Ndryshe nga herët e tjera ku i “servir” mediave kaseta të gatshme të propagandës, ditën e sotme kryebashkiaku i TIranës Erion Veliaj është gjendur në vështirësi dhe ka “mbyllur gojën” përballë pyetjeve të gazetarëve.
Erion Veliaj me shumë mundësi është zyrtari i lartë më i kallëzuar pranë SPAK-ut. Në adresë të kryebashkiakut aktual të Tiranës janë dorëzuar një mori kallëzime penale, si një prej personave kyç të përfshirë në aferën e inceneratorëve. Por pavarësisht akuzave të pafundme, SPAK ka heshtur dhe asnjëherë nuk e ka thirrur kryebashkiakun socialist që të japë “llogari” për atë që cilësohet nga opozita si afera më e kushtueshme në historinë e vendit tonë.
I pyetur sot nga gazetarët në lidhje me dy çështje të tjera, njëra për inceneratorët dhe tjetra për përgjimet për dyshime se bashkia ka pasur kontakte me mafien Ndrageta, Veliaj u përgjigj: “Nuk kam pasur asnjë kontakt. Në dallim nga Berisha unë nuk tremben të përballem në gjykatë”
Gazetarja: A jeni i gatshëm të përballeni me drejtësinë për aferën e inceneratorëve?
Veliaj vendoset në siklet nga pyetja: “Po ju nuk jeni prokurore, kur të jeni do vij të flas me ju. Faleminderit, të fala Saliut, me datë 19 me Polici”. Menjëherë pasi i shmanget pyetjes, Veliaj me arrogancë vendos të largohet duke mos i kthyer përgjigje gazetarëve dhe opinionit publik.
Veliaj mëngjesin e sotëm Erion Veliaj, kryetari i bashkisë Tiranë, është paraqitur në ambientet e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit për të marrë pjesë në seancën e parë që po mbahet ndaj ish kryeministrit, Sali Berisha të cilin e ka akuzuar për shpifje për deklaratat që ka bërë në lidhje me Iranin. Berisha disa kohë më parë në një deklaratë që bëri për mediat tha se Veliaj është politikani i vetëm shqiptar që ka lidhje dhe po fut para nga Irani.
- Dyzinë kallëzimesh për Veliaj, por SPAK nuk e thërret për t’i kërkuar “llogari”
Kallëzime më të detajuara, ku përfshihet drejtpërdrejtë emri i Erion Veliajt, janë dorëzuar në vijim nga Lëvizja Socialiste për Integrim (sot “Partia e Lirisë”), Partia Demokratike dhe Komisioni i Posaçëm Hetimor Parlamentar për inceneratorët, i cili funksionoi në periudhën Shkurt-Mars 2022.
Por, pavarësisht morisë së kallëzimeve, Struktura e Posaçme Hetimore (SPAK) nuk ka arritur deri më tani në asnjë konkluzion hetimor për Erion Veliaj, nëse është i pafajshëm apo përgjegjës për akuzat që i janë ngritur.
Vazhdimisht kryebashkiaku Erion Veliaj është akuzuar nga opozita si një zyrtar kyç i përfshrë në aferën e inceneratorëve të cilës edhe pas publikimit të skandalit nuk i është ndërprerë pagesa e tarifës me vlerë 29 euro për ton, megjithëse nuk funksionon riciklimi i mbetjeve por vetëm depozitimi i tyre.
Veliaj sakaq vazhdon fushatën për mandatin e tretë duke premtuar edhe pas 8 viteve si kryebashkiak një Tiranë të pastër dhe pa plehra, ndërkohë që banorët në zona të caktuara janë të shqetësuar nga era e rëndë dhe zhuli që mbizotëron në rrugicat e tyre.