Prokurori i Durrësit, Kujtim Bashaj u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 18 tetor 2023, për probleme në kiterin e pasurisë. KPK arriti në përfundimin se Bashaj ka kyer deklarime të pasakta; se nuk ka pasur burime financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë; nuk i ka hequr dyshimet Komisionit se nuk është në kushtet e fshehjes së një mjeti në përdorim në pronësi të të motrës; si dhe se ka rezultuar se në mënyrë të përsëritur se ka marrë kredi për të shlyer huatë dhe hua për të shlyer kreditë, me qëllim justifikimin e shlyerjes së tyre me të ardhura të ligjshme.
Ndërkohë, KPK ka konkluduar se prokurori Bashaj ka arritur nivel të besueshëm në kontrollin e figurës dhe nivel kualifikues për profesionalizmin.
Subjekti ka deklaruar porositjen e një apartamenti me sipërfaqe 131 m2 në vitin 2005 dhe nënshkrimin e kontratës së shitblerjes në 2007-ën për çmimin 52 mijë e 440 euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një apartamenti tjetër në vitin 2005, kundrejt shumës 4 milionë lekë; kredi bankare në shumën 2 milionë lekë, si dhe një hua pa interes po 2 milionë lekë.
KPK vëren se ka mospërputhje të sipërfaqes së apartamentit dhe çmimit të shitjes midis deklaratës së vitit 2005 dhe kontratës së shitjes së vitit 2007. Subjekti në përgjigje të pyetësorit standard ka shpjeguar se ndryshimi i çmimit ka ardhur vetëm si pasojë e zvogëlimit të sipërfaqes, nga 142.7 m2, në 131.1 m2.
KPK konstaton se, veç faktit se ky shpjegim mbetet në nivelin deklarativ, nga ana tjetër ndryshimet e pretenduara janë të pabazuara në faktet dhe dokumentet e administruara. Sipas Komisionit, po të merret i mirëqenë shpjegimi i subjektit mbi zvogëlimin e sipërfaqes, nuk shpjegohet zvogëlimi i çmimit për njësi nga 470 euro/m² në vitin 2005 sipas deklaratës, në 400 euro/m² në vitin 2007 sipas kontratës së shitjes.
KPK vlerëson se nuk justifikohet as ulja e çmimit të shitjes nga rreth 67 mijë euro 069 euro në kontratën e porosisë në 52 mijë e 440 euro në atë të shitjes. Në vijim, konstatohet se nuk është deklaruar burimi i kësaj pasurie në vitet 2005, 2006 dhe 2007, ndërsa në shpjegimet e dhëna në vitin 2016 pranë ILDKPKI-së ka deklaruar të njëjtat burime që ka shënuar në deklaratën “veting”.
I pyetur se përse nuk ka deklaruar në vite burimet e kësaj pasurie, Bashaj ka pretenduar se megjithëse nuk i kryer shprehimisht, ka bërë përshkrim të vlerave që kanë shërbyer në rubrikat respektive; duke pasqyruar tek të ardhurat vlerën nga shitja e apartamentit; tek detyrimet kredinë dhe tek të dhënat kofidenciale huanë e marë nga shtetasi S.N..
Komisioni ka analizuar secilin prej burimeve të pasqyruara në deklaratën “veting”, prej nga ka rezultuar pamundësi financiare për shlyerjen e çmimit të apartamentit të porositur në vitin 2005 e të blerë në 2007-ën.
KPK ka konkluduar fillimisht se familja Bashaj nuk ka pasur mundësi për blerjen në vitin 2001 të apartamentit të shitur në vitin 2005 për shumën 4 milionë lekë dhe për rrjedhojë kjo vlerë nuk është përshirë në analizën financiare paraprake.
