Jepet sot vendimi i GJKKO në lidhje me masën e kërkuar nga SPAK, ‘arrest shtëpie’ me mbikëqyrje policore.
Seanca e djeshme u shty për sot për në orën 15:00, ndërsa avokatët e Berishës nuk hoqën dorë dhe dorëzuan sërish një kërkesë ku kërkojnë përjashtimin e gjyqtares së çështjes, Irena Gjoka.
Kujtojmë se avokatet kanë dorëzuar provat që sipas tyre provojnë faktin e shkarkimit në shkurt të 1996 nga KLD ku kryetar ishte Sali Berisha. Pas miratimit të autorizimit nga Kuvendi për heqjen e lirisë së Sali Berishës, SPAK iu drejtua Gjykatës më datë 22 dhjetor duke i kërkuar ashpërsimin e masës së sigurisë për ish-kryeministrin, i cili akuzohet korrupsion në privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Aktualisht GJKKO i ka caktuar Sali Berishës masën e sigurisë “detyrim paraqitje” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”. Megjithatë, Sali Berisha ka refuzuar që të parqaqitet në gjykatë të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji duke argumentuar se vendimi është antikushtetues, pasi nuk ishte marrë më parë autorizim për heqjen e imuniteti ndaj tij. Por SPAK i qëndroi mendimit se masa e sigurisë “detyrim paraqitje” si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit” ishin të një karakteri që konsiderohen kufizime dhe jo heqje lirie. Për këtë shkak SPAK ka kërkuar shtrëngimin e masës së sigurisë në “arrest shtëpi”.
Kujtojmë se Kuvendi më 21 Dhjetor miratoi kërkesën e SPAK me 75 vota pro të mazhorancës për heqjen e imuniteti të liderit demokrat. Vlen të theksohet fakti se edhe grupimi i Lulzim Bashës është pro arrestimit të Berishës, të cilët dorëzuan një raport në Kuvend, ku në disa pjesë ishte edhe më i ashpër me qëndrimet e mazhorancë, edhe pse ata munguan në seancën plenare të 21 dhjetorit.
Edhe pse e konsideron si një vendim politik të diktuar nga kryeministri Edi Rama, Berisha pritet ta respektojë vendimin nëse i caktohet masa e arrestit në shtëpi. Të paktën këtë ka lënë të nënkuptohet nga deklarat e tij në media.