Kreu i PD-së Sali Berisha, gjatë fjalimit të mbajtur në protestën e sotme, është ndalur sërish tek dokumentet e publikuara nga Gazment Bardhi që implikojnë Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit Edi Rama, tek laboratori i kokainës në Xibrakë.
Berisha denoncoi se Olsi Rama kishte udhëtuar të paktën 18 herë me një nga makinat e trafikut të kokainës, të hetuar dhe arrestuar me urdhër nga drejtësia gjermane.
Sipas Berishës, mbrëmë për herë të parë, Edi Rama dhe Olsi Rama pranuan autorësinë e krimit të madh të Xibrakës sepse Gazment Bardhi iu nxori dosjen. Lideri demokrat tha se, ata deklaruan në studio me një fletërrufe se Olsi vërtet është shoqëruar me ndonjë prej tyre, vërtet ka udhëtuar me makinën e tyre, por nuk ka lidhje me ta, paçka se Olsi bënte mbledhje në apartamentet e fshehta të grupit.
Kreu i PD-së u shpreh se vlera e kokainës së Xibrakës përllogaritej rreth 300 milionë euro dhe se sasi të tilla nuk lëvizin kurrë pa garancinë madhore politike. Sipas tij, arancia madhore e kësaj sasie ishte Edi Rama me vëllain e tij të angazhuar direkt në bandën e Xibrakës.
Berisha iu drejtua me një apel gazetarëve që të mos bëhen instrumente të mashtrimit, ndërsa theksoi se mediat e mëdha censuruan dosjen Rama të Xibrakës.
Berisha: Vite më parë, me dhjetëra dhe qindra herë denoncuam instalimin e narkoshtetit në Shqipëri. Instalimin e narkoshtetit nga Edi Rama, i cili nënkupton zëvendësimin e ligjeve me kodin e mafies. Në janar të vitit 2015, u zbulua në Xibrakë mbi 1 ton kokainë me laboratorin më të fuqishëm në Ballkan. Llogaritej rreth 300 milionë euro ngarkesa. Sasi të tilla nuk lëvizin kurrë pa garancinë madhore politike. Garancia madhore e kësaj sasie ishte Edi Rama me vëllain e tij të angazhuar direkt në bandën e Xibrakës.
Cilido që ka ndjekur mbrëmë debatin televiziv në Opinion, ku protagonist kryesor ishte nënkryetari i PD dhe kryetari i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, kryeministri i Shqipërisë dhe vëllai i tij, Olsi Rama dhe natyrisht edhe vullnetarë të tyre. Faktet e dosjes gjyqësore të paraqitura të tëra me dokumente zyrtare, të cilat provonin se në përmbushje të detyrës, policët kishin survejuar grupin kriminal. Dhe njëri prej katër anëtarëve më kryesorë ishte një person, 45-vjeçar, me flokë të shkurtra, që e kishin parë, fotografuar dhe e dinin kush ishte, por që urdhri epror i kishte detyruar ta shënonin si të panjohur.
Ky person i panjohur, ndonëse ata që e ndiqnin në rrugë, që e ndiqnin me veturën e tij të trafikut, e ndiqnin në apartamentet e fshehta ku bënin takimet, të gjithë e dinin se kush ishte. Megjithatë, ata vazhdonin të zbatonin urdhrat, i panjohuri. Mirëpo në rast se polici i përbërë prej mishi dhe kocke, zbatonte verbërisht urdhrat e eprorit, kompjuteri i TIMS në pikat e kalimit kufitar nuk i zbatonte ato dhe ai nxori se i panjohuri 45-vjeçar me flokë të shkurtra, që udhëtonte me makinën me targën e banditëve, ishte Olsi Rama, me figurë, me pasaportë, me numër pasaporte, me automjet, me të gjitha.
Mbrëmë për herë të parë, Edi Rama dhe Olsi Rama pranuan autorësinë e krimit të madh të Xibrakës. Ata deklaruan në studio me një fletërrufe se Olsi vërtet është shoqëruar me ndonjërin prej tyre, vërtet ka udhëtuar me makinën e tyre, por nuk ka lidhje me ta, paçka se Olsi bënte mbledhje në apartamentet e fshehta të grupit. Paçka se Olsi ishte mburojë e grupit. Paçka se Olsi ishte një me kreun e grupit, Genti Xhixha. Të gjitha këto, megjithatë mbrëmë u detyruan të pranojnë. Dhe pse pranuan? Se Gaz Bardhi u nxori dosjen hetimore të prokurorisë. Dhe ajo dosje ka dokumente të tmerrshme, ndaj dhe ata u përpoqën të justifikojnë se e kemi njohur, por nuk kemi marrë pjesë në ta. Olsi, njësoj si Edi u betua se ata që më njohin mua për çun të mirë, e dinë që nuk mund të merrem me atë punë. A nuk u thoshte Edi Rama shqiptarëve, unë dy metër burrë nuk mund të vjedh se nuk ka hajdut dy metër?
