Banorët e Dibrës vijojnë rezistencën ndaj projektit që do të zhysë nën ujë 33 fshatra të zonës. Duke e konsideruar një projekt që “zhduk” Dibrën, dhjetra banorë u tubuan në Laçes, pranë urës së Drinit, kundër ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.
“Mua po më hoqe prej aty, unë nuk jam dibran, nuk jam shqiptar, shkel flamurin me këmbë po më përzure nga këtu. Unë kur jam këtu jam dibran, jam shqiptar”,- u shpreh Shpëtim Buci, banor i fshatit Fushë-Alie.
Prej 30 vitesh ky projekt lakohet nga partitë që vijnë në pushtet, mirëpo banorët akuzojnë se me miratimin e ligjit të posaçëm së fundmi ka mungesë transparence. Për ta, pasojat që do të ketë ndërtimi i këtij hidrocentrali, do të vënë në diskutim ekzistencën e Dibrës.
“Kjo është ta zhdukësh përfundimisht. 33 fshatra të kësaj krahine mbulohen me ujë, mbi 33 të tjerë që ngelen përtej Drinit dhe bëhen të paaksesueshëm për Dibrën. Mbytet 1/3 e tokës prodhueset. Do të mungojë nesër në treg 1/3 e prodhimit. Banorët që mbeten përtej Drinit, janë të detyruar dhe të destinuar të largohen. Në këtë mënyrë Dibra shpopullohet me 40% të paktën”, –argumenton Halil Zhuka, banor e aktivist i zonës.
Për banorët zhdukja e tokave nën ujë, është rrëmbimi i së ardhmes së fëmijëve të tyre.
“Po pse s’më dhemb shpirti? Na përmbyten krejt. Me tokat, me gjënë e gjallë merremi. Kam dy kalamaj, më shumë për ta. Po u ndërtu, s’kemi më asgjë”,-shprehet Zenepja, banore e fshatit Laçes.
Janë 33 fshatra që preken nga ndërtimi i Skavicës. Banorët shprehen se ky është akti i fundit i kryer ndaj Dibrës, përpos politikave shkretuese ndër vite.
“Banorëve çdo ditë e më shumë, sidomos 10 viteve të fundit ju është prerë mundësia për të jetuar. Nuk kanë burime ujore, nuk vadisin dot tokat, nuk kanë ujë të pijshëm, nuk kanë investime në infrastrukturë për të punuar tokat e tyre. Nuk kanë treg. Pra i kanë detyruar në njëfarë mënyrë të largohen nga vendi për të jetuar ose për të mbijetuar. Po e shkreton”, – shprehet Bujar Karoshi, banor e njëkohësisht botues i gazetës “Rruga e Arbrit”.
“Qeveria duhet menjëherë të anulojë koncesionin për Skavicën dhe ti nisë punët nga e para. Sepse nuk ka fuqi ekonomike në fushën energjetike duke shkelur dhe nëpërkëmbur të drejtat e banorëve”,– pohon më tej ai.
Për Majlinda Hoxhën, një nga banoret dhe aktivistet e zonës, ndërtimi i kësaj vepre i pamundëson rikthimin në vendlindje.
“E gjitha kjo që na ka përkitur dikur dhe ka qenë një vend që ne jemi ndjerë të lirë, tashmë rrezikon që të mos ekzistojë më. Edhe pse këtu ndodhemi aktualisht afër vendlindjes së Skënderbeut në Sinë, edhe kjo pjesë deri në një përmasë shumë të madhe do të jetë e përmbytur nga Skavica”, – thotë Majlinda.
“Në njëfarë mënyrë të vetmin vend që ne mund të promovojmë, që mund të zhvillojmë turizmin historik, trashëgimisë kulturore, që mund të organizojmë dhe tu tregojmë të huajve edhe për kulturën dhe për historikun tonë rrezikohet shumë shumë rëndë nga Skavica”,- shprehet Majlinda.
Për qytetarët që e kanë parë Dibrën si atraksion turistik, Skavica do të sjellë heqjen e Dibrës nga harta e turizmit në Shqipëri.
“Ju e keni vënë re vitet e fundit sa shumë fuoristrada kalojnë përgjatë Drinit, për turizmin malor. Duhet ta kuptoni që në momentin që Drini do të përmbytet, këta njerëz nuk do të vijnë më dhe Dibra do të jetë një Dibër e ndarë në dysh. Po si mund ti lihen këto një grupi gjakpirësish?”, –shprehet Arben Kola, aktivist dhe guidë turistike..
Ndër të tjera, Arbeni paralelizon situatën me Kukësin, sa i takon kompensimit të tokave.
