Marjana Gurakuqi, 40-vjeçarja që u bë personi i parë me të cilën “killer” Dan Hutra nisi serinë e krimeve që tronditën Tiranën më 1 mars, e që përfunduan me tre gra të vrara dhe tre të plagosursa, është prononcuar për herë të parë për mediat.
Marjana Gurakuqi u plagos me thikë në dorë nga Dan Hutra rreth orës 12:15, në ambientet e një dyqani në rrugën “Teodor Keko”, ku ajo ishte e punësuar, pasi kishte refuzuar t’i jepte lekë borxh, siç kishte bërë për shumë kohë, teksa u aludua se mes tyre ka pasur edhe një raport më tepër se miqësor ndër vite.
Por sipas dëshmisë së 40-vjeçarit, qëllimi për të cilin shkoi në Astir ditën e ngjarjes, ishte që të vriste Marjana Gurakuqin me thikë duke i prerë kokën.
Dan Hutra pretendon se donte t’i priste kokën me biçak 40-vjeçares sepse nëse do e vriste me armë zjarri do tërhiqte vëmendje dhe nuk do realizonte planin e tij deri në fund. Ai donte t’i merrte jetën pasi kur ka dalë nga burgu herën e parë në 2021-shin i ka dhënë 80.000 euro për t’i ruajtur, por pas disa kohësh e ka njoftuar se paratë i kishte gjetur bashkëshorti i saj dhe Danit i ka kthyer vetëm 2.300.000 lekë.
Siç ai vetë dëshmoi para hetuesve, plani dështoi në momentin kur në dyqan hyn klientë dhe Hutra u largua më pas me nxitim për të kryer ekzekutimet makabër në Paskuqan e Kamës.
“Marjanës do t’i prisja kokën me biçak, por nuk arrita pasi në dyqan hyri një person. Vladimiri tentoi të më helmonte në burg për llogari të Marjanës. E dëgjova teksa fliste me të në telefon”, ishte pohimi pa pendesë i Dan Hutrës.
Sakaq, Marjana Gurakuqi, e cila fillimisht nuk e denoncoi plagosjen, por ishin mjekët e Spitalit të Traumës që njoftuan policinë, tha sot për emsionin “Pa Gjurmë” se nuk e njeh Dan Hutrën.
Nga ana tjetër, ajo ka mohuar edhe akuzat për borxhe dhe tentativën për ta helmuar në burg duke shfrytëzuar Vladimir Kurtin, që Dan Hutra ka hedhur në drejtim të saj gjatë dëshmisë në polici.
40-vjeçarja prentendon se asgjë nga ato që është shfaqur në media nuk është e vërtetë, ndërkohë që ajo se mban të fashur njërën dorë prej plagëve të thikës, të marrë nga Dan Hutra.
Marjana Gurakuqi: Mos u keqkuptoni…
Gazetari: Jo nuk po keqkuptohemi, në radhë të parë më bëhet qejfi që je mirë
Marjana Gurakuqi: Faleminderit!
Gazetari: Kishe diçka serioze?
Marjana Gurakuqi: Po ishte, më mirë jam
Gazetari: Mirë, më bëhet qejfi
Marjana Gurakuqi: Mos u keqkuptoni, thashë nuk dua sepse ishte diçka e papritur që unë as e njihja, as…ndaj edhe nuk dua…
Gazetari: Pse ju thoni që ka gënjyer kur ka thënë kam pasur lidhje me Marjanën?
Marjana Gurakuqi: Po, po prandaj po them, çdo gjë unë e kam dhënë në polici
Gazetari: Ti nuk e njihje Dan Hutrën?
Marjana Gurakuqi: Po, unë atë… kam dhënë versionin që nuk e njihja, ndaj nuk dua ta bëj publike. Çdo gjë do të zgjidhet nëpërmjet policisë
Gazetari: Po, për faktin që ai ka thënë se ju ka dhënë 80 mijë euro?
Marjana Gurakuqi: S’e njihja dhe as nuk e njoh fare, sepse unë nuk kam qenë këtu. Unë kam jetuar në Greqi
Gazetari: Në 2021 nuk ke qenë në Shqipëri?
Marjana Gurakuqi: Në 2021 kam qenë këtu
Gazetari: Po pra, por ai për 2021 thotë se ju ka dhënë 80 mijë euro
Marjana Gurakuqi: Nuk ëëë…thashë që…
Gazetari: Po për akuzën që ju ka bërë që keni lidhje me Vladimir Kurtin dhe keni dashur ta helmoni në burg?
Marjana Gurakuqi: S’kam lidhje fare. Më vjen keq…
Gazetari: Mirë, faleminderit
Marjana Gurakuqi: Mirupafshim