Nga Ilir Kalemaj
Duke qenë se partitë politike këtejpari kanë fituar statusin e klubeve të futbollit ku tifozët-militantë çirren në favor të sportistit-politikan të preferuar, apo rolin e figurave të pop-kulturës ku të rinjtë tërhiqen turma-turma drejt ceremonish gjysëm-pagane, vlen të bëjmë një digresion të shkurtër për ndarjet, llojet, funksionet dhe rolin që ato normalisht (duhet të) kryejnë në shoqëri. Kjo e parë si në përgjithësi, ashtu dhe në veçanti, duke iu referuar këtij rastit tonë ku shpesh e kemi zakon t`i biem shkurt dhe të themi se është i paklasifikueshëm në asnjë tipologji. Është e vërtetë që partitë politike ndahen apo kategorizohen në lloje të ndryshme. Fjala bie mund të ndahen në parti kuadrosh apo masash; përfaqësuese apo integruese; kushtetuese apo revolucionare apo në bazë ideologjike: të majta dhe të djathta. Pra mund të ndahen në pikëpamje organizative, funksionale, mbi baza legjitimiteti apo mbi bazë programesh ekonomiko-ideologjike.
Në varësi të llojit të klasifikimit mund të deduktohen të dhëna profilike mbi faktin se çfarë partie është, çfarë forme organizimi të brendshëm ka, cilat janë rrugët që ndjek për të ardhur në pushtet, çfarë marrëdhëniesh ka krijuar me partnerë ndërkombëtarë, cilën formë shteti preferon, cilën mënyrë rekrutimi zgjedh, cili është statusi i demokracisë së brendshme, raporti me kostelacionin politik e kështu me rradhë. Por a ekziston këtu te ne mendim analitik i tillë që synon të inspektojë, analizojë, katalogizojë apo kritikojë mbi kritere të qarta dhe të parapranueshme rolin dhe funksionin e partive politike, liderëve të tyre dhe sistemit politik në përgjithësi? Ndonëse hera-herës të krijohet përshtypja se politika është kryefjala e shtypit, e muhabeteve të kafenesë apo çdolloj diskutimi të rëndomtë (nga raste festash në ato vakie), rrallë tek dëgjon, lexon apo kupton nëpërmjet analizash konceptuale një kritikë të asaj çka aktualisht po bëjnë lojtarët politikë dhe skuadrat e tyre përkatëse. Fjala bie, nuk ka asnjë ide të qytetarit shqiptar mesatar sot mbi dallimet që kanë formacionet kryesore politike, madje të ndarë edhe në blloqet përkatëse mazhorancë (e djathtë)- opozitë (e majtë). Me të drejtë mund të shtrohet pyetja: çfarë ndryshimesh kanë këto blloqe politike në çështje të tilla si: sistemi i shëndetësisë, arsimi, drejtësia, sistemi tatimor, të drejtat e minoriteteve, integrimi në BE, çështjet rajonale, politikën e jashtme, stabilitetin makroekonomik, politikat dhe strategjitë e zhvillimit etj?
Por ç`duhet të bëjnë partitë politike, cilat janë funksionet kryesore që presupozohet të kryejnë në arenën publike? Disa prej tyre janë përfaqësimi, formësimi i elitave dhe rekrutimi, formulimi i qëllimeve, artikulimi i interesave dhe agregimi, socializmi i aktorëve pjesmarrës dhe mobilizimi i masave dhe organizimi qeverisjes. Për t`i marrë me rradhë, te ne thuajse nuk funksionon asnjë nga hallkat e sipërpërmendura. Përfaqësimi është i mangët, thuajse inekzistent, grupazhet e interesit dhe grupet e presionit janë ose të dobëta dhe të fragmentarizuara, ose nuk ekzistojnë. Për rrjedhojë nuk ka formulim qëllimesh, shtjellim platformash, programe të mirëfillta që të shkojnë përtej shablloneve. Në një lidhje organike me këtë shkon edhe apatia e masave që zgjedhin të mos mobilizohen nga një klasë politike e zvetënuar, me moral dhe legjitimitet të cunguar, ku në vend të ketë qarkullim truri ka thjesht riprodhim identik elite. Elitë që dita-ditës e shton madhësinë e kanalit që e ndan me pjesën tjetër, atë që rri jashtë mureve të pushtetit dhe ku e vetmja joshje është sigurimi i kafshatës në kuptimin literal dhe metaforik të fjalës.
Partitë politike duhet të fitojnë zë, identitet dhe personalitet të vetin, të ndarë nga kryetari i rradhës. Mendimi ndryshe duhet të legjitimohet, të përkrahet dhe të debatohet për mënyrat më të mira për të dalë në sinteza të cilat arrihen vetëm pas përplasje opinionesh, argumentash dhe platformash. Natyrisht konsensusi duhet arritur së pari përbrëndëshmi nëpërmjet ballafaqimit të qasjeve dhe metodave që duhen ndjekur dhe pastaj të dilet si zë i vetëm për të lançuar programet elektorale dhe qeverisëse ku qytetari dhe fshatari i këtij vendi të kenë si të orientohen se cila forcë politike aktualisht përfaqëson interesat e tyre. Nocioni i përfaqësimit politik është i lidhur ngushtësisht me interesin dhe kjo është absolutisht e shëndetshme. Veçse interesi nuk duhet parë në mënyrë të ngushtë, populiste dhe demagogjike, ku të ngrihen mekanizma shpërblimi vetëm për një grup të seleksionuarish në kurriz të të pjesës dërrmuese, pra mbi baza selektive, por në mënyrë parimore, konsekuente dhe në përputhje me stadin e zhvillimit të sotëm dhe kontekstit gjeografik ku ndodhemi. Është e turpshme të ngelemi në klasë në të njëjtin stad gjysmak të ngërçeve artificialë, të politikës meskine të ditës që konsumon gjithçka veç jo debat politikash, të cubave që foltoren e parlamentit e marrin për tribunë popullore, të debatit ad hominem që largon vëmendjen nga problemet akute të shqiptarëve sot.
Një rrugë e sugjerueshme mund të ishte edhe një proces reformimi gradual dhe konstituitiv i elitave aktuale politike, e cila rruga më e qartë dhe më e mundshme për t`i dhënë mundësinë brezit të ri dhe potencialit intelektual të vendit për të fituar gradualisht pjekurinë politike dhe zëvendësimin në kohë të elitave ekzistuese që jo rrallë janë kthyer në amorfe,- vençarisht kur flitet për parti të dorës së tretë, të identifikuara vetëm nga kryetari, por që zënë një peshë jo-proporcionale në qeverisjen e vendit. Po ashtu, kjo rrugë do e kthente në një realitet faktik zëvendësimin e “politikës së vjetër” që shpesh vazhdon të bëhet nga ish-bolshevikë apo ish-spiunë që kthyen “gunën” brenda natës në kapitalistë reformatorë dhe që sot e gjithë ditën “çirren” për nevojshmërinë e “brain gain” –it dhe potencialeve që të rinjtë dhe intelektualët mund t`i afrojnë vendit.