Gazetari i kronikës, Artan Hoxha ka dhënë detaje të reja në lidhje me atentatin e regjistruar dy ditë më parë në Vlorë, ku u ekzekutua me snajper 23-vjeçari Gezim Sinomati, në ballkonin e banesës së tij.
Duke folur në emisionin “Top Talk”, Hoxha deklaroi se autorët mund të kenë ngatërruar shënjestër. Sipas tij, mund të vritej xhaxhai i viktimës, Benard Sinomati, i cili prej dy muajsh ndodhej në Vlorë dhe kishte alarmuar palën kundërshtare. Kjo ngatërresë, sipas gazetarit mund të ketë ndodhur për shkak se autorët nuk mund të kenë qenë nga Vlora.
“Kanë marrë jetën një të riu që i kishte ardhur nga Belgjika 4 ditë para ngjarjes, te familja e të atit. Babai i tij është në burg, e ëma është jashtë Shqipërie dhe ka krijuar familje të re. Ka ardhur pas festave dhe pozicioni ku ka ndodhi ngjarja, mënyra etj, ka elementë që autori duke mos qenë vlonjat nuk e ka njohur viktimën dhe ka pasur si synim xhaxhain e tij. Nga të dhënat që ka deri tani, xhaxhai i viktimës Benardi dy muajt e fundit ka qenë prezent të Vlorë, dhe kjo ka vënë në alarm palën tjetër. Ajo ishte shtëpia e të dy vëllezërve. Para dy vitesh është hedhur në erë automjeti i familjes, që lëvizte nëna e tyre. Është godinë trekatëshe, makinës i është vendosur eksploziv, për t’i riaktivikuar hetimet por nuk u gjetën autorët. Ajo ngjarje u kujtua tani. Nuk ka qenë atentat por ka qenë kërcënim. Sokol Sinemati është ekstraduar për herë të dytë nga Belgjika, për herë të parë nga Italia. Kur hyn në betejë synon që kundërshtarin ta dobësosh. Edhe Sokoli edhe Benardi kanë qenë të arrestuar. Benardi paraqet rrezik sepse Sokoli është në burg dhe mund të ketë kontakte”, tha Hoxha.
Gazetari deklaroi më tej se nuk dihet nëse kemi të bëjmë me një hakmarrje apo diçka të shkuar keq në trafikun e drogës, teksa sipas tij, kjo vrasje duhet të shërbejë edhe si një lloj indicie për të hapur dosjet e vjetra të Vlorës.
“Nëse themi hakmarrje ka një zanafillë nga se ka nisur, dhe mund të jetë një marrëveshje e shkuar keq në trafikun e narkotikëve. Vrasje pas vrasje shkon zinxhir. Mund të jetë nga ngjare të 97-ës, por nuk besoj sepse kanë pasur kohë për t’i dëmtuar, një pjesë e madhe e kundërshtarëve në atë kohë ose kanë dalë nga qarkullimi ose kanë vazhduar punët e veta. Pra kjo është një ngjarje që ka ndodhur kohët e fundit. Njëra nga palët pati një lloj qetësie të rreme, por jo absolute. Kemi patur disa tentativa për atentat dhe të vrarë por jo të këtij niveli. Kemi patur tentativa për të vrarë në Lungomare, si rasti më i fundit në verë. Kjo vrasje duhet të shërbejë edhe si një lloj indicie për të hapur dosjet e vjetra të Vlorës, jo të 97-ës”, tha gazetari Artan Hoxha.