Dritan Laci, me profesion gazetar, para dy vitesh investoi për restaurimin e shtëpisë ekzistuese të familjes së tij në fshatin Qafmollë në Tiranë me qëllimin për ta kthyer në një destinacion mikpritjeje për të huajt dhe vendasit që pëlqejnë natyrën dhe malet.
Drejtuesi i “Guest House Laci” pohoi për “Monitor” se e nisi këtë investim me qëllimin e ofrimit të mikpritjes për udhëtarët që dëshirojnë të ndihen si në shtëpi, edhe larg shtëpisë, por për më tepër për t’i dhënë një hov zhvillimit të turizmit rural të zonës së Tiranës.
Sipas drejtuesit të saj, Dritan Laci, shtëpia vizitohet më tepër nga turistët e huaj, duke përfshirë ata zviceranë, austriakë, polakë apo çekë të pasionuar pas natyrës dhe maleve.
Trendi i kërkesës është në varësi të fluksit të turistëve në nivel kombëtar. Ndërsa për sa i kërkesës nga vendasit, ajo dominohet nga artistët, si p.sh piktorët që kërkojnë t’i largohen zhurmës së Tiranës.
Sipas drejtuesve të agjencive imobiliare, për zgjerimin e këtij aktiviteti po investon kryesisht shtresa e mesme, profesionistë të ndryshëm, njerëz të cilët e zhvillojnë si punë të dytë apo si një aktivitet që i gjeneron të ardhura shtesë.
“Personat të cilët paraqiten pranë zyrave tona dhe shprehin dëshirën të blejnë prona për këtë qëllim janë zakonisht persona me profesione të mira, me të ardhura të larta dhe të mesme dhe që kanë akses në sistemin bankar.
Dominojnë kategoria e profesioneve të lira, si: arkitekt, inxhinier informatike, dentistë apo ndërmjetës së pasurive të paluajtshme pa lënë mënjanë vetë personelin e bankave të nivelit të dytë”, shton Arbër Brahaj nga “RealEstate.al”
Forma më e përhapur për investim, sipas tij, është që individët blejnë apartamente për t’i dhënë më pas me qira ditore. “Zakonisht janë persona të cilët kanë një ose më shumë apartamente dhe blejnë të tjera për t’i përdorur në të njëjtën mënyrë.
Për ta është dhe më e thjeshtë, pasi duke pasur kolateral dhe duke bashkëpunuar me bankat arrijnë financime deri në 100% të vlerës. Vihet re që po krijohet një numër “sipërmarrësish” të cilët po krijojnë portofol me 5 deri në 6 apartamente dhe në disa raste më shumë, për dhënie me qira ditore”.
Dritan Leka shton se ky treg është kompleks dhe përfshin 3 kategori investitorësh, që dominohet nga individët që blejnë apartamente për këtë qëllim, por nuk mbeten pas as kompanitë.
“Tregu i apartamenteve me qira ditore është kompleks. Kategoritë që investojnë janë kryesisht individë që e nisin investimin nga apartamenti i tyre dhe më tej zgjerohen me disa apartamente, i marrin me qira afatgjata për t’i dhënë me qira ditore.
Kategoria tjetër që po investon janë kompanitë e ofrimit të shërbimit për të menaxhuar pronat e tyre dhe për të tretët.
Kategoria tjetër përfshin individë apo investitorë të cilët blejnë grupe pronash për t’i përdorur për këtë qëllim”.
Tregu i qirasë ditore drejt formalizimit; Nga 1 Nëntori, ata që nuk deklarojnë NIPT-in paguajnë te Booking 20% TVSH për komisionet
Sipas të dhënave të administratës tatimore për “Monitor”, deri më 27 korrik janë 3,318 tatimpagues me status “Aktiv” që ushtrojnë aktivitet ekonomik të regjistruar për qira ditore.
Administrata tatimore paralajmëroi se ndër masat konkrete që institucioni i tatimeve ka ndërmarrë është adresimi me shkresë zyrtare i platformave Booking.com dhe Airbnb, me qëllim formalizimin e këtij sektori.
Midis kompanisë ndërkombëtare Booking, që ofron këtë lloj shërbimi, dhe administratës tatimore, është vendosur bashkëpunimi për formalizimin e tregut dhe për taksat që duhet të paguhen për të ardhurat e gjeneruara nga qiratë afatshkurtër.
Me kërkesë të autoriteteve shqiptare, platforma Booking, nëpërmjet një njoftimi, u ka kërkuar pronarëve të apartamenteve se nëse nuk deklarojnë NIPT-in, nga 1 Nëntori do të paguajnë 20% TVSH për komisionet që mban Booking.
P.sh. nëse qiraja ditore e një shtëpie është 100 euro, Booking merr zakonisht 12-18% komision, ose 12-18 euro. Tashmë Booking do t’u mbajë pronarëve të apartamenteve TVSH-në mbi komisionin që ajo merr, pra 20% të 12-18 eurove, ose 2.4-3.6 euro shtesë. Këtë shumë Booking do t’ua paguajë më pas autoriteteve fiskale shqiptare.
Ndërsa shuma që Booking do të mbajë si TVSH mbi komisionet mund të mos jetë shumë e lartë, synimi i Tatimeve është që, nëpërmjet këtyre pagesave, të identifikohen individët e regjistruar në këtë platformë, pasi të dhënat nga pagesat e kryera nga Booking do t’i dërgohen Drejtorisë së Tatimeve.