Këta janë kriminelë miqtë e mi. Kriminelët më të rrezikshëm të Shqipërisë këta të dy janë. Hajdutët më të mëdhenj të Shqipërisë këta të dy janë. Dhe këta, ju garantoj se janë të gatshëm të shfarosin këtë vend për pasurimin e tyre kriminal. E votoj unë, thoshte Edi Ramën, se mezi po… Çfarë mezi po? I ka dhënë 37 mijë metër katror tokë për biznesin e tij, Edi Rama-Olsi Ramës. Këta e kanë Shqipërinë, çifligun e baballarëve të tyre. Këta nuk kanë normë as standard. Miq, po nuk i kapëm për zverku, këta nuk ikin kurrë. Këta nuk ikin kurrë.
A ka kryeministër kund në Europë që të jetë dokumentuar se vëllai i tij ka bërë 18 udhëtime me makinën kryesore të grupit të trafikantëve? Se vëllai i tij ka marrë pjesë në të gjitha mbledhjet. Se vëllai i tij, në përgjimin dhe përndjekjen policore regjistrohet si person i paidentifikuar. Dhe ai të mos thirret njëherë në prokurori. Dhe dosja e tij të fshihet në arkivat e prokurorisë. Çfarë mbetet këtu? Mbetet drejtësia? Ajo nuk ekziston. Mbetet drejtësia qytetare. Mbetet verdikti qytetar. Shpëtimi i Shqipërisë! Mbetet që Edi Rama të shkojë tek trafikantët e tjerë bashkë me vëllain e tij. A e dini ju miq që grupi tjetër i Xibrakës është sot i tëri i lirë? Bënë pak kohë burg. A e dini ju se prokurorët e Edi Ramës, në një akt flagrant antiligjor, nuk apeluan, nuk bënë rekurs vendimit të Gjykatës së Apelit, nga frika se ndonjëri prej tyre po tregonte se në komandë ishte Olsi dhe drejtohej direkt nga Rama?
A do durojmë ne më shumë këtë? A do pranojmë ne pushtetin e një trafikanti, një krimineli, një klani mafioz? Sot Edi Rama përfaqëson, klani Rama përfaqëson klanin më mafioz të Europës, sepse ka pushtetin e një kryeministri. Dje, u arrestuan një bandë hajdutësh në bashki. Kryehajdutit të bashkisë nuk i hyri ferra në këmbë. Po pse thoni ju? Sepse kryehajdutit të qeverisë nuk i ndodh asgjë. Sepse vërtet vjedhin Erion Veliaj me drejtorët, por vjedh edhe më shumë Edi Rama me rrethin e tij familjar, që fiton qindra e qindra tendera. Vjedh edhe më shumë Edi Rama me ministrat e tij, që shpërdorojnë dhe vjedhin miliarda euro.
Atëherë kush mbetet të vendosë fatin e shqiptarëve, fatin e Shqipërisë? Qytetarët shqiptarë, ata dhe vetëm ata duhet të marrin Shqipërinë në dorë. E gjithë qeverisja e Edi Ramës bazohet në vjedhjen dhe mashtrimin. Një propagandë e tmerrshme ju sulmon ju çdo ditë. Ju sulmon me gënjeshtra, me shpifje, me manipulime të paimagjinueshme. Sot burimi më i fuqishëm i të vërtetës jeni ju, njerëz të lirë me parlamentin tuaj të lirisë. Ju e patë, dje denoncimin me dosje hetuesie të Edi Ramës. Mediat e mëdha e censuruan plotësisht lajmin. Kurse mbrëmë në debat, në mënyrë më të padenjë, më të padenjë, avoketërit, vullnetarë apo të detyruar të Edi Ramës, bënin çdo gjë që të përbaltnin dokumentet zyrtare, faktet zyrtare. Bënin çdo gjë që të me çjerrjet e tyre, me zhurmën e tyre, me trillimet e tyre, të tentonin të mbulonin të vërtetat se personi i panjohur ishte Olsi Rama. Se personi i panjohur ishte ndër më kryesorët e grupit të Xibrakës. U shpërblyen apo nuk u shpërblyen ata, por problemi është se ata u lënduan ju, kohën tuaj, pavarësisht se shitën veten e tyre para jush.
U bëj thirrje gazetarëve, mos u bëni instrumente të mashtrimit dhe dezinformimit. Qëndroni me dinjitet në profesionin tuaj fisnik të një rëndësie jetike për vendin. Mos u shndërroni në mercenarë. Çfarë mund t’i thoja mbrëmë unë, përveçse Baton Rama, Baton Haxhisë? U ndala në këtë moment se nuk është i parëndësishëm. Se përballemi me një censurë kriminale. Se përballemi me një fushatë dezinformimi monstruoze. Se përballemi me manipulime nga më të turpshmet në mediat e kontrolluara nga qeveria. Ndaj dhe ju ftoj të përdorim sa më shumë mediat sociale.
Qytetarë dhe qytetare! Shprehni si në këtë parlament këtu, të vërtetat nga shpirti dhe zemra juaj. Shprehuni në Facebook, shprehuni në të gjitha mediat sociale. T’ju kallim datën në botën digjitale këtyre hajdutëve dhe kriminelëve. Me forcën e të vërtetës t’u japim atë që meritojnë. Shqipëria po zien, shoqëria shqiptare po zien! Ora po afron, qeveri teknike, qeveri teknike, zgjedhje të lira, ky është zotimi ynë, ky është qëllimi ynë.