Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka reaguar në lidhje me zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal i cili u arrestua për korrupsion.
I pyetur nga gazetarët për takimet e McGonigal të padeklaruara me kryeministrin Edi Rama e zyrtarë të tjerë shqiptarë, Gjiknuri u justifikua duke thënë se këto takime nuk faktojnë krime të kryera në vendin tonë. Gjiknuri pranoi se McGonigal ishte një zyrtar i nivelit të lartë në FBI, por mohoi që paratë të jenë dhënë për të hetuar Nick Muzin dhe dosjen hetimore në SHBA për lobimin e PD me para ruse.
Gazetari: Arrestimi i MCgonigal ka një prapaskenë tjetër me paratë që ka marrë, paratë janë paguar që zyrtari i FBI të zhvillonte veprime ndaj kompanisë së Nick Muzin. Do doja një koment tuajin?
“Së pari, kjo është tymnajë e fortë e ngritur nga opozita për të sfumuar 21 janarin dhe faktet e reja që kanë. Kjo është mëse e kuptueshme, kjo kuptohet nga gjasme që ngrihet një alibi. Nuk ka krim më të rëndë në hierarkinë e krimeve, sesa vrasja e qytetarëve, në disa vende quhet edhe genocid. Zyrtari në fjalë, zyrtar shumë i lartë, drejtues i zyrës së Nju York, që mbulon një territor të gjerë, duhet të dini që Nju Jorku ka 50-60% të transaksioneve botërore. Ai ishte shumë i rëndësishëm. Ai akuzohet për lidhje të tij me pagesa të një oligarku rus. Ngjarjet që përmenden, nuk faktojnë krime të kryera nga autoritete shqiptare. Por ka patur një thyerje të etikës dhe besimit për kontaktet që ka bërë.
Për Nick Muzin, rasti i tij është tjetër. I është nënshtruar drejtësisë amerikane dhe askush se ka hedhur poshtë që paratë janë ruse. Ka dokumente zyrtare. PD e asaj kohe ka përfituar para ruse. Askush se mohon këtë. Në vetvete, problemi ka të bëjë me sesa drejt e ka zbatuar detyrën një zyrtar amerikan dhe jo me kontaktet me Shqipërinë. Ka lidhje që s’ka deklaruar takimet? Po për këtë s’ka faj kryeministri, se si të rrinte ai pa takuar një zyrtar të lartë të FBI? Kuptoni diçka, për SHBA ky lajm ka rëndësi sepse cënohet autoriteti i FBI, por s’ka lidhje me Shqipërinë. Mos e bëni si Berisha se del një nga Tropoja, mik i Hajdarit dhe Berishës dhe ky lëvizka të gjithë çështjen e Muzin dhe historia kthehet në qesharake. Doli tani kushëriri i Besnik Mustafajt dhe gjithë ky komplot u bëka nga zyra e Edi Ramës. Këto janë histori qesharake, se nuk e bëjnë as bukur. Marrin Sami Amenin dhe ia vene Daniel Craig. Unë kam një shpjegim psikologjik, Berisha nga rusofil kthehet në rusofob. Kështu e ka bërë gjithmonë”, tha fillimisht Gjiknuri.
Reagimi i Gjiknurit vjen një ditë pas publikimit të dosjes së plotë dhe aktakuzës me 9 pika që FBI ka kopsitur për ish-agjentin dhe shefin e kundërzbulimit të FBI, Charles McGonigal. Faqet e dosjes tregojnë shumë për zhvillimet politike të 5 viteve të fundit edhe në Shqipëri, ku protagonist është kryeministri Edi Rama dhe lufta e tij kundër opozitës. McGonigal ka zhvilluar takime të njëpasnjëshme me kryeministrin Edi Rama dhe dy persona që në dosje emërtohen si ‘Personi A’ dhe ‘Personi B’, të dy të lidhur me qeverinë shqiptare.
- Gjiknuri i implikuar në “Dosjen 184”
Pavarësisht se Damian Giknuri është implikuar në “dosjen 184” ku akuzohen për vjedhje vote ndërsa në përgjimet e publikuara “Bild” socialisti thotë se do ta bëjë “tërmet…tërmet” duke nënkuptuar manipulim të votimeve.
Për shkak se nuk i pëlqeu pyetja e gazetarit, Gjiknuri e konsideroi si provokim madje shtoi se ai iu nënshtrua një hetimi të plotë nga drejtësia. Gjithashtu sa i përket fjalës “tërmet”, Gjiknuri tha se ka pasuruar fjalorin e kundërshtarëve të tij politikë.
Gazetari: A e keni dëgjuar audio-përgjimin, se atë në Dibër e kemi dëgjuar?
Përgjigjet Damian Gjiknuri: “Audio përgjimi është bërë publik dhe është zbardhur. Sa i përket provokimit që bëtë, unë i jam nënshtruar hetimit të plotë nga drejtësia dhe doli që asgjë nga ato që thuhet nuk përbëjnë vepër penale. Fjala tërmet është metaforë që e përdor Sali Berisha dhe e përdorin të gjithë. Unë re thoja në privat, Berisha dhe të tjerët e përdorin në publik. Më vjen mirë që pasurova fjalorin politik me një fjalë që nuk kishte asnjë ngjyrim tjetër”.
- Nën hijen e “Dosjes 184”
Në zgjedhjet që pasuan socialistët garuan me Muharrem Ramën, i cili ndryshe nga sa pritej fitoi me një diferencë të shtuar prej 4,232 votash ndaj kandidatit të Partisë Demokratike. Ky dominimim i Partisë Socialiste dhe aleatëve të tyre të PDIU, e njohur ndryshe si partia e komunitetit çam, do të vijonte edhe në zgjedhjet për Kuvend në vitin 2017-të. Këto fitore të thella të socialistëve dhe rritja elektorale e PDIU – pavarësisht se në Dibër nuk ka një komunitet çam, ngritën dyshime. Një sërë përgjimesh të publikuara fillimisht në vitin 2019 pas një investigimi të BIRN dhe Zërit të Amerikës, treguan se një sërë funksionarësh shtetërore dhe persona të tjerë pranë socialistëve kishin manipuluar votat.
Hetimet e zvarritura të prokurorisë dolën po ashtu në të njëjtin përfundim edhe pse shumica e personave të akuzuar për blerje vote nuk u dërguan në gjykatë, për shkak të afateve. Skandali i blerjes së votave u përdor nga opozita si motiv për të braktisur mandatet në Kuvend dhe bojkotuar zgjedhjet lokale të vitit 2019. Në këtë të fundit Dionis Imeraj, i cili qe një ndër personat e përmendur në “Dosjen 184” mori si kandidat i vetëm në zgjedhje gati 13,000 vota.
Por gjykimi i avashtë i të akuzuarve për abuzim me detyrën dhe presion ndaj zgjedhësve, nuk duket se ka ndikuar shumë në perceptimin e banorëve të kësaj bashkie mbi sigurinë e votës.