Pas identifikimit nga tatimet, individët pronarë kanë dy alternativa: E para, ata mund të vazhdojnë që të mbajnë statusin që kanë, d.m.th. të mos regjistrohen në tatime, por ndërkohë duhet të paguajnë 15% si tatim mbi të ardhurat që ata marrin nga qiraja.
E dyta, të regjistrohen si subjekt tregtar i kategorizuar, si struktura akomoduese për të cilat detyrimi i TVSH-së është 6%.
Kategorizimi si strukturë akomoduese për përfitimin e TVSH-së 6% kryhet nga Ministria e Turizmit, dhe më tej pas marrjes të tij, subjekti tregtar regjistrohet për NIPT në Tatime.
Ekonomistja Romina Radonshiqi rekomandon se më e leverdishme është që këto biznese të regjistrohen si struktura akomoduese me qëllim përfitimin e TVSH-së 6%.
Sipas Radonshiqit, formalizimi është tepër i rëndësishëm për këto struktura sepse nxit konkurrencën, ofron më shume siguri për mbrojtjen e turistëve dhe krijon mundësi në zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.
“Nëse një individ ka disa apartamente dhe i jep me qira ditore mënyra me e mirë do të ishte të regjistrohej me nipt sepse kjo do t’i mundësonte të krijojë strategji marketingu, duke u zhvilluar si biznes dhe duke përfituar TVSH 6%.
Nëse kemi lëshimin e një apo dy apartamenteve mënyra më e mirë do të ishte taksimi me 15% pasi do të shmang pagesën e taksës lokale dhe kontributeve shoqërore dhe shëndetësorë, pasi nëse hap NIPT do të duhet të sigurojë një punonjës ose të jetë i vetëpunësuar.
Por nëse individi është dhe i punësuar regjistrohet dhe për biznesin e qirasë ditore dhe paguan për dy punësim, në fund të vitit do të rëndohet për nga detyrimi”, pohon ajo.
Për momentin, masa për formalizimin e tregut nëpërmjet identifikimit të pronarëve të regjistruar në platformat e huaja që është për Booking, të shtrihet së shpejti edhe për identifikimin e pronave të regjistruara në AirBnb dhe TripAdvisor.
Kryetari i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit, Zak Topuzi, një ndër nismëtarët e nxitjes së masave për formalizimin e këtij tregu, tha se pas kontakteve me përfaqësues të Booking rezultoi që vetëm Shqipëria nuk kishte një kërkesë zyrtare nga institucionet përgjegjëse që subjektet që operonin me këto platforma, të kishin një NIPT aktiv.
“Me kërkesë të ATA-s, pas një sërë takimesh me ministritë e linjës dhe operatorin Booking, u arrit të vendosej që pas afatit 1 Nëntor 2023, çdo subjekt duhet të operojë në këtë platformë me një NIPT aktiv për të përfituar uljen e TVSH-së 6%”.
Arbër Brahaj e konsideron këtë sektor ndër evazorët më të mëdhenj, pasi nuk zbatojnë detyrimet, sipas ligjeve për regjistrimin në QKB, në sistemin e TVSH, pasi qiraja afatshkurtër me ligj është subjekt i TVSH-së dhe ka detyrimin e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme si përdorim Biznes pranë Bashkive dhe pagesën e taksës së ndërtesës dhe pagesat e tatimfitimit sipas kritereve të ligjit.
Z. Brahaj rekomandon gjithashtu se krahas kontaktimit të Booking, administrata tatimore duhet të organizojë kontrolle edhe në terren. “Këto prona reklamohen gjithmonë me vendndodhje shumë të saktë dhe nuk është aspak vështire të gjenden”.
Zak Topuzi shton se përveç nismës të ndërmarrë me Booking për formalizimin e sektorit akomodues në turizëm, me mbështetjen e ATA-s, në bashkëpunim me institucionet u ndërmorën ndryshimet ligjore në ligjin për turizmin.
Projektligji, sipas tij, përfshin disa propozime për qëllimin kryesor, atë të formalizimit të tregut; kategorizimin e apartamenteve e vilave që jepen me qira afatshkurtër për të përfituar nga ulja e TVSH-së në 6%, vendosjen e gjobave për ata që nuk do të zbatojnë detyrimet e vazhdojnë të punojnë në informalitet.
Si dhe parashikon përpunimin e të dhënave statistikore pa të cilën nuk mund të parashikohet Strategjia e Zhvillimit të Industrisë Turistike në të ardhmen dhe Rishikimin e Standardeve, duke përfshirë ndryshimet që ka sjellë zhvillimi.
“Viti 2024, shpresoj ta gjejë sektorin me një legjislacion të përmirësuar dhe falë mundësisë së konsultimeve me ligjin e BE-së. Gjithashtu dhe më të formalizuar, pasi janë parashikuar sanksione e gjoba për ata që nuk do të zbatojnë atë. Ndihmesa më e madhe do të jetë për Bashkitë e
Komunat, që do të kenë mundësi të mbledhin taksat lokale (pasi kryesisht këto biznese do të mbeten biznes i vogël) për të pasur mundësinë të përmirësojmë shërbimet ndaj turistëve dhe komunitetit”./Monitor