Profesionet e lira, si avokatë, psikologë apo vlerësues pronash do të parapaguajnë tatimin për 9 muaj nga 1 mijë euro këstin, sipas llogaritjeve të tatimeve bazuar në deklarimet e 2023. Kontabilistët dhe juristët pohojnë se jo vetëm përmbajtja juridike e njoftimeve për llogaritjen e parapagimit është e gabuar, por edhe nuk zbatohet korrekt ligji i ri, që njeh zbritjen e shpenzimeve 30%. Ekspertë të tatimeve sqarojnë se kjo lehtësi do të zbatohet nga marsi 2025, pas deklarimit me formularë të rinj në fund të këtij viti. Të vetëpunësuarit paralajmërojnë largime në emigracion, evazionin dhe tkurrje shërbimesh, teksa tatimi është i papërballueshëm
Rreth 1 mijë euro në muaj tatim për një periudhë 9-mujore do të parapaguajë K.E., psikologe pranë gjykatave të rrethit, sipas përllogaritjeve të administratës tatimore për zbatimin e ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, që nisi zbatimin me profesionet e lira nga 1 janari 2024.
Nga llogaritjet e administratës tatimore, ky biznes do të parapaguajë 9 këste të tatimit përkatësisht secili me vlerë 95,593 lekë në muaj. Shuma totale e detyrimit prej 859,5 mijë lekë është llogaritur nga tatimet bazuar të ardhurat e deklaruara për 2023 me vlerë 5,6 milionë lekë dhe shpenzime të zbritshme të deklaruara në vlerën e 4,300 lekëve.
“Parapagimi në këto vlera të larta dhe për një periudhë 9-mujore është pothuajse i papërballueshëm për biznesin e vogël”, pohoi një nga ekonomistet që mban bilancet për disa biznese të vogla.
Detyrimi për parapagimin e tatimit konsiderohet i lartë edhe nga GJ.K me profesion avokat. Ky i vetëpunësuar do të parapaguajë 102,059 lekë në muaj tatim apo total detyrimi për 9 këste me vlerë 918,5 mijë lekë për të ardhurat vjetore të deklaruara për 2023, me vlerë 6,3 milionë lekë dhe shpenzime të zbritshshme të deklaruara në vlerën e 197 mijë lekë.
Për një tjetër avokate, pagesat mujore të tatimit llogariten 37,000 lekë për deklarim të ardhurash, rreth 2,2 milionë lekë.
“Monitor” konsultoi vizualisht dokumentet për deklaratën e të ardhurave dhe shpenzimeve të vitit 2023 dhe njoftimet me llogaritjet për parapagimin e Drejtorisë Rajonale Tatimeve te disa të vetëpunësuar dhe rezulton se në asnjë rast nuk është zbatuar njohja e shpenzimeve fikse në masën 30% për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira me xhiro deri 10 milionë lekë në vit, siç përcaktohet në ligjin i ri “Për tatimin mbi të ardhurat” dhe udhëzimin shoqërues për zbatim.
Nëse regjimit të veçantë për njohje të shpenzimeve në masën 30%, detyrimi mujor i tatimit i psikologes do të ishte rreth 67 mijë lekë dhe i avokatit rreth 74 mijë lekë. Në çdo rast, llogaritjet për parapagimin e tatimit janë bazuar mbi shpenzimet e deklaruara nga subjektet kur në rastin e këtyre profesioneve mbeten të ulëta për shkak se natyra e punës së tyre është më tepër intelektuale.
“E kanë llogaritur tatimfitimin për të ardhurat dhe shpenzimet faktike të deklaruara për 2023. Ligji nuk është zbatuar në mënyrë korrekte.
Nuk është marrë në konsideratë zbritja 30% e shpenzimeve fikse. Shpenzimet e shumë bizneseve janë të ulëta për shkak të profesionit që bëjnë dhe pothuajse janë tatuar mbi të ardhurat e deklaruara. Kjo situatë do të krijojë lum ankesash nga bizneset ndaj administratës tatimore”, pohon kontabilisti Sotiraq Dhamo.
Nga ana tjetër, nga ekspertët kontabël vlerësojnë se forma dhe përmbajtja juridike e zbatimit të ligjit nuk është aspak korrekte. Sipas tyre, njoftim vlerësimet për parapagimet, jo vetëm që janë me referenca ligjore të gabuara, por në të shumtën e rasteve të llogaritura, edhe gabim.
