Orion Ahmeti ka mbërritur në studion e emisionit “Me zemër të hapur” për të denoncuar zhdukjen e babait të tij më shumë se 10 ditë më parë dhe për të apeluar për ndihmë. 54-vjeçari Idriz Ahmeti nga Fushë Arrëzi ka ndërprerë komunikimet me familjen e tij më 19 nëntor. Djali i tij nuk i ka mbajtur lotët në studion e emisionit ndërsa ka përshkruar komunikimin e fundit me të atin. I biri Orion Ahmeti rrëfen se ai ka humbur kontaktet me familjen në mënyrë të mistershme. Ai i ka telefonuar disa herë, i ati është përgjigjur duke treguar vendndodhje të ndryshme më pas telefoni ka qenë i fikur, raporton “BalkanWeb”.
“Ne ishim bashkë atë pasdite dhe më pas u ndamë se babi tha që kishte punë. Gjatë kësaj kohe ne kemi folur për rreth 2 orë me të. E kemi pyetur vazhdimisht dhe na ka treguar ku ishte (qan). Pas dy orësh, babi e ka hapur telefonin por nuk ka folur. Më pas kur i kemi rënë sërish telefoni ka dalë i mbyllur”, thotë Orion Ahmeti.
I pyetur nëse kishin vënë re ose nëse babai kishte pasur ndonjë shqetësim, djali e mohon. “Nuk kemi pasur asnjë shqetësim para se të largohej”, tha i biri. Ai thotë se policia nuk është angazhuar sa duhet për gjetjen e të atit. Për më tepër ende nuk është dhënë autorizimi për gjetjen e sinjalit të telefonit të babait. “Në dyshuam se mos kishte rrëshqitur diku dhe kishte ngecur. Kërkuam me familjarë, kushërinj e bashkëfshatarë. Nuk kemi hequr dorë nga kërkimet. Por i kërkojmë policisë të angazhohet, sepse policia nuk po na ndihmon”, tha Orioni.
Por Pal Marku, Shef i Komisariatit Pukë mohoi këto deklarata. Ai theksoi se po hetohet me përparësi me këtë rast. “Kemi referuar çështjen në Prokurori. Po hetohet në disa pista që nuk mund t’’ bëj publike. Që në momentin e parë që kemi marrë informacionin kemi kryer veprimet dhe kemi bërë kërkime”, tha Marku.
Edhe gazetari Armir Mehaj ndërhyu me një lidhje telefonike duke sqaruar se policia po kërkon gjithandej. Mehaj solli në vëmendje se brenda familjes së Idrizit ka pasur një konflikt disa vite më parë.
Ndërkaq në studio erdhën dy mesazhe. Një e moshuar telefonoi nga Fushë-Preza, vend ku tha se kishte parë një person të ngjashëm me Idriz Ahmeti dhe se i kishte dhënë 2 mijë lekë të vjetra. Po ashtu ajo tha se personi që i kishte kërkuar ndihmë ishte i sëmurë nga këmba. Më tej një vajzë shkruante se gjyshja e saj kishte parë një burrë të ngjashëm me 54-vjeçarin në Vorë.
Një burrë nga Durrësi ka telefonuar gjithashtu dhe ka deklaruar se e ka parë 54-vjeçarin në Durrës.
“Personin në foto, babai i djalit e kam takuar vetë, mbrëmë nga ora 19:30 të darkës, tek stacioni i trenit të Durrësit. E kam takuar personalisht. Mu duk normal, ishte i trembur po kështu mirë dukej. I dhamë dorën njëri-tjetrit. E keni të sigurt që e kam takuar në stacionin e trenit”, tha qytetari.