Nga Boldnews.al
Gjyqtarja Edlira Petri kishte të paktën 5 arsye, ligjore dhe fakte të njohura botërisht, për të hequr dorë nga gjykimi kundër gazetarit Jetmir Olldashi dhe deputetit demokrat, Ervin Salianji, të cilët akuzohen për “kallëzim të rremë” në dëm të reputacionit të trafikantit të dënuar Agron (Geron) Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Por, gjyqtarja e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm bëri gjithçka që ta mbante këtë çështje në dorë, me shumë mundësi për t’i shërbyer mikut të familjes së saj, Fatmir Xhafajt, siç e deklaroi më herët Salianji.
Ky ishte fakti i njohur botërisht, i mjaftueshëm që Edlira Petri të hiqte dorë nga pozicioni i gjyqtares relatore në procesin në Apel, të iniciuar me ankim të Olldashit dhe Salianjit.
Ndërkohë, avokatët e tyre parashtruar edhe disa argumenta ligjorë, të cilët vinin në dyshim paanshmërinë e gjyqtares Edlira Petri.
Argumentat e paraqitur nga përfaqësuesit ligjorë të Olldashit dhe Salianjit u vlerësuan të drejtë nga gjyqtarja Elona Mihali, e cila këtë të shtunë pranoi kërkesën dhe vendosi përjashtimin e Edlira Petrit nga trupa gjykuese e çështjes “Geron”.
Në gjyq për trafikantit Geron
Historia ka nisur në maj të vitit 2018, kur deputeti opozitar, Ervin Salianji, publikoi një audio-regjistrim të kryer më herët nga gazetari Jetmir Olldashi në kuadër të një emisioni televiziv.
Në atë audio-regjistrim dëgjohej biseda ndërmjet një personi, Albert Veliu (Babalja) dhe Agron (Geron) Xhafaj, ku diskutonin për trafikimin e një sasie narkotikësh nga Shqipëria drejt Italisë.
Pas publikimit të regjistrimit, ish-Prokuroria për Krime të Rënda, e cila në atë kohë drejtohej nga Donika Prela, nisi hetimin kryesisht për trafik narkotikësh, por që përfundoi me penalizimin e kallëzuesve, deputetit Salianji dhe gazetarit Olldashi.
Ndërkohë që zhvilloheshin këto hetime, Agron (Geron) Xhafaj, me shumë mundësi i nxitur nga vëllai i tij Ministër i Brendshëm, iu vetëdorëzua autoriteteve italiane, të cilat e kishin dënuar me 7 vjet e 6 muaj burgim për trafik narkotikësh.
Ndërkohë, rasti i “kallëzimit të rremë” ndaj gazetarit Olldashi dhe deputetit Salianji iu përcoll më tej Prokurorisë dhe Gjykatës së Tiranës. Gjyqtari Artan Gjermëni, i lidhur ngushtë me Partinë Socialiste, ku militon Fatmir Xhafaj, shpalli fajtorë Olldashin dhe Salianjin për “kallëzim të rremë”.
Të dy e ankimuan çështjen në Gjykatën e Apelit, ku kërkojnë pafajësinë.
Në Apel, çështja i shortohet gjyqtarit Shkëlqim Mustafa. Pas largimit të tij nga detyra, çështja rishortohet dhe relatore përzgjidhet Edlira Petri.
Argumentat për përjashtimin e Petrit
Seanca e parë e çështjes “Geron” në Apel u zhvillua në 8 mars 2023. Përfaqësuesit ligjorë të gazetarit Jetmir Olldashi dhe deputetit Ervin Salianji kërkuan përjashtimin e gjyqtares relatore Edlira Petri.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët për argumentat e avokatëve.
Përfaqësuesi i gazetarit Olldashi kërkoi përjashtimin e Edlira Petrit, duke dyshuar për paanshmërinë e saj, mbështetur në të paktën dy argumenta.
Agjencia mediatike on-line, “Boldnews.al”, e administruar nga Jetmir Olldashi, ka publikuar një seri shkrimesh kritike, sidomos për procesin e rivlerësimit, të kryer ndaj gjyqtares së Apelit, Edlira Petri dhe bashkëshortit të saj, kryetarit në detyrë të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Këto publikime janë kryer në verën e vitit 2020, në një kohë kur Edlira Petri ende nuk ishte përcaktuar si relatore në çështjen “Geron”.
Po ashtu, avokati i Olldashit kërkonte përjashtimin e gjyqtares Petri, nën argumentin se bashkëshorti i saj, Sokol Sadushi, ka shqyrtuar një kërkesë paraprake të dorëzuar nga gazetari në Gjykatën e Lartë, ku kërkohej përjashtimi i gjyqtarit të shkallës së parë, Artan Gjermëni, nga shqyrtimi i çështjes “Geron Xhafaj”.
Këtë argument e ngriti edhe avokati i deputetit Ervin Salianji. Ndërkohë, në kërkesën për përjashtimin e gjyqtares ishin renditur edhe disa elementë procedurialë, mbi bazën e të cilave ngriheshin dyshime se Edlira Petri kishte shkelur aktet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të vetë Këshillit të Gjykatës së Apelit, për aspekte që lidhen me shortimin dhe ndarjen e çështjeve.