Kreu i PD-së, Sali Berisha ka vijuar edhe ditën e sotme denoncimet në lidhje me aferën e inceneratorit të Tiranës.
Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha deklaroi se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka shkelur çdo ligj me firmën e tij në muajin mars të vitit 2018, ku ka marrë përsipër të gjitha detyrimet e kontratës që nuk e ka kaluar në Këshillin Bashkiak.
Më tej, lideri demokrat u shpreh se në kontratë, detyrimi për pagesë minimale ishte 5.6 milionë euro, por Veliaj, pa asnjë shpjegim por vetëm për hajni, e ka rritur në 7.4 milionë euro.
Berisha deklaroi se zhdukja e 120 milionë eurove përbën gropën e zezë të djegësit të Tiranës. Ai më tej e ka konsideruar si ggjysmak vendimin e SPAK për sekuestrimin e inceneratorit të Tiranës, teksa sipas tij, institucioni i drejtësisë nuk guxon të urdhërojë anulimin e faturës prej 29 euro për ton.
Berisha: Erion Veliaj ka marrë përsipër të gjitha detyrimet e kontratës që nuk e ka kaluar në Këshillin Bashkiak. Në përgjigje të një shkrese që i dërgon Damian Gjiknuri, asokohe ministria që duhej të bënte pagesat për djegësat, Veliaj shkruan: Bashkia e Tiranës ka pranuar të drejtat dhe detyrimet nga kontrata dhe angazhohet për të gjitha detyrimet që rezultojnë si të tilla për Bashkinë e Tiranës, duke përfshirë, por pa u kufizuar në kryerjen e të gjitha pagesave për depozitimin dhe përpunimin e sasisë minimale të mbetjeve sipas çmimit 29 euro për ton. Angazhohemi për të kryer të gjitha veprimet dhe të përmbushim detyrimet nga kontrata, përfshi edhe asistencën dhe procedurat e lidhura me ndërtimin dhe funksionimin e veprave, ashtu siç definohen në kontratë. Asistencën në proceset e shpronësimit dhe angazhohemi të shmangim çdo veprim që shkon kundër dispozitave të kontratës. Të gjithë marrëveshjet në kontratë, do të zgjidhen në përputhje me kontratën. Firmos me firmën e tij në muajin mars të vitit 2018, kryetari i saj, Erion Veliaj duke shkelur çdo ligj.
Ky zotim kriminal, në shkelje të të gjitha ligjeve dhe Kushtetuës, vjen pas shkresës që Damian Gjiknuri si autoritet kontraktor, i dërgon Bashkisë së Tiranës, për dijeni edhe kompanisë së tij, Integrated Energy.
Në këtë shkresë, Gjiknuri shprehet se është i angazhuar për të përmbushur të gjitha detyrimet për të përmbushur sasinë minimale. Në dokument thuhet se duke qenë se Bashkia e Tiranës është monitoruesja në terren i kësaj kontrate, si njësia më e madhe vendore, kërkojmë që bashkë me letrën e angazhimit që e ka firmosur Erion Veliaj, të na dërgohen konfirmimet e situacioneve për mbetjet e depozituara për çdo muaj. Këtu janë dërguar tabelat e pagesave që duhen bërë.
Rezulton se në tabelën e parë, që është me firmë dhe me vulë të të gjithë aktorëve, detyrimi për pagesë minimale ishte 5.6 milionë euro. Por ky detyrim, nga Erion Veliaj, pa asnjë shpjegim por vetëm për hajni, rritet nga nga 5.6 milionë euro, në 7.4 milionë euro. Pa asnjë justifikim, kur kontrata parashikonte sasinë minimale prej 5.6 milionë euro ose 200 mijë ton, kurse Erion Veliaj faturonte 255 mijë ton. Faturonte si pagesë minimale 1.6 milionë euro më shumë, të cilat sigurisht i zhdukte në vrimat e zeza në Zimbabve apo në kontot offshore.
Bashkia e Tiranës ishte përgjegjëse kryesore për monitorimin e çdo muaji, të punimeve, të depozitimeve dhe të gjithë zhvillimeve në fushën e Sharrës për djegësin e Tiranës. Kanë kaluar 6 vjet dhe nuk ka asnjë objekt të ndërtuar, në një kohë kur taksapaguesit dhe biznesmenët e detyruar kanë paguar mbi 120 milionë euro. Ky është një akt i pashembullt në histori. Ky koncesion është quajtur koncesion privat, por çfarë koncesioni privat është ky, kur ka marrë nga qeveria dhe bashkia, 120 milionë euro dhe duhej ta kishte në përfundim djegësin. Ato i ka marrë Erion Veliaj me shokë dhe djegësi nuk ekziston në asnjë gjurmë.
Së pari, t’i japësh privatit për të ndërtuar për veten e tij, dhe jo me paratë e tij, është një krim i shëmtuar. Së dyti, zhdukja e 120 milionë eurove përbën gropën e zezë të djegësit të Tiranës. Së treti, sekuestrimi gjysmak, për të mos thënë edhe klientelist i SPAK, që u duartrokit aq shumë, lejon në mënyrë të paimagjinueshme pagesat kriminale, të hedhura poshtë nga KLSH, në kundërshtim me kontratën për 29 euro për ton, në një kohë kur nuk digjet asnjë kilogramë. Sepse SPAK nuk ka guxuar të urdhërojë anulimin e faturës prej 29 euro për ton. Të urdhërojë detyrimin e antiligjor kriminal të ndërtuesve dhe bizneseve, për të depozituar kundrejt tarifës, inerte dhe dhera, prej 6 vitesh në fushën e Sharrës. Për këtë, SKAP-i nuk ka një fjalë.
Tre polici janë marrë me garantimin e detyrimit të bizneseve për të dorëzuar në Sharrë inertet dhe dherat. Policia e Shtetit, Policia e Bashkisë dhe policia e Agron Malajt të Burrelit, i cili merrte 32 mijë euro në muaj me ato papaqët që pronarët, bizneset, ndërtuesit të mos mund të nxirrnin një makinë dhe, përveç Salillarit që paguante policinë, atij i dilte më lirë t’i çonte në Skuraj dhe të mos paguante në Sharrë. Çdo ditë që kalon, e bën më të rëndë, më kundërmuese, aferën e shekullit, vjedhjen e shekullit dhe nxjerr në pah, autorët më kryesorë të saj, ndër të cilët Erion Veliaj për djegësin e Tiranës zë vendin e parë. E garantoj se do bëhet një proces publik shembullor dhe nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë verdiktit të qytetarëve. Tirana po zien nga një revoltë e brendshme e jashtëzakonshme, e cila së shpejti pritet të shpërthejë dhe do u tregojë vendin autorëve të vjedhjes së shekullit.