Por, në përfundim Komisioni ka vendosur të përfshijë si burim për blerjen e apartamentit në vitin 2001 një kredi në masën 12 mijë USD, megjithëse ishte përfituar pas nënshkrimit të kontratës së blerjes. KPK argumenton se ka marrë në konsideratë kohën e largët të marrjes së kredisë dhe praktikës së përsëritur për subjekte të tjerë rivlerësimi, sipas së cilës kontratat e shitjeve janë lidhur përpara disbursimit të kredisë dhe me qëllim vënien si garanci hipotekore të pasurisë objekt i tyre, për shlyerjen e kredisë. Bazuar në këtë arsyetim, Komisioni vlerësoi se kredia e marrë vitin 2001, ishte përdorur për blerjen e banesës po në atë vit, duke rezultuar bilanc pozitiv.
Për rrjedhojë, vlera 4 milionë lekë e përfituar nga shitja e atij apartamenti është konsideruar si burim për porositjen e banesës në vitin 2005. Edhe kredia në shumën 2 milionë lekë ka rezultuar pa probleme dhe është përfshirë në analizën financiare.
Ndërkohë, nuk është përfshirë në analizë huaja 2 milionë lekë, pasi nuk është vërtetuar marrja e huas nëpërmjet një akti shkresor në kohë reale, si dhe as nuk është provuar mundësia e huadhënësit.
KPK ka analizuar dhe një kredi në shumën 4 milionë lekë, një hua tjetër 2.5 milionë lekë, vlerat e deklaruara për shlyerjen e tyre, kursimet në vite, si dhe shpenzimet e jetesës, prej nga ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 2.2 milionë lekë për pagesën e çmimit të apartamentit të porositur në vitin 2005.
KPK konstaton se Bashaj në mënyrë të përsëritur ka marrë kredi për shlyerjen e huave dhe hua për shlyerjen e kredive – për shlyerjen e të cilave nuk ka pasur mjaftueshëm të ardhura të ligjshme. Në vendim thuhet se subjekti nuk ka dhënë sqarime për këtë situatë, fakt që është mbajur në konsideratë gjatë procesit të vendimarrjes.
Në vijim, KPK vlerëson se Bashaj ka kryer deklarime të pasakta e të pamjaftueshme për dy garazhe të blera në Tiranë. Megjithëse subjekti ka deklaruar se nuk ka kryer pagesë për këto dy garazhe, për shkak të uljes së çmimit të apartamentit, KPK nuk e ka konsideruar kërë pretendim dhe ka kryer hetim për secilin prej këtyre dy pasurive.
Komisioni ka konstatuar se subjekti nuk e ka deklaruar në vitin 2006 burimin e garazhit të parë, kurse për të dytin të blerë në 2008-ën ka deklaruar burim kursimet familjare – deklarim që bie në kundërshtim me atë çfarë ka shënuar në deklaratën “veting”, ku ka pretenduar se ishin të njëjtat burime që kanë shërbyer për blerjen e apartamentit të porositur në 2005-ën për shkak të uljes së çmimit. Për rrjedhojë, është konstatuar se subjekti nuk ka kryer deklarim të saktë për burimin e krijimit të garazheve. Po ashtu, ka rezultuar pamundësi në shumat 597 mijë lekë dhe 87 mijë lekë për blerjen e tyre.
Subjekti ka deklaruar gjendje cash në vlerën 600 mijë lekë në dhjetor të vitit 2016, por nga hetimi i deklarimeve të kursimeve në vite janë konstatuar pasaktësi, mospërputhje dhe balanca negative.
Pretendimi i subjektit se ka deklaruar çdo vit gjendjen totale të cash-it dhe jo vetëm pjesën e shtuar vlerësohen prej Komisionit si kontradiktore me vetëdeklarimet e tij gjatë pyetjes pranë ILDKPKI-së dhe të pambështetura në kërkesat e ligjit, i cili parashikonte shprehimisht detyrimin e subjekteve për deklarimin e shtesave.
Për këto arsye, në analizën financiare është konsideruar gjendja cash sipas raportimeve periodike ndër vite, sipas të cilave në fund të vitit 2016 ai ka pasur 2 milionë lekë cash. “[…]Duke qenë se në deklaratën Vetting, dorëzuar në datën 26.1.2017, subjekti ka deklaruar gjendje cash në vlerën 600.000 lekë, e cila justifikohet me të ardhura të ligjshme, është i paqartë destinacioni i shumës 1.400.000 lekë”, shprehet KPK.
