Sipas gazetës “Berliner Zeitung” Shërbimi Sekret Gjerman është i alarmuar për shkak të tendencave të Arabisë Saudite dhe vende të tjera të Gjirit Persik për të përkrahur fanatikët fetarë në Ballkan.
Shërbimi Sekret Gjerman (BND) është fokusuar kohëve të fundit në disa vende të Ballkanit dhe sidomos në Bosnjë-Hercegovinë për t’iu kundërvënë aktiviteteve të shteteve të Gjirit Persik, të cilat kanë për qëllim të përkrahin fanatikët fetarë. Siç shkruan gazeta «Berliner Zeitung» në numrin e së martës, BND po bashkëpunon me shërbime të tjera. Si mbështetëse e madhe e vahabistëve në Bosnjë-Hercegovinë konsiderohet Arabia Saudite. Qëllimi i këtij shteti është të eksportojë versionin e tij rigjid të islamit. Mes shteteve pasardhëse të Jugosllavisë Bosnjë-Hercegovina është shteti më fragjil. Nga ky vend qindra të rinj i janë bashkuar të ashtuquajturit «Shtet Islamik».
Në një fjalim të mbajtur para dy javësh në «Fondacionin Hanns Seidel» në München shefi i BND-së, Bruno Kahl, tha se fuqi shtytëse e politikës ndërkombëtare janë ndryshimet demografike. Këto ndryshime shkaktojnë valë refugjatësh dhe ndikojnë në krijimin e shteteve të dobëta, të cilat mund të bien pre e luftërave civile dhe të shërbejnë si vende ku tërhiqen dhe operojnë terroristët. Kahl deklaroi: «Indeksi i Shteteve Fragjile për vitin 2016 në këtë kontekst nga pikëpamja gjermane ofron një pamje pak inkurajuese. Aty Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria, Serbia, Maqedonia, Bjellorusia, Moldavia, Ukraina dhe Rusia renditen në kategoritë deri në . Kjo nuk domethënë se në këto vende është shkatërruar shtetësia. Por, me gjasë ajo nuk i përshtatet atyre standardeve, të cilat ekzistojnë në Europën perëndimore dhe të mesme – dhe të cilat nga Indeksi i Shteteve Fragjile vlerësohen si dhe ».
Në fjalimin e tij në München shefi i BND-së ka folur edhe për Rusinë. Kahl e ka quajtur këtë vend «rrezik potencial». Ai përshkroi ambiciet e Rusisë për të shtuar ndikimin në vendet e BE-së dhe shtroi pyetjen nëse Perëndimi është i aftë t’i kundërpërgjigjet këtyre kërcënimeve. Kahl tha se nuk ka ndonjë shenjë se raportet me Rusinë do të përmirësohen nën drejtimin e Vladimir Putinit. Ambiciet e Rusisë, sipas Kahl, do të shtohen. Shefi i BDN-së theksoi se pas manovrave verore Rusia ka modernizuar armatimin dhe komandën e forcave ushtarake. Sipas tij stacionimi i trupave dhe niveli i ripërtëritjes janë zhvillime «shqetësuese». Rusia, shtoi ai, po përpiqet të marrë një rol udhëheqës në kontinentin europian, duke dobësuar BE-në dhe zmbrapsur SHBA-të. Qëllimi, sipas Kahl, është të futet një pykë mes BE-së dhe Amerikës. «Që ta themi qartë: në vend se të jetë partner për sigurinë europiane, Rusia më shumë është rrezik potencial. Moska është kthyer si protagonist i politikës botërore dhe do të mbetet fqinj i parehatshëm». Kahl tha se Europa duhet të mendojë nëse pozicionimi i NATO-s dhe i Perëndimit është i mjaftueshëm për të kundërshtuar këto potenciale kërcënimi.