Mazhoranca socialiste është dorëzuar përballë presionit të opozitës dhe ka vendosur të përshpejtojë procedurat e votimit në Kuvend të kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Seanca është caktuar të zhvillohet ditën e nesërme (14 Korrik) në 10:00.
Deputeti demokrat Gazment Bardhi, si kreu i grupit parlamentar të PD-së në parlament, depozitoi një kërkesë në Kuvend para nisjes së seancës plenare. Thelbi ishte që kërkesa e prokurorisë për arrestimin e Ahmetajt të votohej gjatë seancës së sotme parlamentare dhe jo të Hënën në 17:00, siç vendosën dje në Këshillin e Mandateve deputetët e mazhorancës.
Këta të fundit mbrojtën qëndrimin e një dite më parë. Deputetja socialiste Koltilda Bushka tha se zhvillimi i mbledhjes të Hënën ishte në zbatim të procedurave të Kuvendit. Kërkesën e opozitës ndërkohë, e cilësoi antikushtetuese.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila nuk pranoi as ta hedhë kërkesën për votim pavarësisht pretendimit të vazhdueshëm të ligjvënësve të opozitës.
Ky ngërç u bë sebep për përplasje verbale të ashpra mes palëve dhe kryeparlamentarja Nikolla e ndërpreu seancën plot katër herë. Herën e fundit, ishte Taulant Balla nga PS i cili kërkoi ndërprerjen për të arritur në një konsensus me opozitën për çështjen. Konsensus që u arrit në mbledhjen e një Konference të Kryetareve që doli me vendimmarrjen për të përshpejtuar seancën në të cilën do të votohet kërkesa e SPAK.
Gjatë mbledhjes së djeshme të Këshillit të Mandateve palët kanë rënë dakord për ti dhënë dritën jeshile arrestimi të ish-zëvendëskryeministrit.
Ndërkohë, në seancën e sotme plenare, deputeti Bardhi zbuloi se kreu i SPAK Altin Dumani kishte kërkuar arrestimin e Ahmetajt pasi ish-ministri ka intimiduar dëshmitarë dhe tentuar të prishë prova në hetimin ndaj tij.
Opozita ka hedhur akuza se mes Ahmetajt, avokatët e të cilit kanë konfirmuar se ndodhet jashtë vendit dhe kryeministrit Edi Rama, po zhvillohen negociata të fshehta.