Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka hedhur akuza të forta për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn.
Në dalje të Kuvendit, Berisha theksoi se ka fakte të forta që vërtetojnë se Erion Veliaj është një nga më kryesorët në aferën e gjobë-vënies dhe black-listimit me qëllim eliminimin e opozitës shqiptare. Kreu i PD-së shtoi se Veliaj bashkëpunonte me McGonigal dhe rregullonin letrat e mashtronin autoritetet për të shpallur persona të ndryshëm non-grata.
Sipas Berishës, Veliaj ka korruptuar McGonigalin për të shpallur “Non Grata” Ylli Ndroqin, pronarin e një prej televizioneve më kritik ndaj qeverisë dhe bashkisë së Tiranës. Berisha nënvizoi faktin që duhet të ngrihet në mënyrë urgjente Komisioni Hetimor për të zbardhur atë të cilën ai e quajti “afera më mafioze në historinë e Shqipërisë”.
“Erion Veliaj është një nga më kryesorët në aferën e gjobëvënies dhe blacklistimit. Merrni rastin e Ylli Ndroqit. Muaj, në mos vite, përpara se të shpallej nongrata, Veliaj shkruante se do e shpallim non grata. E keni në të gjitha mediat të publikuar. Kjo do të thotë se ky gjobëvënës bashkëpunonte me ekipin McGonigal, rregullonin letra dhe mashtronin autoritetet. Pra, komisioni hetimor parlamentar është jetik për të zbardhur të gjithë aspektet e kësaj afere nga më mafiozet në historinë e vendit”, tha Berisha.
- Protesta e opozitës më 3 mars
Gjithashtu Berisha foli edhe për protestën e 3 marsit e cila përkon me datën kur Gjykata do të vendosë për “vulën” e Partisë Demokratike. Në fjalën e tij, Berisha tha se protesta e nesërme s’ka lidhje me vendimin e gjykatës për fatin e PD, ndërsa shtoi i bindur se asnjë gjykatës nuk mund të pranojë palë atë që nuk është palë në proces.
“Ajo protesta nesër s’ka lidhje me vendimin e Gjykatës. Unë nuk të paragjykoj një vendim i cili nuk egziston. Nuk egziston asnjë bazë ligjore për të shpallur palë atë që s’është palë. Unë kam besim. Askush s’e bën palë atë që sështë palë. Vetëm gjyqtarja Blerina Muçi e bën këtë”, vijoi Berisha.
- Berisha: Ramën duhet ta largojmë sa më parë
Ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh para mediave se protesta e nesërme pritet të jetë madhështore, pasi sipas tij qytetarët e shohin që kanë të bëjnë “me një kufomë që duhet ta largojnë sa më parë”, referuar këtu kryeministrit Rama.
“Madhështore e jashtëzakonshme, qytetarët e shohin se kanë të bëjmë me një kufomë të pakallur që përbën rrezik për vendin dhe shoqërinë që duhet ta largojmë sa më parë. Nuk kam asnjë lloj arsye që unë të ndërhyj në vendimin e gjykatësve e them me bindje që nuk ka gjykatës që të pranoj palë atë që nuk është. Komisioni është jetik për të zbardhur këtë aferë. Për mua ka rëndësi tu them ju këtu se atë që Edi Rama ndaj SHBA mund ta bënte vetëm Lukashenko ose Putini as Vuçiçi se do ndruhej”, perfundoi Berisha i cili më pas u largua nga Kuvendi.