Tirana në Futsal mund Flamurtarin në ndeshjen e fundit të sezonit duke mbrojtur edhe titullin e një sezoni më parë. Në sfidën që vlente titullin, skuadra bardheblu triumfoi 5-3 dhe ishte trajneri Artur Angoni ai që u konfirmua në fronin e kësaj disipline.
Ndeshja që ka përmbyllur sezonin e suksesshëm të Kampionatit Kombëtar të Futsalit, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, është zhvilluar të dielën në pallatin e sportit Goga në Durrës.
Ndryshe nga dueli i dytë, që ka qenë shumë i balancuar deri në sekondat e fundit ku u vendos edhe rezultati final, përballja finale e sezonit ka ofruar edhe më shumë emocione dhe gola.
Tirana ka kaluar që në minutën e tretë në avantazh me golin e shënuar nga Kaca në minutën e 3-të, duke zhbllokuar shumë shpejt rezultatin e sfidës, teksa në minutën e 12-të është Doçi që e dërgon topin në rrjetë çuar shifrat në 2-0.
Në minutën e 17-të akordohet penallti për Tiranën, që transformohet në gol nga kapiteni Kaca, duke thelluar rezultatin në 3-0. Flamurtari reagon në pjesën e dytë, duke shënuar dy herë me Shehajn në minutat 22 dhe 31 e duke ngushtuar shifrat në 3-1, por në minutën e 27-të është Kaca që realizon golin e 4-të për Tiranën dhe tretin personal me penallti.
Në minutën e 38-të, Muça i Tiranës realizon edhe golin e pestë që duket se vulosi fitoren e bardheblu, me Shehajn e Flamurtarin që shënon në minutën e 39-të për të fiksuar rezultatin final në 5-3.
Duhet theksuar se ka qenë një finale ku janë akorduar një numër i madh penalltish gjatë lojës me Flamurtarin që ka humbur katër të tilla, ndërsa Tirana humbi 1 dhe shndërroi në gol 2 nga 3 penalltitë e fituara.
Në përfundim të finales së tretë u organizua edhe ceremonia tradicionale me Drejtorin e Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri, i cili i ka dorëzuar trofeun e kampionit dhe medaljet ekipit Tirana Futsal. Ndeshja e parë e finaleve e luajtur në Vlorë kishte përfunduar me fitore 9-3 të Tiranës, ndërsa e dyta e luajtur në Tiranë u fitua 2-1 nga Flamurtari.
Kësisoj, Tirana Futsal do të marrë pjesë në turet kualifikuese të UEFA Futsal Champions League.
Finalet
Ndeshja e parë
Flamurtari-Tirana 3-9
Shënues: Kalus 6’, Kapaj 38’, Qopekaj 39’ / Mërtiri 1’, 30’, Kaca 8’, 10’, 39’, Prendi 12’, 34’, Doçi 13’, Muça 33’
Ndeshja e dytë
Tirana-Flamurtari 1-2
Shënues: Kaca 40’ (p)/ Gjoklaj 38’, Kaca (ag) 40’
Ndeshja e tretë
Flamurtari -Tirana 3-5
Shënues: Shehaj 22’, 31’, 39′ / Kaca 3’, 17’ (pen.), 27’ (pen.), Doçi 12’, Muça 38’