Ish-eurodeputetit gjerman i CDU-së, Elmar Brok është shfaqur këtë të martë në banesën e kreut të PD-së, Sali Berisha, teksa ka mbajtur një fjalim nga dritarja e banesë së ish-kryeministrit në tubimin e sotëm.
Ai e ka mbajtur fjalimin para Berishës, teksa më pas janë shfaqur të dy në dritare, ku kanë përshëndetur të pranishëmit, si dhe kanë valvitur edhe flamujt e Partisë Demokratike.
Ish-deputeti i Parlamentit Europian adresoi një mesazh, ku bëri thirrje ndër të tjera që imunitetin ndaj një politikani nuk mund të merret pa vendim final të gjykatës. Sipas tij, në një vend që do bëhet pjesë e BE, një burrë nuk duhet të ndalohet të jetë pjesë e parlamentit pa qenë me vendim final gjykate”.
Elmar Brok deklaroi se një sjellje e tillë ndaj opozitës nuk duhet të bëhet pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Evropa do të jetë mirënjohëse t’ju ketë në BE. Unë erdha sot në ditëlindjen time për të parë një burrë që e njoh prej shumë vitesh. E kam njohur këtë burrë kur ka qenë President dhe kryeministër në përpjekje për ta sjellë Shqipërinë më pranë Evropës. Unë doja të takoja një lider që ka pritur prej ditësh për të qenë pjesë e Parlamenti. Unë nuk dua të ndërhyj në politikën e këtij vendi, unë pëlqej Shqipërinë, por jo partitë politike.
Besoj që në një vend që do bëhet pjesë e BE, një burrë nuk duhet të ndalohet të jetë pjesë e parlamentit pa qenë me vendim final gjykate. Vendimet e Gjykatës Evropiane janë eksplicide. Kjo do të thotë që imuniteti nuk mund të merret pa vendim gjykate dhe kjo është pse ne kërkojmë anëtarësimin e Shqipërisë në BE Një sjellje e tillë ndaj opozitës të mos pengojë anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Nëse dikush është fajtor, një gjykatë e pavarur duhet ta vendosë këtë dhe jo një prokuror që thotë “afërmendsh gjykatat bëjnë atë që i themi ne”, tha Brok
Ndërkohë, Berisha tha se Elmar Brok ka vendosur ta ndajë ditëlindjen e tij me mbështetësit e liderit demokrat si një ogur shprese, si një mbështetje e fuqishme e idealeve evropiane, e përpjekjeve për integrimin e Shqipërisë në Europë.
Gjithashtu, Berisaha deklaroi se Elmar Brok e ka ndihmuar Shqipëri në një moment kritik kur u vodhën zgjedhjet në vitin 2001 dhe falë ndihmës së tij rikthyen Shqipërinë në rrugën e duhur, në drejtimin e saj evropian.
Sali Berisha: Të dashur miq, më lejoni që në emër tuaj dhe të PD të shpreh mirënjohjen më të pakufishme mikut të shquar të kombit shqiptar, personalitetit të njohur të partisë së Helmut Kohlit, ish-drejtuesit prej rreth 20 vitesh të Komisionit të Politikës së Jashtme, Sigurisë dhe të Drejtave të Njeriut në Parlamentin Europian, zotit Elmar Brok. Të dashur miq, zoti Brok na ka nderuar sot në një ditë të veçantë të jetës së tij. Ka zgjedhur të ndajë ditëlindjen së bashku me ne si një ogur shprese, si një mbështetje e fuqishme e idealeve tona evropiane, e përpjekjeve tona për integrimin e Shqipërisë në Europë.
Të dashur miq, duhet të përshëndes këtu sonte praninë e kryetarit të Partisë së Lirisë, fjalën e tij dhe të gjithë oratorëve që folën këtu nga ky parlament i lirisë. Miqtë e mi, njohja ime, miqësia ime me Elmar Brok daton në përpjekjet tona më të fuqishme për integrimin e Shqipërisë në BE dhe NATO. Unë kam kënaqësinë të informoj shqiptarët, se në një moment kritik për historinë e vendit, kur vota e shqiptarëve në vitin 2001, u rrëmbye, rezultati u përmbys, Shqipëria po vidhisej në honet e historisë, humbi rrugën evropiane të saj, bashkë me zotin Elmar Brok, me ndihmën e tij, ne rikthyem Shqipërinë në rrugën e duhur, në drejtimin e saj evropian. Do mbetet në analet e historisë ftesa dhe organizimi nga ana e tij të dëgjesës të partive politike shqiptare në Parlamentin Europian. Rezoluta e këtij komisioni dhe parlamenti, që i kërkonin PS-së të mos zgjedhë presidentin me votën e vjedhur, se Parlamenti Europian nuk do ta njohë kurrë. Elmar Brok ishte protagonist i kësaj iniciative dhe për dijeninë tuaj, një hearing ishte organizuar vetëm një herë për Ahmet Masudin dhe herën e dytë për Sali Berishën dhe shqiptarët. Sot ai ndodhet midis nesh, por dëshiroj të shtroj disa pyetje para jush. Kush ka vjedhur votën e shqiptarëve? Kush ka vjedhur paratë e shqiptarëve? Kush ndërtoi në Shqipëri narkoshtetin? Kush i bllokoi Shqipërisë rrugën e integrimit? Kush i shpopulloi shqiptarët sa asnjë pushtim në histori? A kemi ne rrugë tjetër përveç rrugës evropiane, përveç integrimit të Shqipërisë në Europë si e ardhmja më e shkëlqyer?
Miqtë e mi, ndaj dhe unë sot këtu para jush dua të garantoj mikun tonë të të shquar, Elmar Brok se idealet tona të integrimit të Shqipërisë në Europë, se vullneti ynë në rrugën e integrimit, se e ardhmja jonë më e shkëlqyer në BE janë dhe mbetet zotimi, përkushtimi, vendosmëria jonë kryesore. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, integrimi në BE është interesi më madhor kombëtar. Është e ardhmja më e shkëlqyer e kombit. Ndaj dhe e gjithë beteja jonë është betejë për vlerat e lirisë. Është betejë për votën e lirë. Për vullnetin e lirë të shqiptarëve. Për idealet e tyre demokratike. Për idealet e tyre evropiane.