Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
SPAK i ka bllokuar pasaportën dhe i ka caktuar masën “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”.
Ilir Beqaj akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim në lidhje koncesionin e sterilizimit.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Në datë 13.01.2020, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.13 të vitit 2020 që bën fjalë për veprat penale të “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248-25 i Kodit Penal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrëve në tendera apo ankande publike” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258-25 i Kodit Penal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetëror ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, në lidhje me procedurën e dhënies me koncension “Për shërbime të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjeksor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, nga Ministria e Shëndetësisë.
Në vazhdim të hetimeve për këtë procedim penal, me kërkesën të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.119 akti datë 16.11.2023 ka vendosur si më poshtë vijon:
Caktimin ndaj personit nën hetim I.B. me detyrë ish-Ministër i Shëndetësisë, të masës së sigurimit “Detyrim për paraqitje në Policisë gjyqësore” dhe “Ndalim i i daljes jashtë shtetit”, parashikuar nga nenet 234 dhe 233 të K.Pr.Penale, si i dyshuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Urdhërohet personin nën hetim I. B. që të paraqitet para policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit, një herë në javë, ditë të premte, ora 15.30.
· Urdhërohet personin nën hetim I.B. të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë pa autorizimin e gjykatës.
· Ndalohet përdorimi i pasaportës dhe mjeteve të tjera identifikuese të vlefshme për daljen jashtë shtetit, për personin nën hetim I.B..
Vendimi për caktimin e masës së sigurimit personal është ekzekutuar nga Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (në datën 17.11.2023).
Arrestimi i ish-zv ministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj për shkelje barazie në tender
Për koncesionin 100 milionë dollarësh të Sterilizimit, i arrestuar është ish-zv. Ministri i Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni i sterilizimeve spitalore nën akuzat “mashtrim”, “falsifikim” dhe “shpërdorim detyre në bashkëpunim”.
Referuar dosjes vërtetohet lidhja e ish-ministrit me biznesmenin, që fitoi koncesionin për sterilizimin e seteve kirurgjikale. Sipas SPAK ish-zëvëndësministri dhe biznesmeni kanë përfunduar studimet bashkë me Fakultetin e Mjekësisë në 1991-1994. Po ashtu edhe drejtori i kompanisë koncesionare Sani Service, ka qenë shoku i tyre i klasës. Njohja mes tyre është konfirmuar edhe nga të afërm të tjerë.
Koncensioni i Sterilizimit
Në 16 Shkurt 2015, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë, shpall tenderin për dhënien me koncesion/partneritet publik privat (PPP) per ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si edhe trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.
Tenderi përllogaritej në vlerën e rreth 100 milionë eurove, të cilat do t’i paguhen fituesit të koncensionarit nga Buxheti i Shtetit për një periudhë 10-vjeçare. Gjithësesi, në bazë të disa ndërhyrjeve të mëvonshme, qeveria e shtoi vlerën e koncensionit në rreth 135 milionë euro.
Në tender morën pjesë 5 operatorë, 3 prej të cilëve nuk kishin paraqitur ofertë dhe për këtë arsye u skualifikuan automatikisht.
Në Prill 2015, Ministria e Shëndetësisë shpall fitues bashkimin e operatorit të regjistruar në Kosovë nga shqiptari emigrant Ilir Rrapaj “Investial” dhe tre kompanive italiane. Konkretisht; “Servizi Italia”, e regjistruar në Parma, si edhe peruxhianet “Tecnosanimed” dhe “U.jet”srl.
Kompania humbëse e ankimoi vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë pranë Komisionit të Prokurimit Publik (KPP).
Në Shtator 2015, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të pranonte pjesërisht ankimin, duke kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të rishikojë disa aspekte të tenderit.
Pas rishikimit të procedurave, Ministria e Shëndetësisë, në Dhjetor 2015, vendosi të shpallte fitues sërish të njëjtin bashkim operatorësh që kishte kualifikuar edhe në fillim.
Tashmë, kompania e shqiptarit Rrapaj dhe tre kompanitë italiane ishin bashkuar në një të vetme, duke krijuar koncensionarin “Saniservice”.
Kush janë kompanitë e koncensionit
Në Korrik 2015 krijohet “Saniservice”, me përbërjen e: “Investial” e Ilir Rrapajt me 40 përqind, me kontribut fillestar 8 mijë euro; “Servizi Italia” me 30%, me kontribut fillestar 6 mijë euro; si edhe “Tecnosimed” dhe “U.jet” me nga 15 përqind secila, me kontribut fillestar nga 3 mijë euro.
1. Kompania “Investial” është krijuar nga shtetasi shqiptar Ilir Rrapaj në Kosovë. Rrapaj, deri në atë kohë, ishte një sipërmarrës i vogël në Peruxhia të Italisë.
