Politologu Ilir Kalemaj, protestën e Lëvizjes Bashkë dhe një retorikë që synon të ekspozojë kryebashkiakun Erion Veliaj, e sheh si koherencë të qëndrimit të tyre.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, Kalemaj deklaroi se Lëvizja e Bashkë me protestat e saj ka qenë koherente në qëndrim kundër asaj që e quan mafia e ndërtimit dhe faktin që kryebashkiaku Erion Veliaj përmes lejeve të ndërtimit ka qenë në kundërshtuim me zotimet elektorale dhe bashkëpjesëmarrës me këtë krim urbanistik që po i bëhet Tiranës, si një nga qytetet më të ndotur në Europë.
“Kanë qenë koherent dhe me premtimet elektorale ku Lëvizja Bashkë arriti një rezultat mjaft të mirë me 14 mijë vota. Nuk shoh ndonjë risi, ata i qëndrojnë linjës së tyre duket se kanë hequr pak dorë për tu bërë më të pëlqyeshëm për elektoratin në tezat ultra-marksiste. Janë përqendruar në politikat lokale, kundër urbanizimit të skajshëm që kanë një ndjeshmëri qytetare.”
Në vijim Kalemaj tha se për Kryeministrin Edi Rama është ende herët për t’u thirrur nga SPAK për sa kohë nuk kemi një vendim të formës së prerë për rastin “McGonigal”, ku zoti Agron Neza ka shërbyer si sekser i tij, me këshilltarin e Ramës, Dorian Duçka.
“Indiciet të çojnë aty që Rama dhe kryebashkiakë të tjerë si Safet Gjici kanë takuar McGnonigal disa herë. Mund të gjenden indicie që ky ndikim i paligjshëm ka ndikuar në demontimin e opozitës. Po pa thënë drejtësia amerikane fjalën e fundit për çështjen shqiptare, nuk besoj se Rama do të sillet si person nën hetim në një kohë kaq të shkurtër.”
Sa i takon nisjes së punës së komisionit për reformën zgjedhore, Kalemaj shtoi se ka një spekulim që Edi Rama dhe Lulzim Basha janë duke gjetur dakordësinë nëpërmjet sinjaleve në distancë për të bërë bashkë 84 vota, për ndryshimet në kodin elektoral.
“Është platforma Basha, se as PS dhe as Partia e Lirisë nuk kanë paraqitur ndonjë platformë. Një Kod Elektoral i ndryshuar dhe ndryshime kushtetuese pse jo që do mundësonin një zonë të vetme elektorale, lista të hapura, proporcional, dhe natyrisht të mundësohet vota e diasporës në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODHIR dhe zgjedhja e Presidentit nga populli apo vetingu në politikë. Mund të kenë gjeture një farë dakordësie në parim. Është dhe ajo që po kërkon me forcë Rithemelimi, ose më saktë pjesa më e madhe e deputetëve demokratë 47 deputetë, që kërkojnë përfaqësim me bashkëkryetarin zotin Bylykbashi që të zëvendësojë zotin Alibeaj, njëkohësisht edhe me rritjen e numrit të anëtarëve.”
Ndërsa ish-Presidenti Ilir Meta pranoi dje se është nën hetim, por foli për përndjekje thuajse personale nga prokurorët e SPAK, Kalemaj deklaroi se pavarësisht retorikës së fortë që ka pasur, pas rikthimit në krye të Partisë së Lirisë, nuk ka pasur një prani shumë aktive.
“Më shumë ka folur me heshtjen e tij dhe është spekuluar shumë a është ai në një linjë me Rithemelimin. A është zoti Meta duke flirtuar me Ramën apo është i frikësuar me çështjet që ka në SPAK. Por edhe duke parë kursin e partisë së re, duhet thënë që mbetet për tu parë dhe koha do e tregojë se ku po anon zoti Meta dhe kush është plani i tij në afatgjatë, për partinë, për të cilën ia hodhi fajin bashkëshortes së tij për drejtim. Do arrijë zoti Meta ta kthej Partinë e Lirisë në një pol të tretë, apo do shkrihet me Rithemelimin. Apo zoti Meta do ketë një fund aspak të këndshëm politik nëpërmjet proceseve gjyqësore dhe kjo do e largojë nga politika. Kjo mbetet për tu parë. Por edhe për efekt të reformës zgjedhore, do ketë aktorë të rinj politikë, apo do jetë zoti Meta sërish përcaktues dhe balancues.”