Nga Basir Çollaku
Dy pyetjet e Ahmetajt që nuk i do SPAK për momentin!! Ai është mes Ramës dhe Veliajt. Arben Ahmetaj është, mund dhe duhet të jetë dëshmitar kryesor për shefin e tij kryeministër Edi Ramën dhe kryevendorin e Tiranës Erion Veliaj. Ai si-ish ministër e ish-zëvëndëskryeministër, di krejtçka për inceneratorët, për rindërtimin, për porte e aeroporte, për tendera, investime, çdo gjë të bërë me paratë publike dhe jo të kësaj qeverie mbi e nën dorë. Di sigurisht edhe për agjentin Charles MC Gonigal për rusin e naftës e rindërtimit Deripaska, për këshilltarin e lobistin Tony Blair, në qokat ekonomike në Tiranë, e plot sajdisje të shumta financiare për vendas dhe të huaj. Ai realisht është kujtesa e udhësive dhe paudhësive të këtij pushteti dhe Rama këtë e di në gjumë.
Ndaj, kujdesi për alibi ka nisur. Avokatët lajmërojnë në të drejtën e tyre profesionale se janë shumë fashikuj e duhet kohë të studiojnë pretendimet e akuzës në kërkesën për arrestim drejtuar Kuvendit. Natyrisht për kohë kanë nevojë gjithë, aktorë-faktorët e kësaj dosje vrasëse politikanësh. Ngjashmria me Tahirin, në lëmin e trafikut të drogës, kultivimit, menaxhimit, inceneratorit narkotik, është e madhe. Njëlloj edhe në dijeni sekretesh. Por ai e kapërcen historinë e ministrit të brendshëm të dënuar e liruar, për çfarë nuk kishte bërë, sepse skema ka tendencë të përsëritet për ministrin më të rëndësishëm të mazhorancës, njeriun e sekreteve të parasë. Në një intervistë në shkurt të këtij viti, Arben Ahmetaj ka folur duke dhënë mesazhet për Ramën, Veliajn drejtësinë.
Duke u përgjigjur për shkresën tashmë të publikuar të kryebashkiakut për inceneratorët, ish zëvëndëskryeministri deklaroi se “firma është e Erion Veliajt, mund ta pyesnit kryeministrin për Erion Veliajn..” Kjo është njëherësh edhe një ftesë për prokurorinë të shkojnë edhe në këtë adresë hetimet . Edhe kur flitet për vendimet e shumta të qeverisë Brenda një dite për këtë dosje sërish Ahmetaj nuk harron të kujtojë, kush është shefi për të dhënë urdhëra të mblidhet Këshilli i Ministrave . Ndoshta rastësisht por ai përmend dhe gurutë, ndoshta si mesazh për ndonjë koleg ministër në afrinë e tij me gurutë, ku Gjiknuri ka episode njohje të kësaj natyre, fakt bërë publik në detaje. Ndër të tjera ministri në prag arresti pohonte se“ …Si ka mundësi të jesh ‘koka’ e inceneratorëve dhe të kesh fuqi të mbinatyrshme dhe të marr gjithë kolegët dhe ta bëj të gjithën këtë. Nuk kam qenë aq i fuqishëm që të vë në lëvizje gjithë qeverinë, bashkinë. Unë nuk kam superfuqi o burrë, nuk jam guru, që t’i bëja të gjithë bashkë në qeveri e të hidhnin firmat për inceneratorët. Duhet të isha Guru që të merrja kryeministrin….”
Ndërsa në këtë duel deklaratash në distancë Rama përgjigjet se “kush gabon rrugë ose I merr koka erë, dhe bashkë me qëllimet e shpallura kërkon të realizojë gjëra qëllime të tjera do ti dalë për zot vetë pastaj..” duke njoftuar se nuk e mbron dot. Konstatimet janë për Ramën dhe Prokurorinë e Posaçme, duke lënë të kuptohet e nënkuptohet se e kemi dreqosur të gjithë bashkë, po përse më veçoni mua si kurban më vete në këtë hetim. E këtu thellësia e ngjarjeve mund të sjellë surpriza për këdo është brenda këtyre qindramilionë eurove, parave publike të abuzuara. Frika nga deklarimet e ministrit në seancën e Komisionit të Mandateve e bëjnë shqyrtimitn e kërkesës dyermbyllur, sepse ajo çka thuhet aty, nuk mund të mos merret në konsideratë si dëshmi dhe mundësi prove ndaj cilido qeveritar, bashkiak e zyrtar, për të cilët Ahmetaj ka dijeni me detaje deri në qindarka. Seancë e mbyllur gojë e mbyllur hetim i hapur nuk shkojnë fort bashkë si veprime.
Ish-zëvëndëskryeministri para se të shkarkohej nga Rama është sherrosur ashpër me dy të bashkëakuzuar të cilët janë lënë çuditërisht mënjanë në këtë sagë të madhe investigimi. Me Erjon Veliajn dhe Engjëll Agaçin. Lënia e shtegut hapur për tu larguar e për të vuajtur në mungesë e hetuar në mungesë e ndëshkuar në mungesë, është një gomarllëk ku mbeten të gjithë të kënaqur, e veçanërisht kryehallexhiu i kësaj meseleje Edi Rama. Mirë do të ishte për Arben Ahmetajn të ishte në Kuvend, të përballej në seancë, të fliste për aq shumë sa di dhe si vetëm ai i di dhe kështu, prokurorët kanë një mundësi sprove të tyre. Kanë mundësi të bëjnë edhe disa kërkesa të tjera për heqje imunitetesh, si dhe të kalojnë në kthim nga Bashkia e Tiranës e ti lënë një shkresë tek dera Erion Veliajt.
Mungesa e sotme nuk justifikohet me dëshmi nga arratia apo përpjekjen se do të flas në një moment të dytë. Një pjesë jo e pakët e këtyre parave të djegësve, kanë shkuar te ndërtimet dhe rindërtimet, ka deputetë, biznesmenë të cilët ua kanë shijuar lezetin por tani rrezikojnë të përballen me sikletin. Për njërin ish-deputet socialist ndërtues pretenduar si ortakëri me Ahmetajn, nuk kanë dijeni Veliaj si lejedhënës për shtesë disa kateve pas 10 vitesh ndërtim pallati vetëm 100 metra larg zyrës së Edi Ramës ku ai duhet të firmosë si kreu i KKT? Thua verbëria të jetë bërë kryeministër e kryebashkiak njëherësh.. Prokuroria mundet të thotë në ditë më pas se si dalin vizitat e vëshëve dhe syve për këtë dosje . Arben Ahmetaj te financat është si Sajmir Tahiri te droga, e Erion Veliaj te ndërtimet, por të tre shegertë të Edi Ramës..