Në analizën financiare përfundimtare të KPK për periudhën 2004-2016, në të cilën janë përfshirë edhe pretendimet dhe provat e prokurorit Basha, ka rezultuar një bilanc negativ në vlerën 6.7 milionë lekë. “Vlen të theksohet se edhe balanca negative e konfirmuar nga subjekti në analizën financiare të paraqitur prej tij prej 1.725.043 lekësh është penalizuese dhe në favor të masës disiplinore të shkarkimit nga detyra, referuar standardit të konsoliduar të organeve të vlerësimit”, vëren Komisioni.
Në shpjegimet e dhëna në ILDKPKI në vitin 2016, i pyetur në lidhje me automjete në pronësi apo në përdorim të tij, Bashaj ka deklaruar se ka në përdorim mjetin në pronësi të motrës së tij, duke sqaruar se e përdor vetëm kur shkon në Tropojë për shkak të specifikës së rrugës, si dhe ka paraqitur prokurën e posaçme.
KPK konstaton se subjekti nuk e ka shënuar përdorimin e këtij mjeti në deklaratën “veting” dhe as në pyetësorin standard.
Sa i takon faktit që këtë mjet motra nuk e ka përdorur asnjëherë, subjekti ka sqaruar se ajo që prej vitit 1992 jeton me prindërit në fshatin e lindjes në Tropojë. Sipas tij, për shkak të moshës së thyer të prindërve dhe përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të vëllait të tij, i cili ndërroi jetë në vitin 2011, prindërit dhe motra i kanë kërkuar të gjente një automjet që ta blinin në mënyrë që të përdorej kryesisht nga vetë ai, për t’u kujdesur për të tre ata. Ai ka argumentuar se vetëm ai mund të kujdesej për familjarët dhe se në atë kohë ndodhej me detyrë në Shkodër dhe vendbanim në Tiranë.
Nga analiza financiare ka rezultuar se motra ka qenë në pamundësi për blerjen e automjetit në pronësi të saj në vitin 2010 kundrejt çmimit 13 mijë euro.
“Por, edhe sikur të justifikohej blerja e mjetit me të ardhura të ligjshme nga motra, subjekti nuk ka deklaruar sipas ligjit në deklaratën Vetting përdorimin dhe posedimin e mjetit vetëm prej tij dhe menjëhere pasi motra e bleu mjetin, duke krijuar dyshime të arsyeshme që mjeti është në pronësi të fshehur prej tij”, konstaton KPK dhe shton se deklarimi i përdorimit në vitin 2014 pranë ILDKPKI-së është kyer me kërkesë së këtij institucioni dhe jo me iniciativë të subjektit.
Ndëkohë, për një kontakt të papërshtatshëm të motrës dhe babait të subjektit me shtetasin K. H. I., person i përfshirë në krimin e organizuar, nuk është vërtetuar se prokurori Bashaj ka pasur dijeni për këtë fakt.
Nga hetimi administrativ ka rezultuar se prokurori Bashaj ka shënuar në deklarimet e viteve 2003-2008 gjeneralitetet Kujtim Basha, ndërsa nga viti 2009 e në vijim, Kujtim Bashaj. Po ashtu, ka rezultuar se ai ka nënshkruar me mbiemrin Basha në shumë akte shkresore si, deklarata, kontrata, etj., duke përdorur datëlindje të ndryshme.
Sipas KPK, nga hetimi ka rezultuar se datëlindjet nuk janë ndryshuar për shkak të subjektit, ndërsa sa i takon mbiemrit të tij Bashaj, ndryshe nga sa deklaron subjekti, nuk rezulton që në aktet e gjendjes civile të ketë qenë ndonjëherë Basha.
Megjithëse KPK ka kryer hetime për të dy mbiemrat, nga përgjigjet e institucioneve nuk janë evidentuar pasuri të tjera të subjektit përveç atyre të deklaruara prej tij.