“A e dini që kuksianët akoma nuk kanë marrë kompensimin për tokat e tyre? E dini? E dini sa para gjeneron Fierza dhe Kukësi ngelet qarku më i varfër me pasuritë më të mëdha natyrore. Po Dibra?”
Banorët thonë se ndikimet negative do të prekin edhe zonat përreth hidrocentralit, për shkak të ndryshimit të klimës dhe territorit.
“Ky projekt e zhduk Dibrën, pjesën më pjellore te tokës me 33 fshatra i mbyt. Jo vetëm se mbulohet Dibra, por edhe pjesa që do t’i shpëtojë përmbytjes në fakt është e pavlerë sepse do të ndryshojë edhe klima këtu. Do katandiset Dibra e papërshtatshme për zhvillimin e bujqësisë, pemtarisë, blegtorisë. Do të ngelet një vend i varfër”, -shprehet Hajri Begu, ish-arsimtar në zonë.
Beteja ligjore dhe qytetare
Në vitin 2021 kaloi ligji nr. 38/2021 që i jep të drejtë kompanisë amerikane “Bechtel” të projektojë dhe ndërtojë hidrocentralin e Skavicës.
Po ashtu me një vendim të Këshillit të Ministrave nr. 485, datë 30.07.2021 u miratua kontrata e fazës së parë për shërbime teknike.
Në korrik të vitit 2021 Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) nënshkroi kontratën me kompaninë amerikane “Bechtel” për të ndërtuar hidrocentralin Skavica me kapacitet 210 megavat. Sipas KESH-t, kjo vepër do ta kthejë Shqipërinë në vendin lider në rajon të energjisë elektrike.
Në prill të vitit 2022, dhjetëra dibranë protestuan përballë kryeministrisë kundër Skavicës, duke e cilësuar si një projekt që fundos Dibrën dhe historinë e këtij rajoni.
Në shtator të vitit 2022, dibranët protestuan në fshatin Fushë-Alie dhe adresuan mungesën e informacionit dhe neglizhimin e komunitetit nga ana e institucioneve shtetërore. Ata pohuan se kanë dëgjuar për këtë projekt vetëm në media, por nuk kishin dijeni rreth planit të zhvendosjes dhe dëmshpërblimet.
Në tetor 2022, anëtarë të grupimit “Opposition to Skavica Dam” protestuan në Londër kundër ndërtimit të hidrocentralit Skavica në lumin Drin i Zi. Tubimi u mbajt përballë ndërtesës ku po zhvillohej një panair për përzgjedhjen e nënkontraktorëve nga kompania “Bechtel”.
Në 11 dhjetor 2023 dhjetëra banorë të Dibrës protestuan në Tiranë para Kryeministrisë kundër hidrocentralit mes thirrjeve : “Jo Skavica! Rroftë Dibra!”
Ndërsa u zhvilluan protesta, cështja po gjykohej në Gjykatën Kushteutese, ku më 30 janar 2024 Gjykata u shpreh se Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave nuk kanë kryer si duhet konsultimin me publikun dhe nuk kanë garantuar pjesëmarrje efektive të komunitetit në fazën e hartimit të projektligjit.
Mirëpo, në asnjë rast gjykata nuk hodhi poshtë ligjin e posacëm që lejon ndërtimin e hidrocentralit.
Sipas avokatit Shaqir Manjani, vendimi i Gjykatës Kushtetuese në fakt është antikushtetues.
“Ky vendim është një vendim nën trysni, qartësisht duket që ka pasur një trysni Gjykata Kushtetuese dhe nga ndarja e votave përsa i takon themelit të çështjes lidhur me shfuqizimin e ligjit të objekt gjykimit, ligjit të Skavicës, pra ndarja e votave është pesë me katër, në disfavor të Dibrës dhe pro Skavicës, në thelb të gjykimit. Ndërkohë pra ka një pranim të shkeljes së një të drejte themelore të parashikuar nga neni 56 i kushtetutës, e cila është e drejtë për informim e qytetarëve dhe banorëve të Dibrës, për tu informuar rreth projektit, për të dhënë miratimin ose jo, si banorë, për tu kryer konsultimi publik si detyrim kushtetues dhe ligjor, komfort ligjit për konsultimet publike”,-argumenton avokati Manjani.
Sipas tij, tanimë e vetmja gjë që mbetet është ti drejtohen institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë.
“Subjektet që i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese tashmë e kanë ezauruar rrugën e brendshme, kanë shteruar pra ankimin e brendshëm dhe kanë të drejtën të shkojnë në Gjykatën e Strasburgut për të mbrojtur të drejtat që garanton Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, siç është e drejta e mjedisit, e konsultimit etj. parime që mbrohen nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut”,-përfundon Manjani.
/Citizens Channel