni kryesor, patjetër duhet dhe dënimi, por kryesorja është te kthehen paratë e taksapaguesve.” sqaron eksperti Soko.
Kronos zbulon eksluzivisht të dhëna të tjera për drejtues të rëndësishëm në Bashkinë e Tiranës. Drejtori i Ujësjellësit të Tiranës i cili përmendet dhe në dosjen ‘5D’ të SPAK, Elton Kacidhja, ka blerë një apartament 115.4 metra katrorë në kompleksin Delijorgji në Rrugën e Kavajës. Vlera e deklaruar e shitjes është 77.550 euro, ose 672 euro metri katror, një shumë të paktën tre herë më e ulët se vlera e tregut në këtë zonë.
Kacidhja rezulton në të shkuarën që të deklarojë gabim pasurinë në deklartat vjetore, duke bërë korrigjime. Dhe vlerën e apartamentit e ka deklaruar në vitin 2020 sipas një kontrate porosie 75.360 euro dhe jo 77.550 sa është shënuar në regjistrin e pasurive të patundshme. Për të justifikuar blerjen e shtëpisë me ambient 3+1, Kacidhja shënon në deklaratë se ka bërë një gabim në deklaratën fillestare përpara nisjes së detyrës duke harruar një shifër. Nga 2592 euro që kishte deklaruar se kishte, në fakt ishin 22.592 euro. Më tej për të justifikuar të ardhurat në llogarinë bankare deklaron se afro 6 mijë euro janë dhurata të mbledhura për ditëlindjen e tij dhe bashkëshortes.
“Në datën 23 dhjetor 2020 është kryer pagesa 21.550 euro për shlyerjen e apartamentit. Në datën 4 janar 2021 është kryer pagesa 53.810 euro për shlyerjen e vlerës së apartamentit në total. Sqarim: kësti i datës 23 dhjetor 2020 është kryer nga llogaria e deklaruar në deklaratën fillestare në vlerën 2.592 euro, deklaratë kjo e bërë gabim nga unë, pasi llogari gjendje ka qënë 22.592 euro, e vërtetuar kjo nga deklarata bankare bashkëngjitur kësaj deklarate.” thuhet në deklaratën e pasurisë së Elton Kacidhes, marrë nga të dhënat e Open Data Albania.
Elton Kacidhja është denoncuar nga opozita si një nga drejtorët e bashkisë të Tiranës që bashkë me Herion Rrapaj kanë shkelur ligjin dhe kanë favorizuar kompani në marrjen e kontratave publike. Rrapaj është drejtor i Inspektoriatit të Mbrojtjes së territorit dhe më parë ka mbajtur postin e drejtorit të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në Bashkinë Tiranë. Rezulton se bashkë me Elton Kacidhen kanë blerë një shtëpi private në Korçë me 114 metra katror ndërtim dhe 223 metra truall për vlerën 70 mijë euro në 24 shkurt të vitit 2023.
Në maj të vitit 2023 bashkëshortja e Rrapaj ka blerë dy garazhe me vlerë 10 mijë euro dhe një apartament në zonën e Nishërakut me sipërfaqe 98 metra katror për vlerën 66 mijë euro, 674 euro për metër katror. Rrapaj deklaron ullishte në fshatin Priskë e madhe me sipërfaqe 1400 metra katrorë të blerë për 6 mijë euro në vitin 2021 dhe 1 mijë metra arrë në Karpen të blerë për 5 mijë euro.
Super drejtori që ka pasurinë më të madhe në bashkinë e Tiranës është Arli Naska, ish -drejtuesi për disa vjet i zyrës së Taksave. Me vlerën e tregut pasuria e z. Naska kap shifrën 1 milion euro, ndërsa me ato që janë deklaruar arrijnë në vlerën 500 mijë euro.
Arli Naska ka blerë një apartament në vitin 2022 me vlerë 180 mijë euro në afërsi të shkollës Petronini Luarasi me sipërfaqe 64 metra katrorë. Një tjetër apartament është blerë nga bashkëshortja e tij në zonën e ish-Bllokut në rrugën Sami Frashëri me sipërfaqe 166 metra katrorë në vitin 2021, në vitin 2020 bashkëshortja ka blerë një apartament në Korçë me sipërfaqe 122 metra, në vitin 2018 Arli Naska ka blerë një apartament në radhime me sipërfaqe 57 metra katrorë dhe një garazh 22 metra.
Çështja e pasurimit duke përfituar nga posti publik, nuk është një fenomen që ka lindur në Bashkinë e Tiranës dhe as është shpikur nga ata. Klasa politike shqiptare ka qënë gjithnjë e korruptuar dhe tashmë është detyrë e drejtësisë së re për të kërkuar të drejtën e shqiptarëve. Këtë e pranoi dhe kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me grupin parlamentar dhe kabinetin ditën e martë.
Por pjesa më shqetësuese për shqiptarët është frika e urisë për pushtet e para e forcave të reja politike. A mund të vijë dikush që e ndryshon vendin dhe distancohet nga korrupsioni, apo në fushatë dhe aktivizëm do të jenë të heshtur e punëtorë si djemtë e vajzat Mjaftit dhe në pushtet do të perfeksionojnë mënyrën e përfitimeve, duke shkaktuar jo pak dëme me njerëz pa shtëpi, me prishjen e parqeve dhe mbjelljen e betonit dhe rritjen stratosferike të çmimeve të ndërtimit.
Ajo që është më trishtuese, është insistimi se janë bërë punë të mira!
“Ishte mit ajo që këta janë të rinj të shkolluar në perëndim. Shumica e tyre nuk kanë shkollim të plotë dhe po të shohësh kurrikulat e tyre të vjen çudi po të shohësh edukimin, përvojë apo eksperiencën e punës dhe jetës profesionale përpara se të katapultoheshin në politikë. Kjo zhgënjeu shumë lëvizje të tjera që mund të ishin shumë me xhenuine se sa kjo dhe realisht mund të ishin njerëz patriotë që e duan këtë vend!” thotë politologu Ilir Kalemaj.
/Emisioni “Kronos”