Nga Boldnews.al
I ndodhur mes dy zjarresh, atij të kryeministrit dhe ambasadës amerikane në Tiranë, kreu i shtetit ka vendosur të “ngrohet” në zjarrin e Ramës, duke pranuar ndoshta që të dalë kundër aleatit kryesor të SHBA-ve në emërimin e kreut të ri të Shërbimit Informativ Shtetëror. Presidenti vendosi të emërojë në krye të SHISH Vlora Hysenin, ish-kryespiunen e Kosovës e shkarkuar atje në mënyrë të menjëhershëm nën dyshimin e shpërdorimit të detyrës.
Në një shkrim të mëparshëm, Boldnews.al mësoi se pas propozimit të Hysenit për në krye të SHISH, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim takoi presidentin Bajram Begaj në Kodrat e Liqenit Artificial ku mësohet se i ka kërkuar që të mos e dekretojë Hysenin në majën e shërbimit inteligjent. Arsyet mund të jenë të shumta, si nga kryeneçësia e Ramës që nuk konsulton me partnerët emrin për postin e lartë të personit që ka informacione të klasifikuara edhe për çështje ndërkombëtare, ashtu edhe për të shkuarën e saj, e cila në Kosovë e larguan në mënyrë urgjente.
Më datë 17 mars, kryeministri Edi Rama shkoi si “mik” në presidencën e Begajt, duke i lënë në tavolinë emrin e Vlora Hysenit për të drejtuar SHISH. Dukej që Begaj në atë takim ishte thjesht në rolin e ish-gjeneralit që bën ushtarin dhe aprovon çdo gjë që i vjen nga kryeministri, kjo e vërtetuar edhe me fotot përçmuese që vetë Rama postoi me kreun e shtetit. Vetëm një ditë më vonë diçka ndodhi që bëri Begajn të lëkundej, duke mos u ndjerë më aq në humor të mirë që pas fundjavës së kaluar nën shoqërinë e ambasadores amerikane Kim.
Fakti që Begaj e zgjati jo pak dekretimin duket se ka qenë i dyzuar se kujt duhet t’ia prishte; Ramës apo Kimit? Vendosi ta mbajë mirë me kryeministrin, të cilit i është “borxhli” për postin e lartë që i ofroi, madje duke marrë edhe një kosto të lartë që gjithsesi do ia kujtojnë në forma të ndryshme nga godina e verdhë e Rrugës së Elbasanit…
Boldnews.al mëson se Begaj e ka zgjatur paksa dekretin për emërimin e Hysenit në krye të SHISH, për të qenë në “rregull me letrat”. Ai i ka kërkuar institucioneve tona të DSIK-së dhe të tjerave që ta pajisnin me certifikatën e sigurisë. Megjithatë presidenti me zgjedhjen e tij të pritshme, mund t’i ketë hapur telashe vetes që mund të mos i mendojë, për aq kohë sa “mirënjohja” për kryeministrin me gjasë mund ti errësojë paksa sytë.
Dyshimi se kreu i shtetit nuk shihet më si “njeriu i besuar i amerikanëve”, duke zgjedhur rrugën pa kthim vetëm me sytë nga kryeministri, tashmë është i arsyeshëm. Begaj ka një dosje të hapur në SPAK e cila ka të bëjë me tjetërsimin e pronave të ushtrisë, gjatë kohës që ishte në krye të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Pavarësisht postit, nuk është imun para drejtësisë që në kohët e fundit ka treguar se “indiciet” për të vënë në lëvizje i merr nga dy drejtime, si nga qeveria ashtu edhe nga ambasada e SHBA-ve. A do të pendohet Begaj për dekretimin e të përzgjedhurës së Ramës në krye të SHISH? Koha do ta tregojë dhe ajo mund të mos jetë e largët.