Deputetja e PD, Albana Vokshi akuzoi kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliajn për betonizimin e kryeqytetit dhe abuzimin me fondet e rindërtimit të shkollave. Në studion e emisionit ‘5 pyetjet’ , Vokshi u shpreh se Këlliçi është i avantazhuar përballë Veliajt në garën për bashkinë e Tiranës.
“Qytetarët duhet të votojnë për kandidatin jo për partinë. Kandidati i PD ka dalë nga primaret. Nuk ka dalë as nga skutat as nga bandat. Ka dalë sepse votuan jo vetëm anëtarë por edhe simpatizantë të PD”, tha Vokshi.
Ajo foli edhe për mësimin me turne që zhvillohet në disa shkolla të Tiranës ku ende nuk ka përfunduar procesi i rindërtimit, duke akuzuar Veliajn për abuzim me fondet dhe “rëndim të familjeve”, duke detyruar prindërit që të marrin fëmijët pas mësimit.
“Jo vetëm që ka kosto të drejtëpërdrejtë në mijëra fëmijë që bëjnë mësimin me turne, por rëndon çdo familje sepse nëna dhe babai detyrohen të lënë punën për të marrë fëmijët. Një shkollë që me fondet e BE, kushton 680 mijë euro standart ndërkombëtar, një shkollë e Erion Veliajt ka shkuar 6 milionë euro, ‘Sami Frashëri’’, shtoi deputetja.
Vokshi foli edhe për padinë që është dorëzuar nga ministri i Drejtësisë për 21 janarin.
“Nuk e kemi problem hetimin e 21 janarit, janë hetuar vetëm gardistët. Ka pasur një puç të tërë që nuk është hetuar. Le të hetohen organizatorët, kush i çoi njerëzit e tjerë në protestë. Këto rikthimet e audiove të prodhuara në zyrat e qeverisë, nuk janë asgjë”, tha deputetja demokrate.
Ajo hodhi akuza për ndërtimet e kullave në Tiranë duke thënë se po ndërtohesh vetëm për pastrimin e parave të pista pasi qytetarët të cilët punojnë ndershmërisht nuk mund të paguajnë çmimin e lartë të këtyre apartamenteve.