Frika e një “emigracioni të mundshëm në SHBA” të kryeprokurorit të Durrësit Agron Gjana, mësohet të ketë qenë motivacioni zyrtar që Ambasada Amerikane ka përdorur në refuzimin e vizës ndaj tij.
Gjana, prokuror i Durrësit, kishte aplikuar për t’u pajisur me vizë së bashku me kryeprokurorin Adriatik Llalla dhe tre prokurorë të tjerë shqiptarë për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Amerikë.
Ai nuk ka arritur të bindë ambasadën që do të kthehet në Shqipëri dhe rezulton se nuk ka asnjë rezidencë banimi.
Letra e plotë e përkthyer në shqip
I dashur zoti Gjana, Kjo është për t’ju informuar se nuk jeni gjetur i përshtatshëm për një vizë jo imigruese nën seksionin 214 të ligjit amerikan për imigrimin.
Një mohim sipas seksionit 214 do të thotë se nuk arritët të demonstronit se aktivitetet tuaja në SHBA ishin në përputhje me klasifikimin e vizave jo emigruese për të cilën ju aplikuat, ose që informacione shtesë dolën në dritë pas intervistës tuaj për të mbështetur mohimin e vizës sipas seksionit 214.
Teksa çdo klasifikim për vizat jo emigruese ka kërkesat e veta, një kërkesë për çdo kategori vizash jo emigruese është që aplikanti të demonstrojë se ai ose ajo ka një rezidencë në një vend të huaj të cilën nuk ka qëllim që ta braktisë.
Aplikantët zakonisht i përmbushin këto kërkesa duke demonstruar se kanë lidhje të forta jashtë SHBA-ve dhe se do të kthehen në vendin e tyre pas një vizite të përkohshme në SHBA. Këto lidhje përfshijnë ato profesionale, pune, shkolle, familje, ose lidhje shoqërore në vendin e tyre.
Ju nuk keni demonstruar se i keni këto lidhje që do t’ju detyronin të ktheheshit në vendin tuaj pas vizitës në SHBA. Vendimi i sotëm nuk mund të riapelohet.
Sidoqoftë ju mund të riaplikoni në çdo kohë. Nëse vendosni të riaplikoni duhet të dorëzoni një aplikim të ri dhe foto, pagesë për aplikimin serish dhe një datë për intervistim në zyrën konsullore. Nëse zgjidhni të riaplikoni duhet të përgatiteni për të ofruar informacionin që nuk u prezantua në aplikimin tuaj ose që të demonstroni që rrethanat tuaja kanë ndryshuar që nga aplikimi.