Konkretisht, administrata tatimore në njoftimet e vlerësimit dërguar disa bizneseve për këstin e parapagimit e ka përshkruar si tatimfitimi i thjeshtuar dhe përshkrimi të ardhura personale llogaritur me 2023. Për llogaritjen e këstit të parapagimit, tatimet i referohen nenit 63 “Parapagimit”, pika 2, të ligjit nr.29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat” i ndryshuar, si dhe Udhëzimin nr.26 datë 08.09.2023.
“Llogaritjet me një ligj që nuk qëndron për këtë kategori (nuk ka tatimfitim të thjeshtuar për këtë kategori) biznesesh dhe emërtimi dhe klasifikimi i taksës me ligjin e ri që fillon më 2024. Edhe referimet për Parapagimet Neni 63, ligji nr. Nr. 29/2023 ”Për tatimin mbi të ardhurat” dhe Udhëzimi nr.26, nuk zbatohen në asnjë rast”, sqarojnë ekspertët.
Në disa raste të tjera në llogaritjen e këstit të parapagimit, tatimet i referohen shqyrtimit të të dhënave që disponojmë në mbështetje të nenit 15 “Parapagimet“ pika 1,2,3,4 dhe nenit 16 “Deklarimi” të ligjit Nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për Sistemin e Taksave Vendore” i ndryshuar.
Ekspertët pohojnë se edhe në këtë rast, baza ligjore e përdorur, kur i referohen ligjit “Për taksat vendore”, është e gabuar.
“Që në vitin e parë të zbatimit të ligjit, ka vakum ligjor, paqartësi ligjore dhe mangësi për zbatimin e tij, të cilat dëmtojnë subjektet tregtare apo të vetëpunësuarit e profesioneve të lira”, vlerëson një nga drejtuesit e studiove të kontabilitetit në vend.
Për njohjen e shpenzimeve apriori do të aplikohet nga bizneset në fund të vitit, ndërsa zbatimi nis nga mars 2025
Në janar të këtij viti, pasi nuk u arrit të bëhej gati formulari i ri i deklarimit të të ardhurave, qeveria miratoi një akt normativ në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili përcakton se deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Si rrjedhojë, deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Ekonomistët mbajtës të bilanceve të bizneseve pohojnë se ishin të informuar që zbritja e shpenzimeve fikse nuk do të zbatohej nëpërmjet formularëve të vjetër të deklarimit që plotësohen online, pasi vetë modeli i deklarimit online të lejon deklarimin e shpenzimeve me kontabilitet dhe nuk ofron atë të përzgjedhjes së opsionit të shpenzimeve fikse.
Ata pohojnë që mbetën të befasuar që ky parashikim ligjor nuk u zbatua nga administrata tatimore dhe u vendos parapagimi i tatimit, ndryshe nga çfarë parashikohej në ligj dhe orientimeve nëpërmjet trajnimeve të zhvilluara.
Deklarimi i të ardhurave dhe shpenzimeve për llogaritjen e parapagimit të tatimit për vitin 2024 nga bizneset është bërë sipas modelit të formularëve ekzistues. Në formularët ekzistues nuk përfshihet përzgjedhja e një regjimi të veçantë për njohjen e shpenzimeve apriori në masën 30%.
Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve sqaruan për “Monitor” se zbritja e tyre do të bëhet në bazë të aplikimeve të bizneseve të profesioneve të lira në fund të vitit 2024, pas plotësimit të formularit për zgjedhjen e regjimit të veçantë.
“Për të vetëpunësuarit pa TVSH me xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë që do të zgjedhin regjimin e veçantë të njohjes së shpenzimeve fikse 30% (ku përfshin të ardhurat vjetore nga paga minimale, qiraja, drita, ujë etj.) do të duhet të plotësojnë në fund të vitit formularin që kanë zgjedhur regjimin e veçantë të njohjes së shpenzimeve.
Më datë 31 mars 2025, bizneset do të deklarojnë nëpërmjet formularëve të rinj deklaratën e të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin 2024. Në bazë të fitimit që do të dalë për vitin 2024, krahasuar me paradhëniet që ka paguar gjatë vitit nëse është më tepër, shteti të kompenson ose ta njoh si fitim të paguar. Nëse fitimi është më pak se ai i parapaguar, biznesi do të paguajë pjesën e mbetur”.
Ndërkohë mbetet e paqartë se në rast se një subjekt vendos që të mbyllë aktivitetin në 2025, si do të kompensohet për tatimin që ka paguar tepër si rrjedhojë e moszbritjes së shpenzimeve.
Kontabilistët dhe bizneset paralajmëruan më herët se ndryshimet ligjore jo vetëm që do të çorodisin bizneset, por do të ngarkojnë me barrë tatimi të papërballueshme./ MONITOR