2. Kompania “Tecnosimed” nuk rezulton të ketë kredite të larta në fushën e sterilizimit. Në faqen e saj të internetit, kompania deklaron se aktiviteti i vetëm i saj jashtë Italisë është pjesëmarrja në koncensionin e Sterilizimit në Shqipëri.
“Tecnosimed srl, prej 2016, është ortak themelues i “SaniService” shpk në Tiranë. Saniservice është zotërues i një kontrate 10-vjeçare të Partneritetit Publik Privat me Ministrinë e Shëndetësisë së Shqipërisë”, thuhet në faqen e kompanisë.
3. Kompania “U.jet” srl, gjithashtu, nuk duket se ka aktivitet të konsiderueshëm. Madje, në faqen e saj të internetit, zhvillimet më të fundit i përkasin vitit 2014. Prej asaj kohe, ‘U.jet” nuk duket se ka pasur ndonjë aktivitet për të reklamuar.
4. “Servizi Italia” duket se është kompania kryesore në koncensionarin “SaniService”, pavarësisht se rezulton ortaku i dytë për nga numri i aksioneve.
Në aktin e themelimit të kompanisë koncensionare “Saniservice”, 3 prej kompanive kanë zgjedhur që të përfaqësohen nga Umberto Staccini, administratori i “Servizi Italia”.
“Servizi Italia” në Shqipëri
Kompania italiane “Servizi Italia” është e vetmja ndër 3 anëtarët italianë të koncensionarit që ka një aktivitet tjetër tregtar në Shqipëri.
Në bazë të të dhënave të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), “Servizi Italia” rezulton të jetë aksionere me 40% të “Sanitary Cleaning”. Ortaku i shumicës, me 60%, rezulton të jetë një kompani e regjistruar në Hollandë, “Berniv bv”.
“Sanitary Cleaning” është krijuar në vitin 2014 nga shtetasi shqiptar Fatos Deliu. Përsa kohë ishte në pronësi të Deliut, “Sanitary Cleaning” kishte deklaruar selinë e saj në ambjentet e Spitalit Amerikan.
Deliu, në vitin 2018, i shet 40% të aksioneve kompanisë “Servizi Italia”, i cili ndërkohë kishte nisur aktivitetin tregtar në Shqipëri, nëpërmjet koncensionarit të Sterilizimit.
Më tej, Fatos Deliu, i shet edhe 60% një kompanie të regjistruar në Hollandë, “Berinv bv”. Fatos Deliu zhvishet nga aksionet në “Cleaning Sanitary”, por gjithësesi emërohet administrator i saj, detyrë që do e mbajë deri në vitin 2023.
Kompania “Sanitary Cleaning”, në vitin 2017, rreth një vit para se t’i bashkohej “Servizi Italia”, fiton tenderin e diskutueshëm të lavanderisë së Spitalit të Durrësit, me vlerë rreth 1.5 milionë euro.
Për këtë tender, pati një seri ankesash publike. Gjithësesi, autoriteti kontraktor shpalli përfundimisht fitues kompaninë “Sanitary Cleaning”.
Krahas këtij tenderi, kjo kompani ka fituar edhe një grup tenderash të tjerë, të cilët, sipas ‘Opendata” përllogariten në rreth 100 mijë euro.
Fryrja e kostove të Sterilizimit
Në kontratën koncensionare të Sterilizimit, parashikohej mundësia e ndryshimit të çmimeve. Mënyra se si është hartuar kontrata, krijon përshtypjen se shteti shqiptar mund të ulë kostot që duhet të paguajë për kompaninë koncensionare, të përllogaritura fillimisht në rreth 100 milionë euro.
Por, zbatimi rezultoi shumë më ndryshe. Në buxhetin e vitit 2019, qeveria raportoi se fatura totale e sterilizimit ishte 12.3 miliardë lekë ose 100 milionë euro.
Por në tabelat që i janë bashkangjitur buxhetit, kostoja e këtij koncesioni është rritur në 16.5 miliardë lekë ose rreth 135 milionë euro. Pra vetëm në harkun kohor të një viti fatura e Sterilizimit është rritur me 35 milionë euro ose 34 për qind.
Ndërkohë që shteti shqiptar rriti faturat që duhej të paguante, koncensionari “SaniService” deklaroi trefishimin e fitimeve të saj.
Në bilancin për vitin 2018, “SaniService” deklaronte një fitim prej 218 milionë lekë të reja (afërsisht 2 milion euro).
Kjo shifër ishte tre herë më e lartë se sa fitimi i vitit të mëparshëm. Në vitin 2017, koncensionari “SaniService” kishte deklaruar si fitim vlerën prej 72 milionë lekë të reja (rreth 600 mijë euro).